Sërish ka dështuar gjykimi ndaj tij, ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla dhe të tjerëve, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me krimin e organizuar, në gjykimin që njihet si rasti “Toka”.
Shkak për mos mbajtjen e seancës që ishte paraparë për të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka qenë mungesa e të akuzuarve Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi dhe Lubisha Vojoviq.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Beqir Kalludra, për këta të akuzuar gjykata ka anuluar urdhëresën për sjellje nga qendra e paraburgimit, për faktin se gjykata është informuar ditën e djeshme nga qendra e paraburgimit në Mitrovicë, se i akuzuari Lubisha Vujoviq, gjendet i shtrirë në spitalin e Mitrovicës dhe sipas kësaj informate pritet t’i nënshtrohet një operacioni.
Në këtë seancë, ka munguar edhe e akuzuara Shqipe Maxhuni, për të cilën sipas gjykatësit Kalludra, gjykata është informuar nga mbrojtësi i saj, avokati Arianit Koci, se ajo ka probleme shëndetësore.
Për shkak të këtyre mungesa kjo seancë është shtyrë për 16 maj 2019, nga ora 09:00, raporton “Betimi për Drejtësi”..
Ky shqyrtim nga fillimi i gjykimit është karakterizuar me zvarritje, në masën më të madhe, në kohën që gjykohej nga gjykatësit e EULEX-it.
Më 12,13 dhe 15 dhjetor të vitit 2016, ishte mbajtur seanca fillestare, në të cilin Azem Syla dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale me të cilat ngarkohen.