Përgjithësimi i kujtimeve të viteve të ’90-ta

Prishtinë | 28 Tet 2018 | 22:14 | Nga Ilir Muharremi

Koncepti i ekspozitës Çmimi Muslim Mulliqi “A janë Histori kujtimet tona?” i kuratores Iara Boubnova mëton të ngrejë në diskutim historinë, kujtesën, të cilat janë objekte studimi për historianët, antropologët, sociologët, filozofët, historianët e artit dhe letërsisë. Koncepti fuqizohet me atë se këto mund të jenë shënjestër të manipulimit politik.

Referencë në të shkuarën dhe prirje për të ardhmen, këta janë njerëz historikë të cilët dobësohen me vendosmërinë e tyre për ta vazhduar luftën me jetën. Historikisht gjykojmë, rikthehemi në të ardhmen me pushtet historik, andaj nuk është shkencë e pastër ngaqë ndodhet në pozitë varësie. Pse jeta ka nevojë për shërbimet e historisë? Kjo është njëra ndër pyetjet më të rëndësishme që lidhet me popullin dhe kulturën. E kuptoj se jeta ka nevojë për shërbimet e historisë, por teprica e historisë i bën dëm jetës. Ne kemi histori monumentale, antike dhe shumë kritike. Për të dytën flet teoria e pak arkeologjia. Koncepti i ekspozitës Çmimi Muslim Mulliqi “A janë Histori kujtimet tona?” i kuratorës Iara Boubnova mëton të ngrejë në diskutim historinë, kujtesën të cilat janë objekte studimi për historianët, antropologët, sociologët, filozofët, historianët e artit dhe letërsisë. Koncepti fuqizohet me atë se këto mund të jenë shënjestër të manipulimit politik. Ajo ngrit nivelin e konceptit se në këtë territor ballkanik kujtesa lëshon rrënjë dhe harresa lëshon pe atje. Sipas saj, abuzohet me kujtesën dhe harresën në Ballkan. Ajo mundohet ta lëvizë të kaluarën, por as e kaluara nuk është statike. “Nuk ekziston vetëm një Histori dhe ne po jetojmë në një entropi të Historisë, por a mund ta ruajmë energjinë që mblidhet në “historitë” individuale dhe të vetme?”, shkruan ajo.

ÇFARË HISTORIE SHPREHIN ARTISTËT?

Kujt i përket historia? Njeriut veprimtar dhe shumë të fortë. Ky njeri ka nevojë për mësues, ngushëllues e këta nuk mund t’i gjejë midis bashkëkohësve. Ndërsa, artistët e thjeshtë i gjejmë në mesin e bashkëkohësve. Historinë e shohim si udhëtar kureshtarë ose mikrologë pedantë të kacavjerrë nëpër piramida të epokave të së shkuarës. Jemi turistë të etur për t’u zbavitur me ngjarjet historike mes thesareve pikturash. Ajo që ka qenë e mundur njëherë, ajo mund të ndodh përsëri. Natyrat e artistëve gjithmonë janë spostuar, llafazanët politikë kanë krijuar përshtypjen se janë më të mençur dhe veprat e artistëve bien, bëhen monumentale. Artisti bashkëkohor i antikuar, në këtë ekspozitë bëhet vetë histori e mureve të qytetit, kullave, portave, vendimeve të kryesive, festave, përmendoreve komuniste, të gjitha këto mundohen të duken sikur ditari i rinisë së tyre, i zbukuruar me vizatime. Aty artistët zbulojnë veten, forcën e tyre, zellin, kënaqësinë, budallallëqet, tekat etj. Ata shqyen perden e mjegullt historike që po na ndanë nga një epokë. Përmes instalacioneve, vizatimeve, pikturave, fotografive, videove, ata shprehin zakonet, fatet personale. Ripunuan të shkuarën, por e shkuara i nënshtrohet shtrembërimeve sepse i shërbente jetës, i nënshtrohej pushtetit dhe instikteve jetësore. Çfarë histori shprehin artistët? Cilat janë kujtimet e tyre? Ne si njerëz dhe nxënës të moralshëm të Ballkanit jetojmë në tym, luftë, pluhur, ishim rob, tash në armiqësi.

Kujtimet personale të artistëve janë të pluhurosura, të infektuara nga virusi ballkanik. Arti këtu shërben si intervistë nga një popull i brishtë, i cili ende vuan nga kjo sindromë e kujtimeve. Juria e këtij edicioni të dymbëdhjetë të Çmimit “Muslim Mulliqi”, e përbërë nga Visar Mulliqi, profesor i pikturës në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, Dita StarovaQerimi, drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Maqedonisë, dhe Valentina Bonizzi, artiste vizuale, vendosi që çmimin e parë ta ndajë mes dy artistëve: Artan Hajrrullahu dhe Valdrin Thaçi.

VALLJA E FERMAVE “KANAGJEGJI”

Hajrrullahu u prezantua me vizatim, laps në pako, letër, karton, pikturë në vaj. Vepra e tij shpreh narracion dhe një tregim. Temë nga jeta dhe nostalgjia. Skena të përditshme kujtime nga fëmijëria dhe marrëdhënia e njerëzve me objektet shtëpiake tregojnë histori. Një djalosh loz me top në plazh, vështrimin e mban kah hija e jo kah topi. Në perspektivë ecën një person tjetër në drejtim të panjohur. Puna afër saj nuk shprehë asnjë lidhshmëri me rastin e këtij djaloshi. Aty shohim një vargan makinash që po shkojnë ta marrin nusen. Makina shumë të vjetra dhe një e tipit “roll royce”. Punimi afër lidhet, ngaqë aty është një moment i çiftit martesor. Pastaj afër, vallja e fermave “Kanagjegji”, vallëzim i huazuar nga turqit. Tjetra në klasë. Mësuesi qëndron në këmbë, afër një karrige e mbuluar me një çarçaf të bardhë, simbol i vdekjes dhe pritjes për të ngushëlluar. Ky kujtim, i cili bie në fushëpamje, është i denjë për t’u respektuar me një stil të vizatuarit naiv fëmijëror. Mirëpo, arti narrativ ka për qëllim të rrëfejë krejt ngjarjen në harmoni me imazhet dhe ndërlidhjet. Në formë kronologjike çdo gjë lidhet. Por, njeriu i sotëm duhet të zotërojë dhe të përdorë forcën për të thyer e për të shkatërruar të shkuarën në mënyrë që të ketë mundësinë për të jetuar më tutje. E, jo për ta riprodhuar siç e shohim në këtë punim. I mirë ky gjyq artistik-historik që e vendos të shkuarën pranë një hetimi të kujdesshëm, e në fund të jepet vendimi. Cili vendim? Te ne askush nuk dha vendim për këto punime. Artisti nuk e gjykon të shkuarën, vetëm e vizaton. Andaj, gjyqin e shoh se nuk e bën drejtësia dhe vendimin nuk e jep mëshira, por jeta si forcë e errët thithëse, sepse jeta personale e artistit është mu aty.

Valdrin Thaqi, dhomë, rikujtim i kujtimeve, bardhësi edhe në dysheme me një tepih, mure, duket sikur nuk peshon në tokë, sikur je në mes të borës dhe rrezes së diellit që t’i pickonë sytë, as nuk mund t’i mbyllësh as nuk mund t’i mbash hapur. Përshkohesh nga një ndjenjë optimiste nga brenda. Cila është përmbajtja këtu? E kemi formën, po. Ai kujtesën e sheh si shumë të brishtë, konstruksion, rikonstruksion. Futesh, transformohesh, kthehesh normal duke u ndryshuar. Shtrohet pyetja sa e ruaj në kujtesë unë këtë imazh? Ruaj vetëm bardhësi, mjegull, sfumato, asgjë. Qëllimi është të lirohesh nga kujtimet e brendshme dhe ky imazh kujtese nuk më ngjason me punimet e të tjerëve që duken sikur ai gjarpri që ka gëlltitur lepurin, shtrihet i qetë në diell duke evituar çdo lëvizje, përveç atyre më të nevojshmet. Ky kthim mbrapsht drejt natyrshmërisë, reflekton diçka pa ngjyrë dhe artisti vepron duke e gjykuar si të arsyeshme me një prirje më personale krahas artistëve të tjerë të cilët janë si të përgjithshëm.

Eliza Hoxha, artiste dhe ligjëruese në Fakultetin e Arkitekturës, në këtë edicion u prezantua me instalacion “Plisi informativ”. Përmbajtja e këtij punimi është kujtimet e viteve ’90, peizazhi i qytetit i pushtuar nga satelitët të varur nëpër ballkonet e shtëpive. Ky punim është i vendosur afër Bibliotekës Kombëtare, në një hapësirë të mirë dhe ka formën e plisit si simbol i kombit. Ky instalacion këtu i përmbledhur në formën e një kupole apo më mirë të themi një kapele ashtu si është PLISI për shqiptarët. Në kohën kur nuk kishin qasje te kupolat e Bibliotekës si kupola të iluminimit, kohë kjo kur një tjetër kupolë religjioze u vendos me forcë nga regjimi i atëhershëm – kjo kupolë satelitësh si “PLIS INFORMATIV” do t’u kundërvihet si një pasqyrë e thyer se çfarë ishin të ’90-tat dhe çfarë kanë prodhuar ato në kuptimin hapësinor dhe shoqëror. Sateliti si një element gjenerik-global bëri të mundur mirëmbajtjen dhe ushqeu identitetin kombëtar – e PLISI është elementi për tu shenjuar dhe njohur. Sateliti u bë koka jonë, streha apo edhe pjata ushqyese për të gjithë ne. Ky imazh i groposur është më shumë kujtim se sa histori.

Adea Pula, instilacion, makinë e qepjes dhe luhatëse. Vepër nga kujtimet personale, por edhe të përgjithësuara. Luftën nga armiku i njëjtë Bosnja dhe Kosova. Instalacioni është nga kujtimi i gjyshes së saj, e cila u ofendua nga regjimi i atëhershëm dhe krijonte art përmes qepjes. Qepte gjëra moderne në vendet evropiane. Është një kujtim i rrëfyer nga dikush tjetër për historinë e gjyshes së saj. Është si temë e njohur, formë e mençur, por jo histori personale, e përjetuar nga artistja. Dhe, më shumë ndjejmë praninë në histori kur ato janë ndodhi personale, sepse kanë mendime të thella dhe fuqi bukurie. Unë mendoj, se këtu duhet aftësi të mëdha artistike.
Art Haxhijakupi, Segmentet e Recollection. Aty shohim vitet e ’90-ta dhe ky artist rikrijon kujtimet e tij të fëmijërisë. Vëmendja përqendrohet te regjimi serb mes publikes dhe privates. Temë e përgjithësuar, dokumentare, një zhytje e njohur objektive që është fazë e zakonshme kjo. Driton Selmani, video dy kanalesh, kjo vepër është sajuese e mendjes dhe kujtesës. Është një vështrim artistik që reflekton nga brenda.

Alban Muja, forca 2018, ngjarje nga vite e ’90-ta. Diktatura në Shqipëri dhe shqiptarët në ish-Jugosllavi. Punim i një mendje të hapur, por edhe të ngushtë. Jetullah Sylejmani, Soceksprsionizmi, instalacion. Aty shprehet socrealizmi i cili kishte konturuar artin brenda kornizave. Artin e përdorte si propagandë dhe e shtrembëronte. Histori e dëgjuar, por historiani-artist i kujtimeve duhet të ketë aftësinë që ta farkëtojë prapë një që njihet botërisht në diçka të padëgjuar.

Vigan Nimani, pikturë. Pikturat e tij rrëfejnë për socializmin. Jetë socialiste e cila kujtohet nga fëmijëria e artistit. Aty kemi një kujtim të riprodhuar nga fotografitë.

Remijon Pronja, instalacion, fustane, yndyre, plastikë. Qese të trasha të plastikës të mbushura me gjëra për mbijetesë, të cilat u përdorën nga emigrantët që iknin nga Shqipëria në vitet e 70-ta dhe 80-ta. Vizatimet paraqesin bregdetin prej nga të arratisurit iknin. Sa janë të provuara këto nga artisti sepse historitë më të thella janë kur përjetohen, andaj edhe arti e kërkon personalen. Ato ngjarje që nuk përjetohen, artistët nuk janë në gjendje t’i shpjegojnë përmes veprave ngjarjet e mëdha.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme