Shqipëria dënon ashpër sulmin me një agjent nervor ushtarak, i një lloji të zhvilluar nga Rusia, kundër Sergei dhe Yulia Skripal në Salisbury të Britanisë së Madhe më 4 mars 2018, shkruan sot Koha Ditore.
Në përgjigje të interesit publik, zëdhënësja e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Edlira Prendi, deklaron se Shqipëria si shtet palë në Konventën mbi Armët Kimike, dënon çdo lloj sulmi kimik nga aktorë shtetërorë ose jo, dhe i konsideron shkelje të së drejtës ndërkombëtare që minojnë rendin ndërkombëtar dhe vënë në rrezik jetët e qytetarëve.
“Shqipëria shpreh solidaritet të plotë me Britaninë e Madhe dhe qytetarët e saj dhe përshëndet angazhimin e Britanisë së Madhe për të punuar ngushtë me Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike në mbështetje të hetimit të sulmit, si dhe për identifikimin e përgjegjësve dhe vënien e tyre përpara drejtësisë”, përfundon deklarata e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë…