Përleshja në Athinë, 10 policë të plagosur dhe 16 persona të arrestuar

Prishtinë | 10 Mar 2021 | 16:20 | Nga Ekonomia Online

Dhjetë policë të plagosur dhe 16 arrestime, është bilanci i përplasjeve të një nate më parë në Athinë, gjatë një demonstrate kundër dhunës së policisë. Tre oficerë policie janë shtruar në spital.

Njëri prej tyre pësoi dëmtime të rënda në kokë, por nuk është në rrezik për jetën, tha një zëdhënës i policisë.

Sipas pamjeve televizive, protestuesit e rrëzuan oficerin nga motori para se ta godisnin.

Përleshjet nisën gjatë një demonstrate të pesë mijë njerëzve në një periferi të kryeqytetit.

Zemërimi i protestuesve erdhi pas publikimit të një videoje të dielën e kaluar në të cilën një agjent shihet duke rrahur një djalë të ri me një shkop gjatë kontrolleve anti-Covid.

Agjenti është pezulluar, në pritje të hetimit.

Pas përplasjeve të djeshme, gjashtëmbëdhjetë persona u arrestuan dhe do të gjykohen sot. Policia ka raportuar krime të tilla si “tentativë vrasjeje”, “lëndime të rënda”, “dhunë”, “prishje e rendit dhe paqes së përbashkët” si edhe “zjarrvënie”.

Sot mijëra studentë kanë protestuar në Athinë kundër një ligji që themeloi një polici universitare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme