Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku është përplasur sot në Kuvendin e Kosovës, me kreun e Kuvendit Kadri Veselin.
Debati mes Millakut dhe Veselit filloi nga kritikat dhe kërcënimet e deputetes Millaku ndaj kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Deputetja e VV-së kritikoi Veselin për sharjen që ia kishte bërë deputetëve të VV-së në seancën e votimit të demarkacionit një muaj më parë.
“Heqe maskën tënde dhe tregoje fytyrën e vërtetë që e ki. Nëse të kishim dëgju se i ke bërë ato sharje gjatë seancës, nuk kishe shpëtu. Por, për besë nuk i kemi dëgju”, i ka thënë Millaku, Veselit.
Ndërkaq, Veseli ia ka ndalur për një moment fjalën Millakut. I ka thënë se ka diçka personale me të.
“Zojë, si me pasë lidhje diçka me mu ti! Çka m’u ke gju, se më sakatove”, ia ka thyer Veseli.
E pastaj Millaku e ka kërcënuar Veselin, duke i thënë se “gazin lotësjellës në gojë ta kisha shti”.
“Nuk të kam thanë deri në ditë të sotit, edhe më ka mbetur merak me ta thanë në fytyrë. Nuk lejojmë me na sha familjet edhe robt neve. Për besë, po ta japë fjalën nuk të kam dëgju, se atë gazin lotësjellës në gojë ta kisha shti”, ka thënë Millaku.
Në këtë pikë, debati eskaloi kur Veseli i tha Millakut: “A e përdorë me gojë shumë a?”.
Më pas, kur e mori fjalën më vonë, Veseli kërkoi falje nëse ndonjëra nga gratë deputete ishte ndier e fyer nga fjalët që tha, por e kritikoi deputeten Millaku për kërcënimet që ia drejtoi atij dhe për akuzat e pabaza që ajo i kishte bërë para disa muajsh.
Millaku, gjatë seancës së para katër muajve, ishte shprehur se Kadri Veseli dhe presidenti Hashim Thaçi kanë dhënë urdhrin për vrasjen e komandant “Drinit”. Sipas saj, Veseli ka pasur aktakuzë në vitin 2003 dhe se ka një vendim të Prokurorisë.
Mirëpo, në aktakuzën e përmendur nga Millaku bëhej fjalë për të dënuarin Sali Veseli, i cili ishte dënuar në mars të vitit 2003 nga Paneli Ndërkombëtar Gjykues në Gjykatën e Prizrenit, për vrasjen e Ekrem Rexhës i njohur si komandant Drini.