Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë është përuruar Barnatorja, Laboratori i ri dhe shërbimi i Radiologjisë, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, drejtori i Shëndetësisë në komunën e Prishtinës, Arben Vitia, tha se këto përurime ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për pacientët.
“Tani mund të ofrohen shërbimeve cilësore për qytetarët. Një kontribut të madh për përurimin e këtyre tri sektorëve kanë dhënë stafi i QKMF-së, dhe zyra e Komunës”.
Sadete Hadri, drejtoreshë e QKMF-së tha se Radiologjia, Barnatorja dhe Laboratori i ri u ndihmojnë shumë si institucion shëndetësorë.
Hadri foli edhe për rregullën e re sipas të cilës pacientët duhet të vendosin termine për kontroll mjekësore. Ajo tha se kjo rregull e re po funksionon mjaft mirë.
“Aplikimi i termineve nuk ka krijuar tollovi të pacientëve. Pacientët me raste urgjente trajtohen te ne pa caktuar termine. Të shtunave dhe të dielave nuk ka termine”, bëri të ditur Hadri.
Laborantja Gjyle Kastrati u shpreh e kënaqur që do të punojnë me pajisje të reja. Ajo tha se në pjesën e Laboratorit, pacientët nuk kanë nevojë të caktojnë termine.