Brenda 48 orësh, katër ish-krerë të UÇK-së do të paraqiten për herë të parë para Gjykatës Speciale në Hagë. Prej tyre, vetëm ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka shkuar atje i prangosur. Për këtë, Zyra e Prokurorit të Sepcializuar ka dhënë përgjigje banale.
Për dy ditë, katër figura eminente të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) u dërguan në paraburgimin e Dhomave të Specializuara në Hagë. Gjykata Speciale konfirmoi për gjykim akuzat e rënda ndaj ish-shefit politik të UÇK-së, Hashim Thaçit, ish-shefit të shërbimit informativ të UÇK-së, Kadri Veselit, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimit dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit.
Ajo për të cilën ka pasur më së shumti paqartësi është fakti se pse nga gjithë këta, vetëm ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi u arrestua nga Policia e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe iu bastisën dy shtëpitë e tij, në Prishtinë dhe në vdendlindjen e tij në Negroc të Drenasit. Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi vetëm u njoftuan për aktakuzën e konfirmuar dhe u ftuan të paraqiten në Dhomat e Specializuara. Këtë veprim të Speciales e cilësuan të palogjikshëm edhe juristë të njohur në vend.
Gazeta Express e ka pyetur Zyrën e Prokurorit të Specializuar për këtë çështje. Përgjigjja ka qenë e shkurtër dhe pa përmbajte.
“Policia që arrestoi z. Krasniqi ishte Policia e ZPS-së. Sidoqoftë, ZPS nuk deklarohet për çështje operacionale”, ka thënë zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett.
Por, Ligji për Gjykatën Speciale dhe Rregullorja e Procedurave dhe Provave ka shpjegim për rastet kur dikush arrestohet, dhe për rastet kur ftohet të paraqitet në Dhomat e Specializuara. Sipas ligjit, kjo bëhet vetëm në rastet kur personi i arrestuar përbën rrezik të madh për provat e hetimit apo dëshmitarët.
“Dhomat e Specializuara apo Prokurori i Specializuar urdhërojnë arrestimin dhe paraburgimin e një personi vetëm kur: a. ekziston dyshimi i bazuar se ai e ka kryer ndonjë vepër penale që është nën juridiksionin e Dhomave të specializuara dhe b. ekzistojnë arsye të artikulueshme të besohet se: i. ekziston rreziku i arratisjes, ii. se ai ose ajo do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e ndonjë vepre penale, ose rrethanat specifike tregojnë se ai do të pengojë ecurinë e procedurës penale duke ndikuar tek dëshmitarët, palët e dëmtuara ose bashkëfajtorët, ose iii. natyra e rëndë e veprës penale, ose mënyra apo rrethanat në të cilat është kryer dhe karakteristikat personale të tij, sjellja e tij në të shkuarën, mjedisin dhe kushtet në të cilat ai jeton, ose rrethanat e tjera personale e tregojnë rrezikun se ai do ta përsërisë veprën penale, do të përfundojë ndonjë vepër penale në tentativë, ose do të kryejë ndonjë vepër penale që ai ka kërcënuar se do ta kryejë”, thuhet në njërin nga paragrafin 6 të nenit 41 të ligjit.
Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe Provave, Prokuroria e Specializuar ka të drejtë edhe të zhvillojë kontrolle dhe sekuestrime siç u bënë dje në shtëpitë e Krasniqit. Kjo parashihet kur provat nuk mund të sigurohen në një mënyrë tjetër.
Rregulli 38 specifikon rastet kur Prokurori i Specializuar mund të urdhërojë kryerjen e një kontrollimi dhe sekuestrimi. Gjatë kontrollit, Prokurori në disa raste mund të sekuestrojë përkohësisht çfarëdo që gjen.
“Bazuar në nenin 35 dhe nenin 39 të Ligjit dhe në përputhje me kushtet e përcaktuara në rregullën 37 (1-3), Prokurori i Specializuar, pa autorizimin e një paneli, mund të kryejë kontrollimin e një personi ose prone, vendi, ambienteve apo objekti, dhe të sekuestrojë përkohësisht çfarëdo sendi të gjetur gjatë kontrollimit, në qoftë se: (a) personi në fjalë me vetëdije dhe vullnetarisht pajtohet me kryerjen e kontrollimit dhe sekuestrimin; (b) personi në fjalë është kapur duke kryer një vepër penale brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara dhe pas ndjekjes nga afër do të arrestohet; ose (c) një veprim i tillë është i domosdoshëm për të parandaluar rrezikun e menjëhershëm të një dëmi të rëndë dhe të pandreqshëm ndaj personave të tjerë ose pronës”, thuhet në pikën e parë të këtij rregulli.
Për t’i bërë të vlefshme gjësendet e sekuestruara dhe kontrollimin në tërësi, Prokuori i Specializuar duhet t’ia paraqes një paneli kërkesën për miratimin e kontrollimit dhe sekuestrimit. Pa miratimin e panelit, materiali i sekuestruar nuk mund të përdoret për ndjekje penale.
“Kërkesën për miratimin e kontrollimit dhe sekuestrimit, Prokurori i Specializuar ia parqet një paneli menjëherë dhe jo më vonë se njëzet e katër (24) orë pas fillimit të kontrollimit dhe sekuestrimit. (3) Paneli që shqyrton kërkesën mund të miratojë kontrollimin dhe sekuestrimin brenda tri (3) ditësh nga paraqitja e kërkesës vetëm nëse bindet se janë plotësuar kushtet e përcaktuara në paragrafin (1). (4) 1Në qoftë se një kërkesë e tillë nuk është paraqitur, nuk është miratuar, ose paneli nuk ka nxjerrë vendim në lidhje me të, urdhri i Prokurorit të Specializuar për kontrollim dhe sekuestrim pushon së qeni në fuqi dhe Prokurori i Specializuar ndërpret menjëherë kontrollimin dhe sekuestrimin. 2Materiali i sekuestruar, në qoftë se ka, nuk mund të përdoret për hetim apo ndjekje penale”, thuhet ndër tjerash në këtë rregull.
Por, avokati Dastid Pallaska e ka parë si kundërthënie logjike urdhrin e Speciales për të kryer bastisje në shtëpitë e Krasniqit, pasi që aktakuza ndaj tij është konfirmuar.
”Qëllimi i një bastisje në procedurë penale është, para se gjithash, mbledhja dhe sigurimi i provave. Duke marrë këtë parasysh, bastisja – si rregull – ka kuptim dhe urdhërohet gjatë hetimeve. Është tejet e pazakontë të urdhërohet një bastisje pas ngritjes së aktakuzës, siç ndodhi sot në rastin e ish kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi”, ka shkruar dje Pallaska.
Sipas tij, veprimet e Speciales dje rrezikojnë ta komprometojnë procedurën penale.
“Kjo kundërthënie procedurale e edhe logjike, që mbetet ende e paadresuar zyrtarisht, jo vetëm që ka rrezik të komprometoj procedurën penale që po zhvillohet por edhe ushqen perceptimin e skeptikëve se në këto raste instrumentet juridike po përdoren edhe për qëllime jo-juridike”, ka shkruar Pallaska.
Siç e parasheh Ligji dhe Rregullorja e Speciales, Jakup Krasniqi, sikurse edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, do të duhet që brenda 48 orësh të dalin para një paneli, që njihet si “paraqitja e parë e të akuzuarit”.
“Në përputhje me nenin 41(3) të Ligjit, çdo person i arrestuar në bazë të kësaj rregulle, nxirret para një paneli brenda dyzet e tetë (48) orësh pas arrestimit. 2Paneli duhet të bindet se personi i arrestuar është informuar për arsyet e arrestimit në përputhje me nenin 41(6) të Ligjit, si edhe për të drejtat që gëzon në bazë të Ligjit dhe Rregullores”, thuhet në rregullin 52.
Në paraqitjen e parë, ish-krerët e UÇK-së ka të drejtë ta zgjedhin një avokat mbrojtës ose kjo t’i caktohet nga Specialja. Në këtë paraqitje, atyrte u lexohen akuzat dhe informohen se brenda 30 ditësh duhet ta deklarojë fajësinë apo pafajësinë në lidhje me to. Ata mund të deklarohen rreth fajësisë apo pafajësisë së tyre qysh në paraqitjen e parë.
Jakup Krasniqi mbrë u dërgua për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara. Për në të njëjtin destianacion, me një avion ushtarak, sot u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.