Nëse ky rast ndriçohet para se të formohet Bashkësia e Komunave me shumicë serbe, do të mund të ndikonte direkt në termat e dokumentit themelues të asaj Bashkësie, duke e kompromentuar dhe minimizuar pretendimin imperial të Serbisë.
Kaluan pesë vite nga vrasja e Oliver Ivanoviqit, ndërsa drejtësia ende nuk e ka ndriçuar rastin. I dyshuar për vrasjen e Ivanoviqit është edhe Milan Radojçiqi, nënkryetari i partisë parlamentare “Srpska lista”, (Lista Serbe) bashkë me një grup personash që janë emërtuar si “ grup i organizuar kriminal”.
Pra, pista kryesore sugjeron për një krim politik, më saktë për një qërim hesapesh ndërmjet partive politike serbe të Kosovës. Rrjedhimisht, të gjithë të dyshuarit e të akuzuarit janë serbë. Kjo është me rëndësi, të thuhet.
Por, problemin e madh të këtij procesi gjyqësor e paraqet tërheqja e dëshmitarëve të mbrojtur, të cilët janë të kërcënuar pikërisht nga eksponentë të “Lista Srpska.” Për shkak të frikësimit të dëshmitarëve dhe pasi që disa nga të akuzuarit janë në arrati, procesi po zvarritet shumë.
Por, a ka mundësi që procesi të dinamizohet? Gjasat janë reale që mund të ecet më shpejt përpara në këtë proces, nëse ka më shumë vullnet juridik e guxim politik. E para, gjykata duhet të insistojë më shumë që të sillen para drejtësisë të akuzuarit, me ndihmen e institucioneve ndërkombëtare.
Në Kosovë ushtrojnë përgjegjësi të caktuara pushteti/sigurie KFOR, EULEX e UNMIK, prandaj ato kanë përgjegjësi edhe në këtë rast, që të bashkëpunojnë me Interpolin, po edhe të bëjnë presion mbi Serbinë për këtë çështje. E dyta, dëshmitarëve të mbrojtur shteti ynë duhet t’u ofrojë garancitë e plota dhe të sigurohet rikthimi i tyre në proces.
Ata janë të motivuar të dëshmojnë, vetëm duhet t’u eliminohet frika. E treta, nëse është e nevojshme ekipet e prokurorëve e gjyqtarëve duhet të shtohen e të pajisen me çfarëdo lloj ndihme profesionale e logjistike që u duhet, sepse ky proces gjyqësor është i nivelit më të lartë të interesit tonë shtetëror. Nëse dëshmohet me fakte që vrasjen e kanë bërë strukturat serbe dhe me dijeninë e autoriteteve shtetërore të Serbisë, hapet mundësia e riintegrimit të serbëve të Kosovës në shoqërinë tonë dhe përjashtimi institucionalë i ndërhyrjeve të Serbisë në Kosovë.
Bile, nëse ky rast ndriçohet para se të formohet Bashkësia e Komunave me shumicë serbe, do të mund të ndikonte direkt në termat e dokumentit themelues të asaj Bashkësie, duke e kompromentuar dhe minimizuar pretendimin imperial të Serbisë.
Ndërsa në planin thjesht politik, vrasja e Ivanoviqit është një kartë e fortë në duart e qeverisë sonë, e cila deri sot nuk është shfrytëzuar fare. Në bazë të aktakuzave që janë ngritur, duhet të mbahet lart përgjegjësia e Vuçiqit dhe e qeverisë së Serbisë. Besoj se nga KQZ do të duhej të shqyrtohej edhe statusi i Listës Serbe si parti politike legale nëse nënkryetari i saj, Millan Radojçiq është i akuzuar për porositjen e vrasjes.
Në procesin e Brukselit do të duhej të përdorej ky krim, për të denoncuar Serbinë si penguese të drejtësisë në këtë rast penal, po edhe të manipulimit me fatet e serbëve në Kosovë. Por, edhe këtu kërkohet ndihma konkrete e SHBA-së dhe e Brukselit.
Nëse synojnë të vënë drejtësinë ne vend në rastin Ivanoviq dhe nëse duan ta frenojnë Serbinë rusofile, e kanë rastin ideal që atë gjë ta realizojnë me finalizimin e këtij procesi gjyqësor. Përgjegjësia e Vuçiqit dhe e qeverisë serbe në vrasjen e Oliver Ivanoviqit është evidente. Vetëm sa duhet të adresohet më shpejt.