Në Mitrovicën e Veriut, serbët sot kanë vendosur shtatoren e princit të tyre, Car Llazari.
Lidhur me këtë, reaguan ashpër partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën, duke e cilësuar këtë veprim si propagandë shoviniste dhe nxitje e urrejtjes ndaj qytetarëve të Kosovës.
Përderisa opozita reagoi ashpër, kreu i ekzekutivit kosovarë Isa Mustafa zgjodhi të hesht.
Por këshilltari për media i kryeministrit, Faton Abdullahu në një prononcim për lajmi.net, thotë se Qeveria e Kosovës mendon se përmendoret e të vdekurve shekuj më parë “nuk mund t’i kthejnë të gjallët në Kosovë, aq më pak nëse ato përmendore kthehen në gogol nacionalist”.
Abdullahu thotë se Qeveria është e përkushtuar në respektimin e kulturës dhe trashëgimisë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë por gjithmonë duke respektuar ligjet e vendit.
“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në respektimin e kulturës dhe trashëgimisë të të gjitha komuniteteve të Kosovës, por gjithmonë duke u bazuar në ligjet tona, Kushtetutën dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar Kosova”.
“Ne si Qeveri nuk jemi që mendësia e dëshmuar si e dëmshme të ndikoj, aq më pak të dirigjoj të tashmen dhe të ardhmen e qytetarëve të Kosovës dhe në përgjithësi në vlerat demokratike dhe multietnike të cilat po i ndërtojmë”, thotë tutje Abdullahu.
Këshilltari për media i Isa Mustafës, thotë se Qeveria është e përkushtuar në hapjen e vendeve të reja të punës dhe të ndërtohet një Kosovë me mundësi të reja për të gjithë.
“Përmendoret e të vdekurve para shumë shekujsh, nuk mund t’i kthejnë të gjallët në Kosovë, aq më pak nëse ato përmendore të kthehen në gogol nacionalist. Ne duam të ndërtojmë fabrika të hapim vende të reja pune dhe të ndërtojmë një Kosovë me mundësi të reja për të gjithë pa dallime dhe gjithandej pa diskriminime”, thotë Abdullahu.