Ka përfunduar protesta e veteranëve të UÇK-së. Protesta që nisi në orën 10:00 në sheshin “Skënderbeu” para Kuvendit, eskaloi, pasi protestuesit kaluan rrethojat dhe u futën në oborrin e Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
Protestuesit tentuan të futen edhe brenda Kuvendit, por u ndaluan nga Policia.
Policia ka njoftuar për dy policë dhe një protestues të lënduar.
“Protesta u thirr për ta përcjell seancën e Kuvendit. E pamë që e ka kundërshtuar opozita. Në votim s’morën pjesë, turp për 51 deputetët që votuan, për t’i hequr veteranët nga paga minimale. Si OVL kërkojmë të rritet paga minimale për të gjithë, së paku 300-400. Me ligj, Qeveria e ka mundësi ta rrisë pensionin e veteranit”, deklaroi u.d. i kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku.
Ai mohoi raportin e Policisë se u hodh gaz lotsjellës nga protestuesit.
“Gazin e hodhi dikush nga dritaret e Kuvendit”, shtoi ai.
Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së po shprehin pakënaqësitë për mospërfshirjen e veteranëve në ngritjen e pagës minimale, që është propozuar nga Qeveria.
Bazuar në Ligjin në fuqi, rritja e pagës minimale nënkupton edhe rritjen e pensioneve për veteranët e UÇK-së. Por, me projektligjin e ri të pagës minimale, Qeveria Kurti nuk i përfshiu veteranët në këtë rritje.