Marrëdhënia me trupin është diçka jashtëzakonisht delikate. Priremi ta harrojmë kur jemi mirë, ndërsa monopolizon gjithë vëmendjen tonë sapo një mekanizëm bllokohet. Trupi mund të jetë bashkëpunëtor (në kënaqësi) ose armik (kur nuk korrespondon me imazhin që dëshirojmë). Vepron si një “kartëvizitë” në marrëdhënien me të tjerët,
sepse e dimë mirë: gjykohet shpesh nga pamja a jashtme. Trupi bëhet shpesh objekt frustrimesh dhe pakënaqësish që rrjedhin nga konflikti mes asaj që jemi dhe asaj që do të donim të ishim: shpesh bëhemi shumë kërkues dhe përfundojmë duke e përçmuar trupin tonë.
Ta drejtosh të gjithë vëmendjen dhe energjitë mbi aspektet e lidhura me anën e jashtme mund të frenojë një kontakt më të thellë më veten, por çfarë të bëjmë kur imazhi ynë na shkakton pasiguri? Si t’ia dalim të pranojmë mungesën e përsosmërisë nëse e konsiderojmë atë shkakun kryesor të palumturisë sonë?
Nuk ka shumë njerëz në gjendje ta perceptojnë veten ashtu siç janë realisht: priremi më shpesh të kemi një vizion të fragmentuar të trupit tonë. Izolojmë pjesë të veçanta, sikur ato të mos ishin pjesë të së tërës. Mund të urrejmë hundën e të dashurohemi me këmbët ose flokët. Imazhi që kemi për veten mund të humbë edhe çdo kontakt me realitetin: për shembull, një grua që peshon 40 kile ka gjasa që ta ndjejë vetën të
trashë dhe të vuajë për këtë gjë. I ashtuquajturi “ideali i vetes” (pra, ajo që në mënyrë të pandërgjegjshme do të donim të ishim), ndikon në aftësinë për ta perceptuar personin tonë realisht. Ideali i vetes ushqehet së pari nga SHIKIMI PRINDËROR dhe nëse realiteti familjar është një shikim “mjaftueshëm i mirë” mund të pjekë një ide tolerante, që na mundëson të bashkëjetojmë qetësisht me mungesën e përsosmërisë. Ama, shikimi zhgënjyes i një prindi, i cili ka dëshiruar më kot që fëmija t’i bëhet kampion në një sport, do ta kushtëzojë në të ardhmen fëmijën, që mund ta perceptojë trupin e tij të ngathët dhe kot fare. Një mama që e jeton me ankth bukurinë e vajzës së vet adoleshente, sepse i bën llogaritë me kohën që ikën dhe i duhet të ndërgjegjësohet për ndryshimet e trupit të saj që plaket, mund ta bëjë të pasigurt vajzën me shikimin e saj “zhgënjyes”.
Adoleshenca dhe mosha e pjekur janë momente themelore për ndërtimin e imazhit për veten. Për gratë, realizimi nëpërmjet trupit të saj është edhe më i komplikuar, sepse në adoleshencë dhe në përshkimin e rrugës së rritjes, i duhet të pohojë diversitetin, duke kaluar nga të qenit “e njëllojtë me nënën” në të qenit “e ndryshme dhe unike”. Ky përshkim mund të lehtësohet nga shikimi i babait, që e ndihmon në ndërtimin e imazhit të vajzës, duke i qenë mirënjohëse trupit. Marrëdhënia me trupin e vet është ngushtësisht e lidhur me aftësinë për të pranuar realitetin, për ta njohur veten si unike, për t’i dhënë vlerë autonomisë vetjake, për të qetësuar konfliktet e lidhura me shikimin e “prindërve tanë të brendshëm”.
Si mund të zhvillohet atëherë ky “pajtim” me trupin?
Ndonjëherë ndodh që shikimi që dëshirojmë, të zgjojë tek ne diçka që nuk e njihnim: na bën të ndihemi të ndryshëm, më të bukur, më të këndshëm; përkëdheljet e personit të dashur bëjnë që të fashiten si me magji të gjitha defektet që mund të kemi. Është e rëndësishme të mbajmë gjithnjë para sysh që trupi nuk mund të konsiderohet si një ekzistencë e shkëputur nga bota psikike e brendshme: çdo çast dërgojmë mesazhe që vijnë në formën e ndjesive fizike (ngrohtësi, ftohtësi, kënaqësi ose dhimbje fizike etj.) ose ndjesive psikike (trishtim, gëzim, zemërim etj.). Një dhimbje koke për shembull mund të jetë edhe efekti i një zemërimi mbytës, i tensioneve të mprehta. Pamja është teatri i emocioneve tona: sytë pak a shumë të qetësuar, rrudhat rreth e rrotull gojës tregojnë për ne, për moshën tonë dhe sidomos për mënyrën se si ne e mirëpresim kalimin e kohës. Të pranosh shenjat e kohës me qetësi, mund të jetë një ndërmarrje e vështirë nëse raporti me trupin tonë është kompromentuar më parë. Ka shumë gra që heqin dorë, duke bllokuar kështu këtë proces të vazhdueshëm të shndërrimit mendje-trup, falë të cilit në çdo fund ka gjithnjë një rilindje. Kush i mat vlerat e veta vetëm nga vështrimet adhuruese të të tjerëve, kur këto të mos jenë më, rrezikon të zgjedhë të mënjanohet, të heqë dorë nga loja, duke ndaluar kështu një tjetër eksplorim të vetvetes, të një mënyre tjetër të të qenit: bëhet e pamundur të gjendet një mënyrë tjetër e të kujdesurit për veten.
Nuk ka kufij moshe për të zbuluar kreativitetin, për të pasur dëshirë për të ndryshuar dhe për ta vënë veten në diskutim. Ngjarje si fundi i një marrëdhënieje që nuk ushqehej në thellësi ose fillimi i një pune të re shpërblyese, mund të jenë pavarësisht të gjitha vështirësive, çaste stimuluese për fillimin e një rilindjeje. Të përqendruarit në një lifting ose izolimi nga raportet ndërpersonale, do të ishte edhe njëherë përpjekje për të ndarë në mënyrë jonatyrale trupin nga vështrimi i brendshëm. Iluzioni i ruajtjes së një “rinie të përjetshme”, zbulon vështirësinë e të pranuarit të kufijve vetjakë dhe prirjen për të pranuar një standard të parandërtuar.
A mundet që një ndërhyrje e kirurgjisë estetike t’i japë fund vuajtjeve? Edhe po, edhe jo. E rëndësishme është sidomos të kërkohen mënyra të tjera për të ushqyer vetëvlerësimin, përndryshe “retushimi” nuk do të na bëjë të ndihemi mirë. Prirja dëshpëruese për të përmbushur kriteret estetike zotëruese përfundon duke ndikuar në sjelljet ushqyese jo të rregulluara nga faktorë si uria, shija, ngopja, por vazhdimisht të zotëruar nga arsyeja. Bëhemi gjykues të ashpër të të gjithë asaj që hamë, priremi ta ndajmë ushqimin në të mirë (gjithçka që nuk ka kalori dhe na dobëson) dhe të keq (gjithçka që na shëndosh). Forcës së vullnetit i bie barra të shmangë një “tentativë”, duke e lënë mënjanë spontanitetin dhe natyrshmërinë.
Ndjesia se mund ta kontrollojmë gjithnjë peshën tonë do të ishte një demonstrim i forcës, por atëherë si kurrë ndonjëherë kërkohet të kontrollohet në mënyrë obsesive ushqimi. Priremi të bëhemi ankthiozë, nervozë dhe gjendemi
gjithnjë në vështirësi për t’u përqendruar? Në kushtet e stresit, nervozizmit, kur humori është i rënë, ushqimi mund të përbëjë një lloj “kompensimi”. Kurse imponimi i kufizimeve pengon gjetjen e një “ngushëllimi të shpejtë”. Në këtë pikë shkelja (e përfaqësuar për shembull nga një copë çokollatë e ngrënë me lakmi) gjeneron ndjenjën e padurueshme të fajit dhe nevojën e brendshme për ngushëllim nëpërmjet një mekanizmi të gabuar siç mund të jetë ngrënia e të gjithë çokollatës, deri në fund.
Nganjëherë, të bësh një dietë mund të jetë e nevojshme, por kujdes nga “të bërit vetë”. E rëndësishme në këto raste është t’i drejtohemi një nutricionisti të besueshëm, i cili do të na ndihmojë për të eliminuar zakonet e këqija ushqyese, dhe rast pas rasti do të zhvillojë një dietë të personalizuar: së paku, do të zbuloni se ushqimet e konsideruara të ndaluara mund të ripërfshihen në vaktet tuaja, me përfitimin e humorit të mirë.
Trup dhe mendje nuk janë kurrë të ndara. Të mësosh të dëgjosh nevojat autentike të trupit, ndihmon të pranojmë më në thellësi veten.