Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” ka nisur mbledhjen e borxheve nga konsumatorët borxhlinj përmes përmbaruesve privatë. Procedimi i lëndëve tashme ka filluar, i tha Radio Kosovës zëdhënësja Arjeta Mjeku. Sipas saj, borxhi total ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit është mbi 40 milionë euro.
Ajo shtoi se kanë përgatitur një numër të madh të lëndëve ndaj konsumatorëve borxhlinj, që tashmë kanë nisur të procedohen dhe presin që brenda një kohe të shkurtër të zgjidhen.
“Lëndë të shumta janë përgatitur nga menaxhmeti dhe zyra ligjore e Kompanisë Rajonale “Prishtina” që t’u dërgohen përmbaruesve privatë. Procesi ka filluar, jemi në fillim dhe janë dërguar mjaft lëndë, jemi në përgatitje dhe procedim edhe të shumë lëndëve të tjera.”
Mjeku tutje thotë se janë të vendosur që çdo borxh që kanë ndaj kësaj kompanie qytetarët dhe institucionet, t’i kthejnë përmes përmbaruesve privatë.
“Pikërisht, për këtë arsye janë përmbaruesit privatë. Çdo borxh që qytetari i ka apo edhe institucioni kompanisë rajonale Prishtina, konform të gjitha rregulloreve për shërbime minimale nga autoriteti rregullativ i ujit, andaj edhe i kemi dërguar këto lëndë”.
Përmbaruesit janë në terren për konsumatorët borxhlinj në zonën e shërbimit, Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Podujevë, Obiliq, Shtime, Drenas dhe Graçanicë, thotë Mjeku. Sipas saj, borxhi total ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit është mbi 40 milionë euro, ndërsa nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike kanë përfituar mbi 52 mijë konsumatorë, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk u janë përmbajtur marrëveshjeve kontraktuale.