Mijëra protestues janë mbledhur në Yuen Long të Hong Kongut, ku fundjavën e kaluar u sulmuan nga disa njerëz me maska, me ç’rast ishin lënduar 45 persona.
Protestuesit u mblodhën në kundërshtim me thirrjen e policisë, e cila mori vendim për ndalimin e protestave në këtë vend. Ata u dëgjuan duke brohoritur “Policia e di ligjin, por e thyen ligjin”.
Pjesëmarrësit në këtë protestë thanë se po e dënojnë përdorimin e dhunës dhe presionin që po iu bëhet njerëzve për ta mbyllur gojën.
“Nëse secili banor i Hong Kongut vendos të qëndrojë në shtëpi, sigurisht që lëvizja jonë do të vdesë. Nëse të gjithë vendosin të qëndrojnë në rrugë dhe nëse e përkrahim njëri-tjetrin, do ta krijojmë një shoqëri më të mirë”, tha një protestues.
Për shkak të protestave, disa linja transporti janë ndërprerë, përfshirë edhe qarkullimin e trenave.
Autoritetet kanë marrë masa të shtuara të sigurisë dhe kanë angazhuar shumë policë në hyrje të disa fshatrave.
Më herët gjatë kësaj jave, policia e kishte refuzuar kërkesën zyrtare për protestë. Sidoqoftë, ata vendosën të dalin në rrugë edhe pa lejen e policisë, shkruan “The Guardian”.