Spanja do të lejojë personat nga vendet jashtë BE-së që janë vaksinuar kundër COVID -19 të hyjnë në vend që nga 7 qershori, tha Kryeministri Pedro Sanchez. Rregulli i ri do të hyjë në fuqi për personat e vaksinuar pavarësisht nga vendi i tyre i origjinës, tha Sanchez.
Një ditë pasi Bashkimi Europian arriti një marrëveshje të shumëpritur për certifikatat digjitale të vaksinave, Sanchez tha se rikthimi i turizmit do të ishte nxitësi kryesor i rimëkëmbjes ekonomike të Spanjës.
Paralelisht, nga 24 maji Spanja do të lejojë që turistët nga vendet jashtë BE-së që vlerësohet se kanë një rrezik të ulët të rasteve me koronavirus të hyjnë pa një test negativ PCR . Britania, tregu më i madh i Spanjës për turistët e huaj, do të përfshihet në listë, si dhe Australia, Zelanda e Re dhe Izraeli.
“Ata janë të mirëpritur – pa kufizime dhe kontrolle shëndetësore,” tha para gazetarëve Sanchez.