Përurohet biblioteka e shkollës profesionale “Fehmi Lladrovci”

Prishtinë | 07 Nën 2019 | 11:40 | Nga Ekonomia Online

Shkolla e Mesme Profesionale “Fehmi Lladrovci” në Drenas nga sot do të ketë edhe bibliotekën e re e ndërtuar nga mjetet buxhetore të kësaj shkolle.  Në përurim kanë marr pjesë kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, drejtori i kësaj shkolle, Lulzim Nika, drejtor të shkollave të tjera, stafi i shkollës dhe nxënësit.

Kryetari Lladrovci ka theksuar se me përurimin e kësaj biblioteke, vlera e kësaj shkolle do të jetë edhe më e madhe, pasi që libri është miku më i mirë i njeriut i cili hap dyert e së ardhmes drejt diturive të reja, sidomos për gjeneratat e reja siç janë nxënësit e kësaj shkolle. Lladrovci ka uruar Shkollën e Mesme Profesionale për të arriturat që ka treguar ku si rezultat i arritshmërive ka fituar edhe donacione të ndryshme që janë investuar ne objektin e shkollës, si kabinete të informatikës dhe salla të tjera.

Drejtori i Shkollës, Lulzim Nika ka falënderuar kryetarin Lladrovci për mbështetjen që është duke i dhënë institucioneve arsimore dhe ka shtuar se me renovimin dhe rregullimin e bibliotekës së shkollës janë plotësuar kushtet edhe me të mira për të vijuar një proces të mirë e me suksese në mësimnxënie e mësimdhënie.

Ndryshe rregullimi i bibliotekës së shkollës është bërë me buxhet të shkollës, ndërsa nga donacionet e ndryshme si të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe tjera, kjo bibliotekë është pasuruar me tituj të ndryshëm të librave që po ashtu numëron një numër të madh të lexuesve, ku vetëm brenda një viti kalon mbi 1000 anëtarësime të reja. 

Kjo shkollë gjatë këtij viti ka marr donacion edhe 60 kompjuterë duke krijuar kështu dy kabinete të informatikës, po ashtu në muajin tetor shkolla ka fituar donacion nga Ministria e Arsimit për të krijuar klasën digjitale në vlerë mbi 40 mijë euro, si dhe një kabinet të drejtimit dizajn-konfeksion në vlerë mbi 12 mijë euro po ashtu nga MASHT-i.

Të ngjashme