Përfundon protesta në Serbi, paralajmërohet radikalizimi i tyre

Prishtinë | 08 Jan 2022 | 16:07 | Nga Ekonomia Online

Në disa qytete të Serbisë, aktivistë të shoqatave mjedisore mbajtën sot protestën e radhës ku bllokuan rrugët për mbi një orë e gjysmë, ku u përsëritën kërkesat për të parandaluar shfrytëzimin e litiumit dhe projektin “Jadar” dhe Rio Tintos.

Protestuesit paralajmërojnë radikalizimin e protestave nëse Qeveria nuk tërhiqet nga Rio Tinto.

Në kryeqytetin serb, Beograd nga ora 13:00 ishte bllokuar autostrada përballë Qendrës Sava. Policia me rroba civile është dashur të reagojë dhe të parandalojë konfliktin mes shoferëve dhe personave që kanë bllokuar autostradën, përcjell N1.

Në mesin e protestuesve ishte edhe profesoresha Biljana Stojkoviç, deputete e Kuvendit të Serbisë, ku për mediumin serb Danas ajo ka thënë se qytetarët nuk kanë më nevojë për thirrje për protestë, por vetëm për të ditur kohën dhe vendin se ku do të mbahet.

“Ne do të vijmë çdo të shtunë dhe kjo nuk është më e diskutueshme. Duhet të qëndrojmë këtu dhe të luftojmë për të plotësuar kërkesat që padyshim që kjo qeveri i peshon nëse do t’i plotësojë apo jo. Por është e nevojshme”, tha ajo.

Lidhur me deklaratën e kryeministres serbe, Ana Brnabiç se qeveria është e gatshme të ndërpresë kontratat me Rio Tinton, ajo shtoi se kjo nuk mund të besohet.

Protestuesit kanë deklaruar se nuk u besojnë mesazheve të kryeministres Ana Brnabiç dhe autoriteteve se Rio Tinto do të dëbohet nga Serbia.

Protesta është mbajtur edhe në Novi Sad, Uzhicë, Peshak, Prelinja dhe në Topolla.

Nuk është raportuar për ndonjë eskalim, krahasuar me protestat e më hershme kur ka pasur dhunë ndaj protestuesve nga ana e policisë dhe mbështetësve të partisë së presidentit serb, Aleksanar Vuçiç, Partia e Përparimtare Serbe (SNS).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme