Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, kanë bërë të ditur se nga subvencionimi i energjisë elektrike, masë e cila përfundon këtë muaj, kanë përfituar mbi 200 mijë familje e se vendit i janë kursyer rreth 88 milionë euro, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për medie, të thirrur në prag të përfundimit të subvencionimit të faturave elektrike, ministri Murati ka thënë ky dimër, siç konsideroi ai, ka qenë ndër më të lirët sa i përket çmimit të energjisë elektrike.
Tutje, ai ka treguar se në tre muajt e parë subvencionimi është bërë nga Qeveria e Kosovës dhe më pas katër të tjerë nga BE-ja.
“Subvencionimin e kursimit të energjisë, të cilën e kemi lansuar në muajin shtator fillimisht si pilotim dhe si testim e që për tre muajt e parë është financuar nga buxheti i shtetit dhe më pastaj gjatë diskutimeve që kemi pasur me Bashkimin Evropian, është përfshirë në pakon mbështetëse të Bashkimit Evropian, që është miratuar në vlerën prej 75 milionë eurosh”.
“Kësisoj, katër muajt e ardhshëm janë financuar nga BE, dhe si rezultat muajt shtator, tetor dhe nëntor janë financuar nga Qeveria, kurse në muajt dhjetor, janar, shkurt dhe mars, mbulimi është bërë nga fondet e BE-së, në shumën prej 15 milionë eurosh. Sot apo nesër qytetarët do ta pranojnë edhe subvencionin dhe kjo do të jetë përmbyllja e kësaj mase të kursimit, e cila ka qenë për sezonin dimëror të këtij viti”, tha Murati.
Ministri tha se me ndihmën e fondeve të BE-së janë paraparë edhe pako të tjera.
“Normalisht do të ketë edhe pako të tjera të cilat janë të parapara me pakon e BE-së, janë paraparë edhe 25 milionë euro tjera që do të jenë përgjatë vitit, pra mbështetje për familjet e cenueshme apo familjet në nevojë, në mënyrë që të kalohet sa më lehtë barra e faturave elektrike”, deklaroi ai.
Tutje, shefi i kuletës së shtetit tha se si rezultat i subvencionimit, janë kursyer 88 milionë euro nga importi.
“Ka qenë mbi 200 mijë numri i familjeve që kanë përfituar çdo muaj dhe kanë qenë të kursyera shumë e shumë kw/h, të cilat nuk i kemi importuar. Po të ishin importuar gjithë ato kw/h, do të figuronte një import shtesë prej 88 milionë eurosh. Pra përmes kësaj mase mund të themi se kemi kursyer 88 milionë euro nga importi. Konsideroj se ky dimër, për rreth 200 mijë familje që kanë përfituar nga subvencionimi, ka qenë ndër dimrat më të lirë sa i përket kostos së energjisë elektrike. E falënderoj BE-në, si dhe qytetarët për vetëdijesim për kursim të energjisë elektrike”, u shpreh më tej ministri.
Ndërsa, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se subvencionimi që është bërë nga BE-ja, vetëm për këtë muaj, kap vlerën e 50 milionë eurosh, mirëpo siç tha ai, mbështetja nuk do të ndalet me kaq.
Ai tha se në të ardhmen pakoja e mbështetjes do të ofrojë mbështetje edhe në masa të tjera.
“Ne kemi mbuluar katër muaj, nga dhjetori deri në mars dhe mbi 200 familje kanë përfituar nga kjo masë. Mbështetja arrin deri në 50 milion për këtë muaj. Kursimi i energjisë është mënyra më e mirë për të kaluar këtë periudhë”.
“Në të ardhmen pakoja e mbështetjes do të ofrojë mbështetje edhe në masa të tjera. Mbështetje financiare për të ju ndihmuar për ti paguar faturat e rrymës apo mjetet që përdorin për ngrohje, renovimin e ndërtesave , dritareve, instalimin e paneleve solare, mbështetje të bizneseve për të investuar në energji efiçente dhe instalim solar”, tha ai.
Szunyog foli edhe për vendimin e Gjykatës për pagesën e rrymës për veriun e se “kjo pyetje do të duhej që ti bëhej ZRrE-së”.
“Sa i përket muajve në vijim për subvencionim, ky do të jetë muaji që përmbyllet si masë. Konsideroj që e kemi tejkaluar mjaftë mirë. Sa i përket vendimit të Gjykatës për pagesën e rrymës për veriun, sa i përket kësaj janë procedura që parashihen dhe qe do të duhet të ndërmerreshin. Kjo pyetje do të duhej që ti bëhej ZRrE-së”, tha ai.
“Pakoja jonë përfshin edhe masa specifike për të mbështetur familjet e cenueshme. Sistemi energjetik i Kosovës që të jetë me i qëndrueshëm. Duhet të shohim se çfarë masash afatgjate të përdorim. Qeveria e Kosovës duhet ta aprovojë një plan të zbatimit”, tha ai.
Szunyog, sa i përket marrëveshjes IPA 2023 tha se janë duke e pritur ratifikimin e marrëveshjes në Kuvendin e Kosovës dhe se janë të gatshëm që ta zbatojnë atë, raporton EO.
“Sa i përket IPA 2023 ne e kemi nënshkruar marrëveshjen e cila parasheh 62 milionë euro, duhet të shkojë në Kuvend dhe të ratifikohet. Ne po e presim ratifikim dhe jemi gati që ta zbatojmë sa më shpejt. Jemi duke e përgatitur një pako të re, kemi bashkëpunim të mirë me qeverinë i kemi disa ide, disa projekte. Pra jemi duke punuar më ta”, tha ai.