Është konfirmuar viktima e parë e krizës së imigrantëve në kufirin mes Greqisë dhe Turqisë. Një fëmijë vdiq pasi barka me të cilin po lundronin imigrantët u përmbyt në ujërat greke, afër ishullit Lesbos.
Autoritetet greke thanë se një fëmijë 5-vjeçar vdiq në orët e hershme të së hënës, kur një barkë me njerëz që ishin nisur nga Turqia u përmbyt afër ishullit grek. “Mjekët shkuan shpejt në vendin e ngjarjes për ta shpëtuar fëmijë, por ishte shumë vonë”, tha një burim policor.
Vdekja tragjike ndodhi pasi qeveria greke konfirmoi se forcat kufitare i kanë ndaluar rreth 9 mijë e 900 persona që po përpiqeshin ta kalonin kufirin në mënyrë ilegale. Së paku një mijë persona kanë arritur t’i shmangen rojës detare dhe kanë arritur në ishujt grekë të Egjeut.
Është raportuar se një numër i madh i refugjatëve po dërgohet në kufirin grek nga autoritetet turke përmes autobusëve dhe automjeteve ushtarake, shkruan “The Guardian”.
Kjo krizë i shënon tensionet më të larta mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë që nga viti 2016, kur palët kishin arritur marrëveshje për pengimin e valëve të imigrantëve, që po i synojnë vendet e BE-së.