Përpjekje masive për të ndihmuar të mbijetuarit e zjarreve në Los Anxhelos

Prishtinë | 14 Jan 2025 | 18:01 | Nga Ekonomia Online

Në qytetin Los Anxhelos vazhdojnë përpjekjet e ndihmave masive për dhjetëra mijëra banorë që kanë humbur shtëpitë e tyre ose janë evakuuar nga zjarret që kanë shkatërruar këtë zonë që nga java e kaluar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Genia Dulot, njofton nga selia e konventave në Pasadena, e cila është shndërruar në një strehë për të evakuuarit.

Banorja e qytezës Altadena, Danielle Williams thotë se humbi gjithçka nga zjarri, përveç rrobave që kishte në trup dhe macet e saj. Apartamenti i motrës së saj është shkrumbuar. Por nuk dihet nëse shtëpia e të atit të saj ende qëndron.

“Oborri pas shtëpisë është përpirë nga zjarri. Ende po luftojnë me flakët. Organet e rendit janë kudo. Fatkeqësisht, në lagjen e tij po ndodhin plaçkitje në masë. Ky është një shqetësim tjetër”, thotë zonja Williams për Zërin e Amerikës.

Të gjithë njerëzit në radhë kanë humbur shtëpitë e tyre. Ata po presin për një ndihmë të vogël me para në dorë nga fondacioni jofitimprurës “California Fire”.

19-vjeçari Hank Donovan thotë se i gjithë blloku i shtëpive ku ai jetonte është djegur.

“Jam rritur aty që nga mosha shtatë vjeçare me bashkëmoshatarët e lagjes. Të gjithë kemi pothuajse të njëjtën moshë dhe e konsiderojmë njëri-tjetrin si pjesëtar të familjes. Lagja ku jemi rritur është shkrumbuar. Shkolla e mesme dhe kolegji nuk na largoi nga njëri-tjetri, duket që zjarri është i vetmi që mundi ta shpërbëjë bllokun”.

Zjarrfikësit ndihmuan Josh Erdman-in dhe Armen Sark-in të gjenin unazat e martesës pasi shtëpia e tyre u dogj.

“Ata çanë murin e shtëpisë dhe krijuan një hapësirë për të ndihmuar në gjetjen e unazave. Rrëmuam nëpër hi dhe rrënoja dhe pas rreth 40 minutash gjetëm dy unazat tona origjinale”.

Agjencitë qeveritare, bizneset private dhe organizatat jofitimprurëse po punojnë për të ndihmuar të evakuuarit, me veshje apo për të gjetur dokumentet bazë që u duhen.

Një qendër për strehimin e kafshëve në Pasadena po kujdeset për më shumë se 350 kafshë shtëpiake, pronarët e të cilave nuk mund t’i merrnin me vete në qendrat e evakuimit, thotë Kevin McManus, zëdhënës i organizatës jofitimprurëse “Pasadena Humane”.

“Ata nuk pranuan të shkonin në qendrat e evakuimit pa siguruar një strehë për kafshët e tyre. Ndaj ne hapëm dyert për ta, dhe u thamë se do të kujdesemi për to. Ata nuk duhet të shqetësohen për kafshët në këtë kohë jashtëzakonisht të vështirë”.

Ritchie Ramos, banor i lagjes Los Feliz, dhuroi ushqime dhe sende të tjera për kujdesjen e kafshëve.

“Më bën të ndihem mirë kur ndihmoj, kur shikon përreth gjithë këta njerëz të mirë dhe bujarë. Duhet të dhurojmë, të mbështesim dhe frymëzojmë njëri-tjetrin sa të mundemi”.

Mbështetja ka qenë aq e madhe për strehimoret dhe stacionet e zjarrfikësve sa autoritetet po u kërkojnë njerëzve të mos sjellin më ushqime apo sende që prishen, por të bëjnë donacione monetare. /VOA

Të ngjashme