Përgjimet, Limaj: Kurti e ka futur Kusari-Lilën në “flakë”

Prishtinë | 06 Qer 2024 | 23:04 | Nga Ekonomia Online

Lideri i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të merr përgjegjësinë pas publikimit të përgjimeve nga biseda e shefes së Grupit Parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila dhe kriminelit Milan Radoiçiq.

Biseda mes Kusari-Lila dhe Radoiçiq, e cila zgjat rreth 20 sekonda, ishte ndërmjetësuar nga Slavko Simiq nga Lista Serbe. Ajo besohet se është zhvilluar në qershor 2022. Kusari-Lila më herët kishte thënë se në këtë bisedë ka folur shqip, ndërsa në përgjime biseda zhvillohet në gjuhën serbe.

Limaj ka thënë se Kusari-Lila është kapur në gënjeshtra dhe ajo duhet të jep dorëheqje.

“Zonja (Kusari-Lila) duhet të shkojë në institucionet shtetërore dhe të tregojë se çfarë ka ndodhur. Ajo nuk e ka thënë të vërtetën në publik. Kryeministri i Kosovës deri më tash nuk ka ndërmarrë masa ta shkarkojë Kusarin. Zonja Kusari ka vepruar në koordinim të plotë me kryeministrin e Kosovës”, ka thënë Limaj.

Kreu i Nismës Socialdemokrate ka thënë se përgjegjësinë duhet ta merr kryeministri Kurti, por ai nuk dëshiron ta bëjë një gjë të tillë, pasi sipas tij, është “qyqar”.

“Ky (Kurti) është qyqar. S’ka guxim të del e të thotë ‘unë i kam thënë’. E ka shti Mimozën në flakë dhe nuk del e të thotë se unë e kam bërë, çka keni”, ka thënë Limaj, duke shtuar se kurrë Kosova nuk ka qenë në duar më të pasigurta sesa sot.

Më 24 shtator 2023, Radoiçiq organizoi grupin terrorist për sulm në Banjskë duke vrarë policin Afrim Bunjakun. Radoiçiq kërkohet nga Interpoli, por ai vazhdon të qëndrojë i lirë në Serbi.

Lexo edhe:

Të ngjashme