Përfundon seanca ndaj Hajdarit, avokati i të dëmtuarës: U konstatua se nuk ka pasur gjurmë të frenimit në momentin e aksidentit

Prishtinë | 11 Tet 2023 | 16:43 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas rreth tri orësh ka përfunduar seanca gjyqësore ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari për aksidentin ku dyshohet se kishte goditur me veturë një fëmijë.

Pas seancës e cila vazhdoi të mbahej e mbyllur për media dhe publikun, avokati i palës së dëmtuar, Florim Shefqeti, deklaroi se janë marrë në pyetje grupi i eksperteve, me ç’rast sipas tij, është konstatuar se nuk ka pasur fare gjurmë të frenimit në momentin e aksidentit.

“Ashtu siç ishte përcaktuar paraprakisht, seanca u mbajt pa praninë e mediave, ndonëse Gjykata kishte marrë vendim kjo seancë sërish u mbajt pa praninë e medieve. Seanca e radhës është caktuar për të premten në ora 14”.

“Sot janë marrë në pyetje grupi i ekspertëve. Fillimisht nga ana e avokatit të Hajdarit dhe nga ne. Ata kanë deklaruar atë që e keni parë në ekspertizë, sepse ekspertët e mbështesin ekspertizën që e kanë konstatuar dhe normalisht ne i kemi pasur vërejtjet në mosgjendjen teknike të automjetit. Kjo ka qenë detyrë e policisë që kjo të bëhet kur ka aksidente. Ashtu siç është konstatuar, nuk ka pasur fare gjurmë të frenimit dhe kjo është konstatuar nga ekspertët në ekspertizën e tyre”, deklaroi ai.

Ndërsa, ministrja Hajdari nuk pranoi që të fliste.

Avokati i ministres Hajdari, Shemdi Bunjaku, në seancën e kaluar kishte kërkuar që seanca të mbahej e mbyllur për publikun me arsyetimin se ka të bëjë me rastin e aksidentit të të miturës, kërkesë kjo që u aprovua nga Gjykata.

Më 10 prill të vitit 2022 një aksident kishte ndodhur në lagjen “Arbëria” në Prishtinë ku ishte aksidentuar një fëmijë, në këtë aksident ishte e përfshirë ministrja e Industrisë, Ndërmarrsisë dhe Tregtisë, Hajdari. Aksidentin në fjalë e kishte konfirmuar edhe policia.

Të ngjashme