Për librin “Poezia dhe vdekja” të Milazim Krasniqit botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni”.
Për këtë libër të ndjeshëm e të dhembshëm të Milazim Krasniqit kam shkruar në gusht të vitit 2016 atëkohë kur, për herë të parë, u botua nga Logos-A në Shkup. Po ky libër i publicistit, i dramaturgut, i poetit, i prozatorit, i sociologut të letërsisë e i profesorit universitar të gazetarisë e po të letërsisë, po sa sot, më pati prekur emocionalisht shumë në botimin e parë. Kështu që kisha plan, kurdo që të ma jepte të drejtën e botimit, ta ribotoja me shtëpinë time botuese dhe t’i bëja edhe disa plotësime në të. Dhe, e drejta për ribotim të tij nga Milazim Krasniqi më jepet pa e mbushur një vit jetë Poezia dhe vdekja, të cilin, në botimin e tashëm, e plotësoj me këtë tekst në vend të parathënies, me titull të përafërt tematikisht me përmbledhjen me poezi me temë të luftës në Bosnjë Hercegovinë të poetit boshnjak Izet Sarajliq (Sarajevske ratne zbirke=Përmbledhja sarajevase e luftës), edhe me poezinë Arratisja e Sabri Bobajt të Krasniqit të dramatizuar nga regjisori dhe aktori Ismet Ramadani e të shfaqur një herë në një teatër në Shkup, një herë tjetër në Teatrin Dodona në Prishtinë në vitin 2017.
Poezitë e librit Poezia dhe vdekja, të ciklit të parë, i titulluar Liria nuk ua mban mend emrat, i kam lexuar disa herë. Sa herë që i kam lexuar po aq herë kam përjetuar dhimbjen e të gjallëve dhe të vdekurve, “bashkëbisedimin” mes tyre dhe me poetin. Më kanë folur të gjallët për ta, por më kanë “folur” edhe të vdekurit për veten dhe për kriminelët. Pra, Poezia dhe vdekja, veçan poezitë e ciklit të parë, na e kujtojnë dhe freskojnë luftën e fundit në Kosovë, të cilën kemi nisur ta harrojmë për shkak se nuk po na e kujtojnë as ata që e kanë përjetuar, as ata që kanë pësuar dhe janë ndëshkuar me çmime të mëdha: me humbje të jetëve të njerëzve. Për dallim nga ata që heshtin për luftën dhe që preferojnë ta ruajnë në kujtesë, Krasniqi në këtë libër luftën në jep në disa pamje e me disa zëra, të burrave e të grave, të fëmijëve e të të rinjve, e me disa persona të moshave të ndryshme, të cilat poezi duhet, kurdoherë, të bëhen këngë, edhe të bëhen mbi bazën e tyre skenarë për filma të metrazhit të shkurtër e të gjatë, edhe të dramatizohen e të bëhen shfaqje teatrore.
Po me këtë libër e me këto poezi Krasniqi na i kujton të këqijat që kanë ndodhur e mund të ndodhin në luftë: keqtrajtimet, vrasjet, masakrimet, përdhunimet, përzënien e aborigjenëve e zënie vend, nëpërmjet pushtimit, ardhacakëve pushtues, të cilët bëjnë gërdinë me plumba të kalibrave të ndryshëm, me çekanë të madhësive të ndryshme, me thika e hanxharë e me shkelma e me grushte mbi çdokënd dhe mbi gjithfarë, edhe mbi fëmijë ushtra.
Ky është një libër poetik fenomenal dhe fenomen në letërsinë tonë, në poezinë tonë, në të cilin, në ciklin e parë të tij përkujtohen të vrarët dhe të mbeturit gjallë nga kasapët e ciklit të dytë. Të mirët dhe të këqijtë, viktimat dhe vrasësit, autori i ka ndarë duke e ndarë librin në këta dy cikle, Liria nuk ua mban mend emrat dhe Kalorësit e krimit, kurse duke parë afrinë e tyre në titullin e librit, Poezia dhe vdekja. Në të parën fjalë të titullit të librit janë dëshmorët/dëshmoret, heronjtë/heroinat, viktimat e krimit të panatyrshëm, kurse në të dytën fjalë të tij janë vrasësit e kriminelët që sjellin dhe mbjellin vdekje kudo ku u shkel këmba e ua pret mendja se duhet të bëjnë keq. Së këndejmi, këta “engjëj” e këta “djaj” i bënë bashkë dhe i vë përballë lidhëza dhe, kurse dëshmitë e tyre jepen brenda poezive. Autori identifikohet me viktimat shqiptarë, viktimat e luftës në Kosovë, sepse flet në emër të tyre, bëhet zë i tyre, kurse për “kalorësit e krimit” shkruan në vetën e tretë, kryesisht me ironi dhe urrejtje. Në këtë përballje poetike e historike jepet një përmbyllje: fitojnë të parët, humbin të dytët; nderohen të parët, mallkohen të dytët; dëshmohen krimet nga gojë e mendje të ndryshme, kujtohen kriminelët më të mëdhenj të Ballkanit dhe të Evropës.
Ky informacion i përgjithshëm për këtë libër, për këta persona, për këtë luftë të përbrendshme dhe të jashtme, duhet të arsyetohet më hollësisht, qoftë duke e lexuar, paralelisht me pozitë, edhe tekstin kritik të Krasniqit të dhënë Në vend të pasthënies në fund të faqeve të librit.
Poezitë e Milazim Krasniqit flasin më shumë se 1 000 fotografi dhe më shumë se 10 filma që kanë për temë luftën në Kosovë sepse, edhe pse janë me vokacion nga koha e luftës, ka në to motive të ndryshme që s’mund të përmblidhen e të punohen krejt bashkë në një, dy ose tre filma. Poezitë e këtij libri nisin me shënime për personat e poezive, për ndodhitë e tyre, për fjalët e rralla e të reja shqipe, të cilat jepen në fund të faqes, me yllth në krye të tyre dhe poshtë tyre*.
Secila poezi e ciklit të parë ka biografi dhe histori. Biografi dhe histori në vargje. Histori për luftën në Kosovë dhe për krimet e serbëve të bëra mbi popullatën e saj. Secila prej tyre është histori jashtëzakonisht tragjike, e paraqitur me data të sakta dhe me persona të vërtetë, që rrojnë dhe që janë vrarë. Për shembull, në poezinë e parë të këtij libri, Arratisja e Sabri Popajt, e cila është më e gjata nga të tjerat, autori, në rolin e Sabri Popajt, na rrëfen poetikisht në 37 strofa katërshe. Na rrëfen për tmerrin që ka përjetuar Popaj, kurse me shënimin dhënë në fund të faqes na bën me dije se: Sabri Popajt nga fshati Bellacërkë (Fortesë) e Rahovecit, forcat serbe, më 25 mars 1999, ia kanë ekzekutuar para syve të dy djemtë e mitur. Në atë masakër atij ia kanë vrarë edhe vëllanë, Nazmiun, dy djemtë e vëllait dhe shumë kushërinj e fqinj, burra, pleq, gra e fëmijë. Ai tregon se tërë atë tragjedi e ka vrojtuar nga një kanal, rreth dyqind metra larg nga aty, ku ishte fshehur që të shpëtonte. Ai tregon se si në netët në vijim, fillimisht krejtësisht i vetmuar, më vonë i ndihmuar nga dy bashkëfshatarë, i ka varrosur natën djemtë e vet, të vëllanë dhe nipat, si dhe të gjitha kufomat e tjera të asaj masakre. Ai tregon se si tërë natën hapte varre e i varroste kufomat, duke hyrë nëpër shtëpitë e mbetura pa banorë e duke marrë atje batanije, që t’i mbështillte të vdekurit me to, meqë nuk kishte qefin. Po ashtu, mblidhte shishe dhe në to fuste emrat e të varrosurve, që të ruhej identiteti i tyre. Sabri Popaj ka dëshmuar për këtë masakër në Tribunalin e Hagës kundër Sllobodan Millosheviqit. Sabri Popaj është blegtor dhe e ka një kope dhensh, me të cilat e kalon kohën në malet e Sharrit.
Këtë rrëfim të Sabri Popajt, të cilin poeti Milazim Krasniqi s’e ka dëgjuar në ndonjë odë, por në malet e Sharrit të cilat i viziton shpesh, e bën poezi dhe autori, në rolin e Popajt, nis të shprehet kështu:
Në mal kam dal fillikat, me dhenë
I shoh si kullosin në hesap të vet
Më mirë kuvendoj këtu me një qen
Sesa me njerëz të tromaksur në fshat e qytet
Vargjet e kësaj katrene, si të asnjë tjetre të përdorur në këtë libër, s’kanë rrokje të rregullta, por kanë ritëm të rregullt dhe tingëllima (epifora), sikurse në këtë rast, siç i kanë edhe këto figura të tjera, po ashtu tingullore (të intonacionit dhe të përsëritjes), si: anaforën, simplokën, palilogjinë, refrenin, polisindetin, asindetin etj., të cilat realizohen qoftë me rastin e përdorimit të rimave të kryqëzuara, qoftë të atyre të alternuara e të puthura. Dmth., Milazim Krasniqi përdor strofë të vjetër, edhe varg të vjetër e të paorganizuar por, ato që i shpreh, i shpreh bukur, siç vazhdon t’i shprehë edhe sot, në moshën 80-vjeçare, ndjenjat e tyre në poezi Kadareja, deri një vit më parë edhe Agolli.
Krasniqi, i futur nën lëkurën e Sabri Popajt, me mjaft emocione, derisa përdor krahasime jashtëzakonisht të gjetura e të bukura, nis ta shpalosë një tragjedi mjaft të dhembshme që mban brenda shpirtit. Kuptojmë se ai kohë më parë është përzënë nga atdheu i vet, por është kthyer sërish dhe është lidhur edhe më shumë për vendin e shqiponjave që përditë i rrinë mbi kokë, të cilat, teksa i sheh të fluturojnë, i duket se vallëzojnë. Pra, pas çlirimit të Kosovës, me sakrifica të shumta, ka ardhur që pjesën tjetër të jetës së mbetur ta jetojë majë malesh, majë kodrash, përkrah dhenve, qenve, se kështu e ndien veten të qetë pas përjetimit të rëndë familjar në kohë të luftës, vrasjes së dy djemve të vet, të dy djemve të vëllait, të vëllait dhe të kushërinjve nga paramilitarët serbë para syve të tij.
Ai ka qëndrim negativ ndaj atyre njerëzve që ikin nga vendlindja pavarësisht prej të ndodhurave. Ai është shembull unik i cili nuk dëshiron të mbetet i tillë, por ta ndjekin në këtë rrugë edhe të tjerët, të cilët mund të kenë përjetuar tmerre më të rënda se ai. Ai e ka bindur veten se shërimin shpirtëror e ka gjetur në kodrën që rrinë se, po të zbriste në qytet, pas pak kohësh, do ta shihnim të shkalluar nga mendja, ose duke bërë përpjekje për qetësim të nervave e të mendjes në Klinikën e Psikiatrisë në Prishtinë ose në Spitalin e të Sëmurëve Mendorë në Shtime. Megjithatë, edhe kështu si është, krejtësisht i qetë, atij i duhet një shërbim psikiatrik. I duhet sepse herë-herë ka halucinacione. I shfaqen, midis bjeshkëve, bijtë dhe i thonë: Më duket se më afrohen e më thonë:/ Baba, ne erdhëm të të shohim edhe një herë/ Pasi atë ditë të lamë në komë/ Të rënë përmbys në atë përrua të zënë. Pastaj, meqë ky para syve të tyre bie i vdekur nga goditja e paramilitarëve, e njoftojnë se si u vranë: Nuk arritëm të ta jepnim lamtumirën, baba/ Se plumbat na goditën po si vetëtima/ Dita u ngrys e shpejt ra nata, hata/ Një natë që bebëzat na i mbushi harrim.
Halucinacionet e Popajt, për dialog me të bijtë, i ndërpresin blegërimat e deleve dhe cicërimat e shqiponjave. Kur i dëgjon këto kthehet në realitet dhe sheh se është pa ta, se është në majë të kodrës, kurse ata mendon se sapo janë nisur për te Perëndia: Ata kthehen sërish sipër reve, në qiej/ Atje ku nuk arrin shikimi e as mendja ime/ Por, nuk e di si ua ndjek fluturimin, si i ndjej pranë/ Si të ishin të futur nën gunën time. Ky komunikim mes tyre, mendon Popaj, mund të mos realizohet në qytet: Prandaj ma do shpirti në këtë bjeshkë të rri/ Në furtunë, në cikmë, në shi e në borë/ T’i pres djemtë që vijnë e kthehen përsëri/ Duke ma mbushur zbrazëtirën në kraharor.
Sabri Popaj ka edhe një arsye tjetër që nuk zbret në qytet. Nuk do që aty ku ata e udhëheqin vendin, e përdorin shtetin për interesa të vetat, duke u bërë më të pasur çdo ditë e më të pandjeshëm e pa respekt po çdo ditë. Ai nuk dëshiron të rrijë mes atyre njerëzve që e kanë harruar luftën. Nuk pëlqen të shoqërohet me njerëz që kanë qenë në luftë e nuk e kujtojnë luftën, viktimat, bashkëluftëtarët as edhe një ditë dhe nuk bëjnë gjë për ta e familjet e tyre. Ai rrinë aty, në majë të kodrës, që ta shohë qytetin teksa zbardhet dhe qeveritarët teksa shtyhen: Ju vazhdojeni luftën që nuk e bëtë/ Unë po ju shikoj me neveri nga kjo majë/ Lirinë e gjakut të djemve të mi si e zhbëtë/ Po ku do ta fshihni kokën pas zhbërjes së saj? Ai e di se njëfarë lufte në qytet po bëhet pas luftës së vërtetë në tërë Kosovën. Megjithatë, pavarësisht prej alternativave që mund t’i kenë, e zgjedhin një metodë amorale, duke shkelur edhe mbi gjakun e viktimave. Dhe, kur sheh se ç’bëhet në qytet, si Zeusi që jehonte nga majë e Olimpit, Popaj nga majë e maleve të Sharrit, teksa kujton Antigonën e Sofokliut, lëshon një zë jo të fuqishëm, por fort të ndjeshëm: Ajo (është fjala për Antigonën që varros të vëllanë, plotësim imi) kishte varrosur veç një vëlla të lënë në shesh/ E jo si unë që varrosa gjashtëdhjetë/ Ajo e kishte një kufomë, vëllanë, e kishte lehtë/ Ndërsa unë nga t’ia filloja më parë/ Nga im vëlla Nazmiu a nga bijtë e mi të shtrenjtë/ A nga kufoma fëmijësh të tjerë të shtrira në bar. Derisa i varros të gjashtëdhjetit, me lutjen fetare myslimane drejtuar Zotit për amshim, ai shpreh dyshim në është duke parë ëndërr apo duke jetuar në zhgjëndërr; se si është e mundur të durojë kaq gjatë pa luajtur mendsh mes gjakut të kufomave e copave të gjymtyrëve të tyre.
Në katrenat e fundit të kësaj poezie edhe më tmerrshëm përjetojmë dhembjen e tij, veprimet e tij dhe forcën e tij. Shohim, të vetëm, Sabri Popajn teksa mbledh batanije e shishe të plastikës nëpër shtëpitë e boshatisura, që me të parat t’i mbështjellë trupat e tyre në vend të qefinëve, kurse në shishet e zbrazura të plastikës ta fusë nga një letër me emrat e tyre kur t’i lëshojë në varr e që, në rast të rivarrimit, t’i identifikojë lehtë trupat e deformuar. Ai aty, së bashku me të gjashtëdhjetët, varros edhe “veten”. Varros edhe ndjenjat e veta të deformuara. Ai nuk është më Sabri Popaj. Është një i vdekur mes të gjallëve. Ai është dëshmia më e ndjeshme e krimeve të përjetuara më ç’njerëzore. Ai është një njeri i bërë gur: Jam bërë gur nga dhembja dhe jam shkrumbuar/ Nga dhembja që nuk e përshkroi as Sofokliu/ Jam blegtor me gunë, me shkop në duar/ I rilindur, i përtëritur, unë jam vetë Sabriu. Mos ia shihni për të madhe për asgjë, edhe pse është normale kur thotë se është vetë Sabriu. Po, ai është Sabriu, por Sabriu i transformuar në qenie malësori, që dhembja i është bërë mal Sharri, bjeshkë Sharri, gur Sharri; që edhe gjaku i është bërë i fortë si guri. Ai është arratisur nga liria jonë sepse këtë liri, kështu si e kemi, ende ka mend ta thotë se e kanë ndotur me krim e me pisllëqe të pafundme.
Po kaq të ndjeshme, që të shtrijnë përtokë nga dhembja, janë edhe gjashtëmbëdhjetë poezitë e tjera të ciklit të parë: Lutja e fundit e Hysni Zhuniqit, Pagjumësia e Nekibe Kelmendit, Pritja e Ukshin Hotit, Udhëtimi i Vjollca Berishës, Pyetja e Agim Hajrizit, Vargu i Latif Berishës, Koka e Banush Kamberit, Sytë e Zoje Prendit, Gacat e Enver Malokut, Detyra e fundit e Ahmet Mumxhiut, Dëshira e fundit e Bajramit, Plisi i Sadik Sherifit, Habia e pacientit N. N., Fati i një vajze, Fontana e Shabi Kajollit, Kthimi i Fehmi Aganit.
Poezia dhe vdekja, përpos natyrës së brendshme fetare, ka edhe atë të jashtme, të cilën e shfaq edhe duke përmendur Zotin në poezi, edhe duke përmendur ilahitë për Zotin e për obligimet e njerëzve ndaj tij. Krasniqi, duke qenë besimtar islam, që u nënshtrohet urdhrave të Zotit të shpallura në Kur’an, për viktimat i kërkon mëshirë të Madhit e shpërblim me parajsë, kurse për kriminelët kërkon ndëshkim dhe dërgim në ferr. Madje, duke njohur mirë fenë islame e besimin se Zoti nuk harron, se ndëshkon herët a vonë, sepse Ai sheh çdo gjë, është i bindur se edhe viktimat do t’i ndajë nga kriminelët, në parajsë e në ferr, sikurse i ka ndarë vetë autori në këtë libër personat që i përmend, duke i vënë viktimat në ciklin e parë, Liria nuk ua mban mend emrat, në fjalën poezi, kurse kriminelët në ciklin e dytë, Kalorësit e krimit, në fjalën vdekja. Ndër të tjera, duke qenë këto dy fjalë, poezia dhe vdekja, pranë njëra-tjetrës dhe duke u lidhur me njëra-tjetrën kaq ngushtë me lidhëzën dhe, gjejmë aty njëfarë përballje mes njerëzores dhe jonjerëzores, fizikes e metafizikes, të mirës e të keqes. Poezinë, e cila në këtë rast ka konotacion të vazhdimit të jetës, e pëlqen gjithkush, ndërkaq vdekjes, edhe pse bëhet përpjekje, s’mund t’i ikë askush, pavarësisht prej natyrës, fuqisë e dredhisë së saj.
Poezia e dytë, e ciklit të parë, titullohet Lutja e fundit e Hysni Zhuniqit*. Me këtë simbol në fund të mbiemrit të personit, autori sqaron se: Zhuniqi është bujk nga fshati Bellacërkë (Fortesë) e Rahovecit, edhe këngëtar i njohur i asaj ane. I ekzekutuar nga forcat policore serbe më 25 mars 1999 në fshatin e tij, në një kanal ujitjeje, ku ishin fshehur bashkë me miqtë e vet, Irfan e Sedat Popajn, dhe hoxhën e fshatit: të katërtit të ekzekutuar nga afërsia dhe të lënë të pavarrosur për disa ditë. Siç dhe deklarohet që në titull, na jepet kumti i lutjes së fundit të Zhuniqit, i kësaj lutjeje: Zot, merrna në mëshirën tënde të pakufi/ Pranona në amshim si martirë/ Ndërsa Kosovën tonë brymoje me liri/ Që varret të paktën t’i kemi në një tokë të lirë. Njeriu është në tokë, kurse mendon se diku është Zoti që e pret. Nëse është në qiell, ai e ka këtë besimtar islam në tokë, i cili së pari i lutet për vete e për të vrarët përreth vetes që t’i shpallë martirë e të cilët, nëse i shpall të tillë, natyrisht se duhet t’u bëjë vend në parajsë, më pas i lutet për Kosovën dhe për lirinë e saj.
Zhuniqi, në moshë të shtyrë, e ka paramenduar jetën ndryshe. Por, jo siç ia ka prerë mendja, ia ka prerë fatin ai që i beson – Zoti. Ai donte një pleqëri të lidhur prej shtëpisë e prej familjes, me përplot nipa e mbesa, duke u rrëfyer atyre përralla e parë rritën e tyre, jo një pleqëri të sikletshme, gjithmonë në hall për anëtarët e familjes, për vete e për popullatën e Kosovës në janë gjallë, në kanë kaluar në Shqipëri. Vetë ikën. Ikën nëpër Kosovë. Futet edhe aty ku nuk i shkon mendja njeriut se mund të jetë fshehur e që thonë, hyn në bir të miut. Edhe në këtë birucë shkon vdekja (policët serbë) dhe e merr. I merr edhe tre shokët e tij: Au, na hetuan, na gjetën, ja po na afrohen/ Po shtënë në ajër, afrohen triumfues/ Ndalen para nesh, serbisht na drejtohen/ ‘Ustajte’ na thonë dhe tytat na i drejtojnë. Fatkeqësisht, i vrasin.
Sikurse poezia e mësipërme dhe sikurse kjo, Pagjumësia e Nekibe Kelmendit*, e çdonjëra tjetër në këtë libër, ka këtë simbol në fund të fjalës së fundit të titullit. Nekibe Kelmendi, avokatja dhe aktivistja për të drejtat e njeriut, derisa ndërroi jetë, gjashtë vjet më parë, vazhdimisht kërkoi drejtësi për krimet serbe të kryera në Kosovë. Kërkoi drejtësi e ndëshkim të kriminelëve për vrasjen e burrit të saj, avokatit të mirënjohur Bajram Kelmendi dhe të dy djemve të tyre, Kastriotit e Kushtrimit, të cilët forcat serbe, më 24 mars 1999, i kishin nxjerrë nga shtëpia para syve të Nekibes e i kishin ekzekutuar në dalje të Prishtinës. Meqë asaj për kohë të gjatë, as deri tash, pesë vjet pas vdekjes së saj, nuk i erdh në ndihmë drejtësia institucionale, kapitullin e jetës së vet e mbyll duke marrë në dorë Kur’an-in, nga i cili kërkon qetësim të mendjes, forcim të moralit njerëzor (se ka edhe më keq) e hyjnor (besimin në jetën e përtejshme), përpjekje me më të dashurit e të mirët në botën e përtejme e ndarje të tyre nga të këqijtë e kriminelët: Tërë natën rri mbi këtë libër të shenjtë/ Lexoj shkronjë mbas shkronje, fjalë për fjalë/ Balli më është rënduar, sytë më janë ënjtë/ Lotët pa pushim derdhin mërzinë valë-valë. Shohim në këtë poezi se Nekibja, edhe pse është gjallë, ka vdekur për së gjalli. Realisht, i kanë vdekur njerëzit më të dashur: burri dhe dy djemtë dhe i ka vdekur qenia e vet: Duart më janë mpirë e nuk i ndiej/ A janë pjesë e imja a veç më janë ngjitur/ Prapë më ndihmojnë faqet e librit t’i kthej/ Më lëvizin nga një Forcë e përndritur. Ajo do të donte të vdiste e para dhe para tyre: Vdekjes do t’i them: pse mua të parën nuk më more?! Dhe cilado grua e cilido burrë, në rast të tillë, të vdekjeve të panatyrshme e të kësollojshme, do ta bënte këtë lutje të panatyrshme.
Ukshin Hoti, thotë Krasniqi në poezinë Pritja e Ukshin Hotit*, ende pret ta ketë një varr. Pret edhe familja e tij, që sa vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, të dijë më shumë rreth fatit të tij. Është familja ajo e cila, që nga lufta dhe përfundimi i saj e deri më tash, ka dëgjuar rrëfime të llojllojshme për të, se jo është parë këtu, se jo është parë atje, jo tëhu. Ndërkaq, poeti, në rolin e Ukshinit, flet dhe i hesht ata zëra të pasigurt: Po pres këtu në askohë për një varr/ I keqkuptuar si një sentencë latine/ Ju bëni sikur e gëzoni lirinë, o shqiptarë/ Por liri s’keni pa ndjesën time.
Derisa Hoti pret, siç e prisnin të tjerët Godonë, Vjollca Berisha nis udhëtimin për Beograd: Nuk e di ku jam, a është ky udhëtim/ Gozhduar në këtë arkivol fluturues/ Apo mos është ky një aterrim/ Drejt thellësive të ferrit shkrumbues? Vjollca, siç bën me dije autori në shënimin në fund të faqes, është një qytetare nga Suhareka, e mbijetuar e masakrës së Suharekës në marsin e vitit 1999, në të cilën u vranë pesëdhjetë civilë shqiptarë, shumica prej tyre gra e fëmijë. Bashkë me të birin, Gramozin, dhe kunatën, Shyhreten, kërcyen nga kamioni me të cilin paramilitarët serbë po i bartnin kufomat e asaj masakre drejt Serbisë, vend në të cilin autoritetet serbe i patën fshehur kufomat e tyre. Këta të gjallë përjetojnë një “film triler”, pasi udhëtojnë, në një kamion, së bashku me të vdekurit, me gjithë këta të vrarë e të masakruar, të njohur të tyre. Dhe meqë jeta është e ëmbël dhe jetë mes të vdekurish nuk ka, për të ikur nga groteskja, Vjollca merr djalin e mbuluar me gjak dhe kërcen nga kamioni që ta jetojë jetën në tokë. Dalja e saj nga “ferri” përjetohet kësisoj: Makina e ferrit ecën pa ne/ Ne ecim këmbë pa ditur për ku/ Do të jetojmë ne dëshmia e tmerrit/ Më pak për veten, më shumë për ju. Është Vjollca Berisha ajo që ka dëshmuar, për shumë medie të huaja e vendore, tmerrin që ka përjetuar që prej fillimit të vrasjes së tyre, ngarkimit të kufomave në kamion e bartjes për në Serbi. Ajo është filmuar edhe në një intervistë të gjatë, në formë të dokumentarit televiziv, realizuar edhe në një film artistik, nga regjisori Orhan Kërkezi, me titull Tre hapat e shpëtimit, në të cilin, përpos Vjollcës, rrëfen edhe i biri i saj, Gramozi.
Me Pyetjen e Agim Hajrizit*, Milazim Krasniqi së pari na bënë me dije atë që, pothuajse, botërisht dihet: se serbët nuk zgjedhin çfarë shqiptari të vrasin. Prandaj, ata e vrasin, pos Agim Hajrizin, edhe djalin e tij shtatëvjeçar po para syve të tij: Pesë para s’do t’i jepja për asgjë/ Veç djalin të mos ma ndëshkonin/ S’do të nxirrja as fjalë as zë/ Edhe kur të më copëtonin.
Poezia Vargu i Latif Berishës* na sjell nëpër mend poezinë Korbi të Edgar Allan Posë. Ndërkaq, vargjet e poezisë së parë: Trokitje të forta bien në portë/ Po dëgjohen e nuk po prajnë, Po zbres shkallëve të shoh poshtë/ Kështu të egra të kujt janë na paraqesin para ambientin e brendshëm në poezinë e Posë, trokitjen e korbit në derë e mysafirin dhe mysafirët e padëshirueshëm. Natyrisht, edhe shqetësimin e tyre, të poetit (Posë) dhe të Berishës. Për dallim nga korbi i Posë që vjen e i sjell një lajm të kobshëm, “korbat” e Berishës vijnë të nxjerrin sy: Hapa derën, pyes kush jeni/ Dëgjoj therjen, më errësohet/ Oh, në djall të vëni/ Shoh qiellin si më afrohet. Vrasja e tij, e poetit Latif Berisha, e profesorit universitar dhe aktivistit politik, ndodh para pragut të shtëpisë nga terroristët serbë, në natën e 24 marsit të vitit 1999, në natën e parë të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe.
Një pamje e cila s’bën të shihet e as të lexohet nga personat nën moshën 18 vjeç, nga të ndjeshmit e ata që shumë shpejt i vizatojnë pamjet e krimit nëpër mendje, parakalohet në poezinë Koka e Banush Kamberit*. Ja si nis poezia: Më këputën nga trupi me sharrë/ Dhe më futën në një torbë/ Trupin e tërhoqën oborrit zvarrë/ Dhe e lanë mbi borë. Këso skene trishtuese mund të shohim vetëm në filma horrorë, në të cilët ata që vriten e masakrohen e bëhen copë-copë, me mjete të ndryshme, sërish ngriten, flasin e veprojnë, edhe shprehin dyshim: Nuk di kështu ku po më hupin/ Në Kragujevc a në Beograd/ Një kokë që nuk e ka trupin/ S’kanë pse e zhdukin kaq larg. Fshatarit të Reçakut, Banush Kamberit, pas vrasjes, forcat policore serbe ia kanë prerë kokën, të cilën e kanë marrë me vete për në Beograd, kurse trupin ia kanë lënë në Reçak. Pa dashur ta kujtoj e ta krahasoj, kësi fati e kësi rasti, të kokës në një vend tjetër e të trupit në një vend tjetër, kishte edhe Ali Pashë Tepelena. Dhe, për t’ia mundësuar Banushit bashkimin e kokës e të trupit, Krasniqi kujton rastet e tilla në legjenda si, ta zëmë, legjendën e Millosh Obiliqit, i cili thuhet se, me kokë të prerë e duke e mbajtur në duar, kishte udhëtuar deri në fshatin Bajmoc. Por, siç shkëputet realja nga arealiteti, shkëputen edhe rrëfimet për Banushin dhe për Milloshin. Banushi thotë se te ne këso legjende nuk ka: Por, s’fluturon një kokë e prerë/ As nuk ecën pa kokë një njeri/ Ndodh kështu vetëm në legjendat serbe / Që sa herë rishfaqen na therin e vrasin përsëri.
Një tragjedi njerëzore dhe e panjerëzishme, e cila gjatë kohës së luftës ka ndodhur edhe në regjione të tjera të Kosovës, së cilës mund t’i bëjë ballë njerëzisht vetëm një shqiptare, e dëgjojmë edhe në fshatin Korenicë të Gjakovës. Sytë e Zoje Prendit* na shfaqin terrorin serb bërë në familjen e zonjës së shtëpisë dhe ndër shqiptarë. Na shfaqin e mbushin me lot kujtimet e saj për të pesë bijtë e saj të vrarë nga forcat serbe, të cilët i kishte rritur e bërë burra: Të pesë djemtë e mi sokola/ Që nderonin shtëpinë e pragun/ M’i mori nga gjiri e nga vatra mortja/ E ma shoi me një frymë oxhakun.
Gacat e Enver Malokut* është poezia tjetër e këtij libri, po ashtu përkushtuese, në të cilën Krasniqi na përshkruan, në poshtëshënim (*) karakterin e profesionin e Enver Malokut, të gazetarit, të intelektualit dhe të politikanit të njohur shqiptar nga Prishtina, i cili njihej si gazetari më i guximshëm në vitet e okupimit të Kosovës (1990-1999), i cili u vra para banesës së vet, në sytë e familjarëve, më 11 janar 1999. Kurse në vargje, me zërin e Malokut, poeti jep dëshminë: E pashë atë hije si m’u afrua/ Disi tinëz, më shumë nga prapa,/ Më shikoi çuditshëm e u hutua/ Pastaj bëri edhe dy-tre hapa. Dy-tre hapa drejt tij. Dy-tre hapa e dy-tri krisma në të për ta paguar me jetë profesionin e gazetarit. Për ta paguar me jetë të vërtetën publike: Ndërsa mua po, më arriti paqja/ Meqë u dhashë kuptim fjalëve të mia/ Fjalëve që digjnin si të ishin gaca/ Por pa të cilat nuk do të ngjizej liria.
Detyra e fundit e Ahmet Mumxhiut* s’është e fundit për poetin. Për ata që s’e kanë njohur e dëgjuar kurrë për të, në fund të faqes jepet ky shënim i shkurtër për të: Profesor universitar, matematikan i njohur. Pasi u dëbua nga shtëpia e vet, nga Prishtina, vdiq në kampin e Bllacës. Mumxhiu, gjatë takimit me poetin në kampet e Bllacës, në të cilin vend i kishte plakur ditët e netët edhe vetë Krasniqi, i tregon atij për ditën e shpërnguljes nga Prishtina dhe i rrëfen hollësisht se çfarë bënte në ato çaste kur i hynë forcat serbe në zyrë: Kur na hyn brenda ashtu të tërbuar/ Isha duke kontrolluar një provim/ Detyra po që ishte pak e ngatërruar/ Kërkonte pak më shumë përqendrim. Atë për çdo ditë e lëshon trupi dhe për çdo ditë vdes nga pak, por s’i dalin nga mendja kujtimet, as të mirat, as të këqijat.
Dëshira e fundit e Bajramit* është klithmë e nënës për të birin trembëdhjetëvjeçar dhe e të birit për nënën që ndahet nga ajo kur merret nga forcat serbe që të vritet. Përshkrimi i ngjarjeve në këtë poezi ta rrëqethë trupin. Fëmija ka qenë duke luajtur me lodra në shtëpi kur është shkëputur dhunshëm nga paramilitarët serbë nga trupi i së ëmës. Ai klith njerëzishëm: Nënë, mbama dorën, nënë/ Dorën mos, nënë, ma lësho! Nënë, pse me ty s’më lënë/ Të lutem, nënë, më mbro! Ka kush të vajtojë e të rrëfejë tash për të, por s’kishte kush ta ndihmonte aty kur i duhej mbrojtja. Dhe, nëna e tij, Xhevë Meta nga fshati Nivokaz, ka rrëfyer se si djali i saj 13-vjeçar, Bajrami, i kërkonte të mos ia lëshonte dorën derisa forcat policore serbe e ndanë nga e ëma dhe e ekzekutuan, bashkë me 377 meshkuj të tjerë, në fshatin Meje.
Raste të Sadik Sherifit ka plot nëpër Kosovë por, kështu si është thënë te Plisi i Sadik Sherifit*, nuk është thënë gjëkund, kaq ndjeshëm, kaq bukur. Po kaq trishtues sa në vargje, është edhe shënimi për të poshtë poezisë: Fshatar nga Broja e Drenicës. Në masakrën e Izbicës, ku forcat militare serbe torturuan dhe masakruan 147 burra shqiptarë, civilë të paarmatosur, Sadiku mbeti i plagosur. Sipas dëshmitarëve, ai ka mbetur aty dyzet e tetë orë dhe ka vdekur nga hemorragjia e madhe. Dy të mbijetuar ia kishin lidhur plagën me dy toja të çorapëve dhe ishin larguar…
Aty ku s’do të duhej të kishte ndarje kombëtare, aty ku do të duhej të ishte parim betimi i Hipokratit për punë të ndershme, aty ku do të duhej të mos kishte kurrfarë diskriminimi e të trajtoheshin të gjithë njerëzit e botës njësoj, pikërisht aty ndodh krimi. Habia e pacientit N. N.* s’e habit asnjë shqiptar që s’e kanë bërë edhe këtë torturë e keqtrajtim serbët edhe ndaj pacientëve të shtrirë nëpër spitale për vdekje, në të cilët kërkohet shërim dhe shpëtim: Në spital jam i shtrirë/ I tëri veshur me fasha e gjips/ Ka këtu që më quajnë egërsirë/ Dhe që më shajnë serbisht. Figura e hiperbolës në këtë poezi është qendrore, pasi plagët e tij krahasohen me ato të Gjergj Elez Alisë.
Fati i një vajze s’është vetëm i saj. Ajo çfarë thotë, nëpërmjet Milazim Krasniqit, e bija e Valdet Kastratit nga Peja, duket se ka prejardhje dhe përbërje nga historia e Faraonit, i cili, sipas Shpalljeve të Shenjta, i vriste të gjithë meshkujt që lindnin në familjet hebraike. Këso ngjarje, të mbytjes së foshnjave të sapolindura meshkuj, tregohen edhe në mitologjinë greke dhe romake, kur zotat grekë i gëlltitnin foshnjat meshkuj e i linin gjallë ato femra pasi frikoheshin se ata do t’i rrëzonin nga froni. E bija e Valdetit, e cila në luftën e fundit në Kosovë ishte vetëm shtatëmuajshe, kishte shpëtuar nga masakrimi vetëm pasi terroristët serbë kishin vërtetuar, pas zhveshjes së saj, se ajo është femër. Të gjithë meshkujt e familjes së saj, të atin me vëllezërit, edhe ata që gjendeshin mysafirë aty, i kishin masakruar. Ajo, 17 vjet pas luftës, ka kuptuar të vërtetën rreth vrasjes së babait dhe mbijetesës së vet duke dëgjuar rrëfime nga nëna dhe nga hallat: Tashmë jam rritur sa ta kuptoj/ Secilën fjalë e secilin tregim/E di pse më kanë lënë të jetoj/ Dhe ç’ndodh ka me babanë tim.
Fontana e Shabi Kajollit është një poezi tjetër përkushtuese. Përpos kësaj poezie shkruar në shenjë të kujtimit të tij, të rënies dëshmor në Koshare, te Rrasa e Zogut, në luftë, ballë për ballë me forcat terroriste serbe, atij në Shkup, para Xhamisë së Çarshisë, i është ngritur një fontanë, në të cilën është përjetësuar emri i tij. Krasniqi e ngjallë edhe këtë dëshmor dhe në vetën e parë, si në akëcilin poezi tjetër të ciklit të parë, tregon për luftimin dhe rënien e tij heroike.
Kthimi i Fehmi Aganit është poezia e fundit e ciklit të parë. “Rrëfen” në të Fehmi Agani, profesori universitar, intelektuali i shquar dhe politikani shqiptar i Kosovës, për nisjen, kthimin dhe ndaljen e trenit në Fushë-Kosovë, për britmat e shumta e të ndryshme në tren, të grave e të fëmijëve, që s’pushojnë kurrë teksa u kalon vdekja para syve dhe i merr, edhe për vdekjen e vet që e pret me krenari për lirinë e Kosovës. Me këtë poezi përfundon përmbledhja kosovare e luftës e me të tjerat pas saj nis gjykimi për shkaktarët e saj.
Ndërkaq nëntë poezitë e ciklit të dytë, i titulluar Kalorësit e krimit, nuk e kanë ndjeshmërinë, figuracionin dhe ligjërimin sikurse e kanë të parat. Arsyeja është kjo: Krasniqi qëllimshëm, me përbuzje dhe me ligjërim të shkujdesur, me ironi dhe me parodi, u qaset figurave historike, politike dhe kriminale: Nikollaj Romanovit II, Kral Nikollës, Petarit II, Elefteros, kontit Ciano, gjeneralit grek Zervas, Titos, Rankoviqit e Millosheviqit. Këta, cili më pak e cili më shumë, njëmend ishin disa prej “kalorësve të krimit” në Ballkan dhe në Evropë, të krimeve të shumta, të rënda e të tmerrshme që njohin historitë e vendeve botërore bërë mbi njerëz, bërë mbi çfarëdo lloj njerëzish (edhe mbi ata me të meta fizike e psikike), mbi kafshë, specie e sende, ndaj të cilëve kurrë gjykimi nuk do të jetë më i mirë sesa që e ka dhënë Krasniqi për ta edhe poetikisht, edhe historikisht.
Për Milazim Krasniqin
Jeta e tij e deritashme mund të rrëfehet e të përmblidhet vetëm në ndonjë libër (auto)biografik, ndërkaq veprimtaria e tij e shumanshme mund dhe do të studiohet e të përfshihet vetëm në libra monografikë. Arsyeja është kjo: Milazim Krasniqi (1955-) ka shkruar dhe botuar shumë për shumëçka dhe ka shkruar dhe folur hapur dhe me vend kudo ku është paraqitur. Pra, ai e ka bërë punën e tillë që veprat e tij vazhdimisht të studiohen nga: filozofët, sociologët, politikanët, gazetarët, humanistët, studiuesit e letërsisë, edhe nga dramaturgët, regjisorët e skenaristët. Vargjet e tij, gjykimet e tij për letërsinë, për dramën, për politikën, për gazetarinë, për fenë, për identitetin kombëtar, edhe për shumëçka tjetër, do të jetojnë mes librave, mes bibliotekave, mes mendjeve tona, në vegëza të internetit, edhe do të përsëriten nga brezat e ardhshëm, për rriten e të cilëve Krasniqi ka kujdes të madh.