Përkujtohen dëshmorët Kiçina e Halilaj, në 19-vjetorin e rënies

Prishtinë | 30 Maj 2018 | 18:10 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Një Kosovë e begatshme, e sigurt dhe me perspektivë ekonomike, është nderimi më i madh për dëshmorët e lirisë. Kështu u tha sot në akademinë përkujtimore për dëshmorët Rasim Kiçina dhe Ragib Halilaj, në 19-vjetorin e rënies.

Gjatë fjalës së tij, kryeparlamentari Kadri Veseli tha se Rasim Kiçina e Ragip Halilaj, ishin kudo ku e kërkonte nevoja e luftës çlirimtare, nga beteja në betejë, në vendbanime e zona të ndryshme.

“Në rrugëtimin e tyre për lirinë, në fund të majit ’99, ata ranë dëshmorë të saj. Ne kurrë nuk do ta harrojmë heroizmin e tyre në shërbim të atdheut. Ata janë pjesë e krenarisë sonë kombëtare. Kështu do të mbetet përgjithmonë, sepse përgjithmonë do të jetojë liria dhe shteti i Kosovës”, tha Veseli.

Kreu i Kuvendit tha se institucionet e Kosovës sot kanë për obligim të vazhdojnë amanetin e tyre, për ta ruajtur lirinë, për ta zhvilluar shtetin dhe për ta bërë Kosovën atdhe dinjitoz për të gjithë qytetarët e saj. “Një Kosovë e begatshme, e sigurt dhe me perspektivë ekonomike, është nderimi më i madh për dëshmorët e lirisë”.

“Kjo është rruga nëpër të cilën duhet ecim bashkërisht. Nuk ka rrugë tjetër. Këtë e presin sot qytetarët nga ne. I përjetshëm do të jetë kujtimi për Rasim Kiçinën, Ragip Halilaj e të gjithë dëshmorët e kombit”, tha kryetari i Kuvendit.​

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nën patronazhin e të cilit u mbajt kjo akademi, tha se zona e Drenicës kishte qenë epiqendra e lirisë dhe që asnjëherë nuk duhet harruar dëshmorët e vendit dhe sakrifica që kemi pasur që të mos na u përsëritet më dhimbja.

“Është me rëndësi tradita dhe nderimi i luftëtarëve të lirisë dhe tani janë bërë 20 vite, nuk është kjo freskia e dhimbjes sepse ka kaluar një kohë, por mos të na vijë kjo dhimbje ose mos të humbim rezultatin e kësaj sakrifice duhet të nderohen dëshmorët”, tha Haradinaj.

“Sot ne po bëjmë një punë shumë të mirë dhe afatgjatë duke nderuar dy luftëtarë sepse e meritojnë. Për Rasim Kiçinën kam dëgjuar në Dukagjin për emrin e tij dhe se kush është dhe jam i bindur që Ragipi nuk është rastësi që ka qenë krah Rasimit dhe jam i bindur që këta që nga dita e parë kanë qenë luftëtarë të vendosur dhe që kanë pasur këtë fat të flijohen”, tha Haradinaj.

“Ne sot në kohën e lirisë sonë jemi të vetëdijshëm për rrugën tonë dhe që borxhi ndaj familjeve të dëshmorëve është i përjetshëm dhe duhet ta kurorëzojmë rrugëtimin tonë me liri dhe sovranitet të plotë në shtetin e Kosovës”, shtoi Haradinaj.

Në fund të fjalimit të tij, Haradinaj, familjarëve të dëshmorëve Rasim Kiçina dhe Ragip Halilajt u dhuroi flamuj kombëtarë në shenjë falënderimi për flijimin e tyre ndaj atdheut.

E kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se sot në këtë përvjetor po nderohet emri, jeta dhe vepra e dy heronjve të Kosovës, Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj.

“Kosova në shekullin e shkuar kishte kaluar në epopenë e lavdishme të UÇK-së nëpër betejat, ofensivat dhe sprovat e shumta të vitit ‘98-99 duke thyer mitin e ushtrisë së policisë serbe duke i konfirmuar patundshmërinë e shpirtit liridashës të Kosovës”, shtoi Lladrovci.

Të ngjashme