Përmbyllet me sukses programi “Job Placement Counselling”, certifikohen 33 këshilltarë të punës

Prishtinë | 21 Kor 2026 | 11:37 | Nga Ekonomia Online

Në Universitetin e Prishtinës është mbajtur ceremonia përmbyllëse e programit “Job Placement Counselling”, ku 33 zyrtarë të punësimit u pajisën me certifikata pas përfundimit me sukses të trajnimit, raporton Ekonomia Online.

Përfaqësues të institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë theksuan rëndësinë e fuqizimit të këshilltarëve të punës për përmirësimin e shërbimeve të punësimit dhe përballimin e sfidave të tregut modern të punës.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha se ky program ka pasur në qendër zhvillimin e komperencave të këshilltarëve të punës, duke theksuar se roli i tyre po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.

“Programi “Job Placement Counselling” ka pasur në qendër zhvillimin e kompetencave të këshilltarëve të punës, aftësinë për të orientuar individët, për të kuptuar nevojat e tyre, për t’i informuar mbi të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre, për t’i mbështetur në vendimmarrje e për t’i ndihmuar të ndërtojnë rrugë të qarta drejt tregut të punës. Në një kohë kur tregu i punës po ndryshon me shpejtësi, kur kërkohen aftësi të reja, përshtatje e vazhdueshme dhe mësim gjatë gjithë jetës, roli i këshilltarit të punës bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Këshilltari nuk është vetëm ndërmjetës mes punëkërkuesit dhe punëdhënësit, ai është udhërrëfyes, mbështetës dhe promovues i mundësive të barabarta”, tha ai.

Ndërsa, ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, tha se investimi te qytetarët ndihmon këta te fundit të gjejnë punë, ndërtimin e të ardhmes dhe zhvillimin ekonomik të vendit, ndërsa theksoi se punësimi është ndër prioritetet kryesore të kësaj ministrie.

“Investimi te njerëzit siç e dini ndihmon qytetarët të gjejnë një vend pune, të ndërtojnë një të ardhme më të sigurt për vete dhe familjet e tyre, por është edhe një investim për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës. 33 zyrtarët e punësimit kanë përfunduar me sukses programin “Job Placement Counseling”, i cili ju pajis me njohuri të reja, metoda moderne të këshillimit dhe aftësi profesionale që do t’i zbatoni në punën tuaj të përditshme. Punësimi është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë sonë, Ministrisë së Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare”, tha ai.

Ndërkaq, Mario Eckardt, udhëheqës i projektit: Aftësim për punësim, nga Organizata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), tha se sot në Kosovë është më e rëndësishme se kurrë më parë ndihma për punësim në tregun e punës.

“Kjo është më shumë se një çertifikim i pjesëmarrësve për këtë trajnim. Sot në Kosovë dhe kudo tjetër është më e rëndësishme se kurrë më parë që njerëzve t’u ndihmohet që të gjejnë vendin e tyre në tregun e punës. Ju tani si këshilltarë, ju jeni edhe trajnerë, jeni edhe mentorë dhe i kuptoni të gjitha barrierat me të cilat njerëzit përballen në përpjekje për ta gjetur vendin e tyre në tregun e punës. Dhe politikat dhe proceset moderne të tregut të punës po ashtu kanë nevojë për këshilltarë modernë të tregut të punës, dhe mua më vjen mirë që ju tani e keni përfunduar këtë trajnim duke i përmirësuar dhe avancuar shkathtësitë e juaja dhe njohuritë e juaja”, tha ai.

Me anë të kësaj ceremonie, Universiteti i Prishtinës synon të shënojë përmbylljen e suksesshme të programit, të vlerësojë kontributin e partnerëve institucionalë dhe ndërkombëtarë, si dhe të nderojë pjesëmarrësit që kanë përfunduar me sukses programin.

Të ngjashme