Ura e improvizuar e cila lidh dy anët e një përroske në lagjen Mati 1 në Prishtinë po rrezikon ata që kalojnë mbi të saherë që rritet niveli i ujit në përroskë, për shkak të mbeturinave që hedhen pa kujdes në shtratin e saj.
Banorët e pjesës së lagjes që përballen me këtë problem, janë ankuar në KALLXO.com se më së keqi e kanë fëmijët të cilët, për të shkuar në shkollë, çdo ditë duhet të përballen me rrezikun e kalimit të përroskës.
Ramadan Bajrami, që jeton në rrugën “Malush Kosova” të kësaj lagjeje tash e 40 vjet, thotë se gjendja e përroskës është rënduar kohëve të fundit nga mbetjet e ndërtesave të reja të cilat po ndërtohen.
“Erërat kur bien shi, çohet uji përmbi. Në rekë hedhin shtazë të ngordhura e gjithçka tjetër, nga kjo helmohen njerëzit. Komuna duhet marrë masa urgjent”, tha Bajrami.
Më i moshuari i kësaj lagje thotë se zyrtarë të Komunës kanë qenë dhe janë arsyetuar se mbi këtë përroskë do të ndërtohet rruga që lidh Veternikun me Zllatar.
“Nuk di pse, a nuk ka buxhet a nuk dinë me organizu, po këtë (përroskën) është shumë lehtë me e shtru urgjent, sepse në Prishtinë nuk ka ma rrezik se ky kanalizim”, shtoi Bajrami.
Banori tjetër Leutrim Bajrami, thotë se ka kontaktuar në Facebook me nënkryetarin e Prishtinës Dardan Sejdiu. Bajrami thotë se e kishte marrë premtimin e Sejdiut se do ta dërgojë një ekip që ta shikojë gjendjen e përroskës.
“Unë vet kam pasur bisedë me Dardan Sejdiun në Facebook. I kam dërgu mesazh edhe i kam thënë se hajde shikoje në çfarë gjendje jemi tu jetu… Njiherë nuk ma ka kthy përgjigjen hiç, kur i kam thanë që kur është puna veç për vota po vini te na atëherë ma ka kthy përgjigjen m’ka thënë se pe dërgoj një ekip në terren”, rrëfen Leutrimi.
Ai tha se kanë pritur një ekip nga komuna por që ajo nuk kishte shkuar asnjëherë.
Komuna e Prishtinës, në një përgjigje përmes postës elektronike, tha për KALLXO.com se nuk ka buxhet për trajtimin e ujërave të zeza.
“Komuna e Prishtinës ka investuar në ndërtimin e rrugëve në lagjen “Malush Kosova” derisa ujërat e zeza në këtë lagje duhet te trajtohen me kolektor mbi lumin Mat. Duke qenë që buxheti i Komunës është i pamjaftueshëm për projekte te kushtueshme si ndërtimi i kolektorëve, jemi duke parë mundësitë për të siguruar fonde nga donatoret ose burime alternative”, thuhet në përgjigjen e komunës.
KALLXO.com gjatë vitit të kaluar ka vizituar këtë lagje edhe gjatë stinës së verës edhe gjatë stinës së vjeshtës, e kërkesat e qytetarëve ishin të njëjta, por pa pasur përmirësime në këto kërkesa nga ana e Komunës.