Një qasje e përgjumur e Gjermanisë në ndeshjen përgatitore para Kupës së Botës, ka kontribuar në humbjen befasuese në xhiron e parë ndaj Meksikës. Kështu ka vlerësuar të mërkurën sulmuesi i Gjermanisë, Thomas Mueller.
Gjermania luajti gjashtë miqësore nga nëntori i vitit të kaluar deri në fillim të Kupës së Botës në Rusi, duke fituar vetëm një ndeshje, atë kundër Arabisë Saudite, shkruan sot Koha Ditore.
Sulmuesi i Bayern Muenchenit, Mueller, që po luan në Botërorin e tretë, pranon se Gjermanisë i duhet të rrisë tempin për ndeshjen e dytë të saj në Grupin F kundër Suedisë, që e luan të shtunën në Sochi.
“Mendoj se e kemi marrë tepër shtruar në ndeshjet përgatitore”, ka thënë Mueller. “Në brendësi ne kemi qenë vetëkritikë dhe kemi thënë se duhet të bëjmë këtë e atë. Por në ndeshjet përgatitore ne shpresonim që të mos ishte vështirë dhe mendonim se kur vjen puna te Kupa e Botës do të rrisnim lojën tonë. Por nuk e kemi bërë këtë. Duhet të kthehemi dhe të jemi të gatshëm të ecim atë milje shtesë. Vetëm kaq. Është me rëndësi tash të shikojmë para drejt dy detyrave të mëdha që na presin në këtë grup. Temperatura është nxehur”.
Gjermania humbi ndeshjen e parë ndaj Meksikës të dielën (1:0), që është një prej befasive më të mëdha deri më tash.