Përkujtohet Ukshin Hoti në 80-vjetorin e lindjes – Kurti e quan “figura më emblematike e të pagjeturve”

Prishtinë | 17 Qer 2023 | 18:15 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti, në ceremoninë e shënimit të 80-vjetorit të lindjes së veprimtarit Ukshin Hoti, ka thënë se ai është figura më emblematike e të pagjeturve të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Në kuadër të aktiviteteve që janë organizuar sot në shënim të 80- vjetorit të lindjes së Prof. Ukshin Hotit, Zyra e Kryeministrit, nën përkujdesjen e kryeministrit Albin Kurti, u mbajt ceremoni në 80-vjetorin e lindjes së Prof.Ukshin Hotit.

Pasi ka falënderuar të pranishmit që i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për këtë mbrëmje, kryeministri Kurti tha se kujtojmë e përkujtojmë figurën e bacës Ukë, një veprimtari, intelektuali, politikani, ish-të burgosuri politik, i cili me angazhimet e tij, mendimet e tij, jetën dhe veprën e tij, është unik dhe i papërsëritshëm.

Para të pranishmëve, kryeministri tha se 24 vjet pas përfundimit të luftës, ne e kemi ende të freskët 16 majin e vitit 1999, kur ai u lirua nga burgu, për të mos u gjetur më, ndërsa profesor Hotin e ka cilësuar njeri i librave dhe njeri i burgut, por edhe njeri i jetës e i lirisë.

16 maji i vitit 1999, ishte po ashtu dita kur i burgosuri politik Enver Dugolli, që tani është deputet i Kuvendit të Republikës, e kishte parë për herë të fundit profesor Hotin. Ai tha se kjo, njëkohësisht është edhe dita të cilën ne e përkujtojmë sa herë që shkojmë në Dubravë për ta kujtuar masakrën e Dubravës, ku u vranë e masakruan të burgosurit duarlidhur nga gardianët dhe nga të burgosurit e tjerë serb.

“Gjithashtu me këtë rast kujtojmë në përgjithësi 1617 të zhdukur, të cilët janë rrëmbyer me dhunë dhe për fatin e të cilëve nuk dimë as sot e kësaj dite. Ne ishim gjithsej 5000 peng lufte në qershorin e vitit 1999, rreth 2000 prej nesh në burgje zyrtare, 3000 të pagjetur, ndërkaq më shumë se gjysma e tyre janë të tillë, pra të pagjetur edhe sot e kësaj dite”, tha kryeministri Kurti.

Me këtë rast, kryeministri ka përmendur dakordimin që është arritur në Bruksel me palën serbe, për çështjen e të pagjeturve, e ku është pikërisht djali i Ukshin Hotit, Andini, ai që i ka dërguar letër presidentit të Serbisë, ku kërkon hapjen e arkivave për të mësuar të vërtetën.

“Na duhet e vërteta, na duhet përgjegjësia, na duhet drejtësia”, tha kryeministri, duke shtuar se në këtë letër, Andin Hoti kërkon të hapet në veçanti arkiva e Brigadës së motorizuar 37, e cila është përgjegjëse për shumë masakra në Kosovë, për fatin e shumë të zhdukurve, e në veçanti në rajonin e Drenicës.

Mbrëmje e sotme, tha kryeministri, është mbrëmje në të cilën ne kujtojmë veprën dhe jetën e bacës Ukë, i cili ka vetëm ditëlindje, por në të njëjtën kohë edhe bëjmë thirrje, aktivizim e mobilizim qytetarë e gjithëkombëtar, në mënyrë që kësaj plage që kullon në kombin tonë, pra ajo e të gjithë të pagjeturve, ku figura me emblematike është Ukshin Hoti, t’i vije fundi dhe familjarët të mos e kenë këtë gjendje në të cilën ankthi ua dominon edhe pikëllimin, kurse zemërimi ua dominon vajtimin.

Të pranishëm në këtë ceremoni, ishin edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, akademik profesor Rexhep Qosja, familjarë të profesor Ukshin Hotit, si dhe personalitete të tjera të jetës publike.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuari akademik, profesor Rexhep Qosja,
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës, Glauk Konjufca,

Të nderuar ministra të Qeverisë e deputetë të Kuvendit,

E nderuara familje e profesor Ukshin Hotit, bacës Ukë,

Të dashur Andin dhe Brisilda,

Zonja e zotërinj,

Ish të burgosur politikë, veteranë e invalidë të luftës së UÇK-së, familje të dëshmorëve,

Motra e vëllezër,

Unë ju falënderoj që iu jeni përgjigjur pozitivisht ftesës për këtë mbrëmje, në të cilën ne kujtojmë e përkujtojmë figurën e bacës Ukë, një veprimtari, intelektuali, politikani, ish-të burgosuri politik, i cili me angazhimet e tij, mendimet e tij, jetën dhe veprën e tij, është unik dhe i papërsëritshëm.

Mirëpo, baca Ukë, profesor Ukshin Hoti ka vetëm ditëlindje, 17 qershorin e vitit 1943, kur lindi, por pa një datë vdekje.

Ky takim i sontëm, mëngjesi i kësaj dite kur vendosëm lule të freskëta dhe bëmë nderim te busti i tij në vendlindjen e tij te Shtëpia Muze në Krushë të Madhe dhe pa numër tubime të këtilla e referenca te baca Ukë, thua se e vërtetojnë që Ukshin Hoti mund të ketë vetëm datëlindje, por jo edhe ditë të vdekjes. E nuk ka ditë të vdekjes, sepse njeriu 80 vjeç mund të gjallë, por nuk ka ditë të vdekjes edhe për shkak se është i pagjetur.

24 vjet pas përfundimit të luftës, ne e kemi ende të freskët 16 majin e vitit 1999, kur ai u lirua nga burgu, për të mos u gjetur më.

Ishte burgu i tij i tretë dhe kishte jo më pak burgje, që i kishte ndërruar sa universitet, në të cilat kishte studiuar.

Njeri i librave dhe njeri i burgut, por edhe njeri i jetës e i lirisë.

Xhirimi, që porsa e pamë bashkë, kur ai bën thirrje për krijimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, është nga viti 1991. Ishte vit, kur ishte e qartë se shpërbërja e dhunshme e ish-Jugosllavisë ishte e pashmangshme, ndërkaq në Kosovë ishte vit i referendumit për pavarësi.

Profesor Ukshin Hoti e ka bërë lidhjen organike midis republikës dhe demokracisë dhe Evropës për shqiptarët, ndërkaq, në anën tjetër, ai po ashtu me librat e tij ka kombinuar në teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare Hans Morgenthau, me filozofin gjerman, Hegel.

Siç thotë studiuesi Gent Carrabregu, vepra e Ukshin Hotit është një variacion hegelian, është një idealizëm realist, i cili u hyn në punë fort shqiptarëve, por edhe që të gjithë të tjerëve.

Profesor Ukshin Hoti ka thënë që bashkimi i shqiptarëve është guri provues edhe i Evropës së bashkuar, ndërkaq në anën tjetër, ai ka bërë edhe teoritizimin e praktikave liridashëse, çlirimtare, të shqiptarëve, por në anën tjetër edhe praktikën e teorive më bashkëkohore të cilët i njohin edhe marrëdhëniet ndërkombëtare e shkencat politike, por edhe filozofia.

16 maji i vitit 1999 është dita e fundit kur i burgosuri politik Enver Dugolli, i cili është deputet i Kuvendit të Republikës, e ka parë për herë të fundit, por njëkohësisht është edhe dita të cilën ne e përkujtojmë sa herë që shkojmë në Dubravë për ta kujtuar masakrën e Dubravës, ku u vranë e masakruan të burgosurit duarlidhur nga gardianët dhe nga të burgosurit e tjerë serb.

Gjithashtu me këtë rast kujtojmë në përgjithësi 1617 të zhdukur, të cilët janë rrëmbyer me dhunë dhe për fatin e të cilëve nuk dimë as sot e kësaj dite. Ne ishim gjithsej 5000 peng lufte në qershorin e vitit 1999, rreth 2000 prej nesh në burgje zyrtare, 3000 të pagjetur, ndërkaq më shumë se gjysma e tyre janë të tillë, pra të pagjetur edhe sot e kësaj dite. Dhe nga një dakordim që kemi bërë në Bruksel me palën tjetër për çështjen e të pagjeturve, duke u bazuar në të, djali i Ukshin Hotit i cili është gjithashtu këtu me neve, Andini, i ka dërguar letër presidentit të Serbisë, ku kërkon hapjen e arkivave për të mësuar të vërtetën. Na duhet e vërteta, na duhet përgjegjësia, na duhet drejtësia. Dhe në këtë letër, Andin Hoti thotë të hapet në veçanti arkiva e Brigadës së motorizuar 37, e cila është përgjegjëse për shumë masakra në Kosovë, për fatin e shumë të zhdukurve, e në veçanti në rajonin e Drenicës.

Kjo mbrëmje e sotme është mbrëmje në të cilën në kujtojmë veprën dhe jetën e bacës Ukë, i cili ka vetëm ditëlindje, por në të njëjtën kohë edhe bëjmë thirrje, aktivizim e mobilizim qytetarë e gjithëkombëtar, në mënyrë që kësaj plage që kullon në kombin tonë, pra ajo e të gjithë të pagjeturve, ku figura me emblematike është Ukshin Hoti, t’i vije fundi dhe familjarët të mos e kenë këtë gjendje në të cilën ankthi ua dominon edhe pikëllimin, kurse zemërimi ua dominon vajtimin.

Lavdi veprës e jetës së Ukshin Hotit. Në çfarëdo gjendje që ndodhet trupi i tij, shpirti i tij do të jetë përherë me ne.

Faleminderit!

Të ngjashme