Sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, ka deklaruar se ultimatumi i Behgjet Pacollit ka qenë më shumë për ta bashkuar opozitën sesa për ta braktisur koalicionin LAA.
Ai e sheh të arsyeshme edhe rritjen e presionit ndërkombëtar për ta tejkaluar këtë bllokadë politike, shkruan sot, gazeta Zeri.
Ka skaduar ultimatumi i presidentit të AKR-së, Behgjet Pacolli, drejtuar Isa Mustafës dhe Albin Kurtit që brenda 10 ditëve të arrijnë marrëveshje për formimin e Qeverisë, në të kundërtën qëndrimi i tij në koalicionin LAA nuk ka kurrfarë kuptimi.
Por, palët nuk kanë arritur kurrfarë marrëveshjeje, pavarësisht këtij afati 10-ditor.Megjithatë sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se ultimatumi i Pacollit ishte dhënë më shumë për të reflektuar sesa ndonjë tentim për të dalë nga koalicioni.
“Opozita nuk është duke reflektuar, prandaj më shumë ky ultimatum ka qenë për ta bashkuar opozitën”, ka shtuar Makolli, duke sqaruar se ultimatumi synon të shpëtojë vendin nga vonesa e formimit të institucioneve.
Ai ka shtuar se Kosova aktualisht është në një situatë shumë të pafavorshme.“Nëse dikush e do shtetin e vet, atëherë nuk do të duhej lejuar që ta lërë shtetin pa pozicion”, ka theksuar Makolli.