Përpunuesi e drurit marrin përkrahje nga kryeministri Mustafa

Prishtinë | 11 Gus 2016 | 17:51 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka marrë pjesë në inaugurimin e Qendrës së përpunuesve të drurit në Greme të Ferizajt. Këtë projekt kryeministri Mustafa e ka quajtur tepër të rëndësishëm për Ferizajn dhe për zhvillimin e industrisë së drurit në Ferizaj.

Duke vlerësuar përkrahjen e Bashkimit Evropian dhe të organizatave tjera për mbështetjen, kryeministri shprehu interesimin e Qeverisë që të përkrahë të gjitha projektet dhe programet e zhvillimit ekonomik, duke i dhënë përparësi atyre fushave në të cilat bizneset kosovare janë më konkurrentë në tregun e brendshëm dhe të jashtëm.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, tha se duhet të shfrytëzohen njohuritë dhe teknologjitë më të avancuara në këtë drejtim.

“Ne mendojmë se kjo qendër është një prej atyre instrumenteve që do të na mundësojë të avancojmë përpunimin e drurit, të avancojmë me aftësitë tona konkurruese në këtë fushë dhe t’i japim vendit një nxitje të zhvillimit ekonomik”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa ka vizituar ambientet e brendshme të Fabrikës dhe mjetet shumë moderne të punës në të, si dhe ka vizituar Fabrikën e Mobileve “Profil Star”.

Pas vizitës, kryeministri Mustafa dhe kryetari i Ferizajt Muharrem Svarqa, shprehën përkrahjen e tyre për prodhuesit në Ferizaj dhe më gjerë.

Kryetari Svarqa, e falënderoi kryeministrin Mustafa për përkushtimin maksimal me të cilin po e udhëheq Qeverinë dhe përkrahjen e madhe që po jep për përpunuesit e drurit dhe prodhuesit tjerë, për përkrahjen e të gjitha investimeve, investimeve infrastrukturore, në zgjerimin e hapësirave shëndetësore e fusha të tjera në Ferizaj.

“U dakorduam me kryeministrin Mustafa, se të gjitha veprimtaritë që ndihmojnë në zhvillimin ekonomik dhe në rritjen e mirëqenies ekonomike e sociale dhe në hapjen e vendeve të reja të punës, t’iu ndihmojmë dhe t’i bashkërendisim të gjitha veprimet edhe për realizimin e të gjitha programeve qeverisëse edhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, por edhe të Komunës së Ferizajt, si pjesë rrjedhëse e institucionit më të lartë qeverisës”, tha Svarqa.

Kryeministri Isa Mustafa tha se Qeveria e Kosovës është e interesuar për zhvillim ekonomik dhe social të kësaj Komune.

“Jemi këtu që të promovojmë projektet të cilat mbështesin përparësitë krahasuese që kjo komunë ka në Kosovë, por edhe në regjion, që i përkasin prodhimit, përkatësisht procesimit të drurit, sepse kemi përpunues të mrekullueshëm, përvojë dhe traditë të gjatë për përpunimin e drurit këtu dhe kemi një konkurrencë të madhe. Në këtë fabrikë në të cilën gjendemi, dëgjuam se ata po eksportojnë mbi 20 për qind të produkteve të tyre në Zvicër dhe Gjermani dhe është fakt i pamohueshëm i cilësisë argumenti se njerëzit tanë arrijnë të eksportojnë produktet e tyre në këto tregje tepër të rëndësishme evropiane”, tha kryeministri.

Duke folur për infrastrukturën përkatësisht autostradën që kalon pranë Ferizajt, kryeministri tha se duhet të shikohet që të ketë një lidhje racionale me qytetin e Ferizajt.

“Kemi pasur kërkesë edhe të kryetarit të Komunës, kemi biseduar edhe me ministrin e Infrastrukturës, duhet të bisedojmë edhe me ekzekutuesit e punimeve, sepse e dini që kontrata është e lidhur, sepse çdo ndërhyrje në projekt dhe kontratë, krijon shpenzime shtesë, për të cilat ne duhet të gjejmë shtesë. Por, do të bëjmë një përpjekje maksimale që të kemi një qasje racionale të qytetit të Ferizajt në autostradë, që qyteti i Ferizajt të përfitojë nga autostrada e kurrsesi të ketë probleme të komunikacionit”, tha kryeministri.

fabrika greme1 mustafa biznese1 mustafa perurimi

Të ngjashme