Përkundër kritikave të Opozitës, emërohen anëtarët e Komisionit për Jurisprudencë

Prishtinë | 17 Qer 2021 | 13:53 | Nga Kastriot Kokollari

Kuvendi me 70 vota për dhe 1 votë kundër ka emëruar anëtarët e Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, përkundër kërkesave të opozitës që të tërhiqet ky propozim, raporton Ekonomia Online.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës i ka propozuar anëtarët për Komisionin për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, përbërja e së cilës është: Albert Zogaj, Drita Rexhaj Valbona Dishaj Haxhosaj, Afrim Shala, Zenel Leku, Edijesa Zahiri, Halide Reka, Bajram Miftari, Hajriz Hoti dhe Nenad Lazic, raporton Ekonomia Online.

 Haxhiu ka thënë se nuk mund të propozojë anëtarë që e kanë shkatërruar sistemin e drejtësisë.

“Komisionit të kaluar i kanë shkuar emra se kush duhet ta kalojë provimin. Këta të rinjtë nuk kanë me pranu lista. Jam përkujdesur që anëtarët e përzgjedhur të kenë integritet profesional e moral”, ka thënë ai.

Por, lidhur me këtë ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa.

Ai tha kryesuesi i këtij komisioni, Albert Zogaj, ka konflikt interesi sepse i mban edhe disa pozita të tjera dhe kjo ia pamundëson mbajtjen e kësaj pozite.

 “Për informimin tuaj z. Zogaj, përveç ushtrimit të detyrës në Gjykatën Supreme mban një numër të madh të pozitave në sektorin gjyqësor, në sferën akademike dhe shoqërisë civile.

Po i numëroj disa: Gjykatës në Gjykatën Supreme, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, është anëtar rezerv në Komisionin e Përhershëm për administrimin e gjykatave, anëtar i komisioni vlerësues për kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren, anëtar i grupit punues për hartimin e raportit faktmbledhës për funksionimin e administratës gjyqësore.

Ai po ashtu është ligjërues në Kolegjin AAB dhe trajner në Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Beqa kërkoi nga e para e Drejtësisë që ky propozim të tërhiqet.

Deputeti Driton Selmanaj se për të njëjtin nuk ka pasur vlerësime të Agjencisë Kundër Korrupsion.

 “Po trajtojmë një temë të rëndësishme, është e rëndësishme që të kemi këtë komision. Në fillim po them se edhe pse jam anëtar i komisionit për legjislacion, nuk kam pa që në komision kanë ardhe vlerësimet e AKK-së, unë si kam pasur në dispozicion. Kam një kërkesë nga kryetari i komisionit të flasë drejtë sepse duhet të tregohet kush e ka votuar e jo. Dikush nga pushteti po thotë se ky heqë dorë, ne nuk e kemi pas si deklaratë. Ajo çka kemi pas është se ky person mbanë 8 funksione shtetërore”.

Deputeti Besnik Tahiri, ka thënë se si Grup Parlamentar e konsiderojnë të rëndësishme të konstituohet komisioni për provimin e jurisprudencës.

 “Në aspektin profesional nuk do të kyçemi por që kandidati i parë Albert Zogaj e kishte një përvojë pune të ngjeshur, por që duhet të shohim nëse a e ka të drejtën legjitime të ushtrojë këtë punë. Ne mendojmë që duke qenë se e ka një rendësi të veçantë që të kemi njerëz me integritet, Ministrja do të duhet të krijonte një listë të re e të trajtohet nga komisioni për legjislacion”, ka thënë ai.

Të ngjashme