Ambasada amerikane në Tiranë thotë se e ka mirëpritur vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të Shqipërisë, për heqjen e mandatit të dy anëtarëve të parlamentit për shkak të së kaluarës kriminale të tyre në Itali.
KQZ-ja dje e ka përfunduar mandatin për deputetët, Gledion Rehovica dhe Aqif Rakipi, në bazë të dokumenteve nga Zyra e prokurorit të përgjithshëm, ku shihet se ata kanë kryer vjedhje në Itali në vitin 1998, me emra të ndryshëm.
Në kumtesën në faqen e saj në Internet, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, tha se se “e mirëpret vendimin nga KQZ-ja për heqjen e mandateve” të të dy anëtarëve të parlamentit.
“Ky vendim është dëshmi pozitive se procesi i rëndësishëm i dekkriminalizimit, që ka filluar në dhjetor të vitit 2015, po vazhdon në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane.
Gledion Rehovica, anëtar i LSI-së, dhe Aqif Rakipi nga PDIU, kanë thënë se ata nuk kanë kryer krime.
Zoti Rakipi ka aksione biznesore në sektorin e minierave, ndërsa Rehovica kishte punuar si drejtor në disa ndërmarrje shtetërore, para se të zgjedhej deputet në vitin 2013.
Sipas legjislacionit shqiptar, ata do të zëvendësohen me anëtarë të partive të tyre.
Shqipëria shpreson t’i filloj negociatat për pranim në Bashkimin Evropian, që ka bërë presion ndaj Shqipërisë për përmirësim të sundimit të ligjit dhe për luftimin e korrupsionit.