Kompania e Ujësjellësit Rajonal ”Prishtina” ka bërë përurimin e punimeve për rehabilitimin e fabrikës për përpunimin e ujit të pijshëm në Badovc.
Rehabilitimi i Fabrikës në Badovc është investim i përfshirë në Fazën e II-të të investimeve, në vlerë prej 17 milionë euro, prej tyre 11 milionë euro grant nga Komisioni Evropian dhe 6 milionë euro kredi e butë si vazhdimësi e fazës së parë të investimeve.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë projekt, raporton Ekonomia Online.
“Qeveria e Kosovës e ka mbështet këtë projekt dhe do të vazhdojë të mbështes projektet e tilla”, u shpreh Shala.
Kryeshefi i Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Ilir Abdullahu, është shprehur i lumtur me inaugurimin e siç tha ai, të rrjeteve të ujësjellësit në Prishtinë.
Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka thënë se ky projekt që ka filluar po arrin në një periudhë të shpejtë të realizohet për furnizim me ujë 24 orë.
“Besoj që edhe qytetarët do ta shpërblejnë këtë punë, me pagesa më të rregullta për ujin. Së bashku, do të shkojmë drejt projekteve të reja, ashtu që ta përmirësojmë edhe më tutje edhe furnizimin edhe cilësinë e ujit”, theksoi Ahmeti.
Ai më tej shtoi se këto kapacitete të Badovcit, si dhe kapaciteti shtesë për 700 litra në sekond që do funksionalizohet së shpejti, do të bëjnë që Prishtina dhe shumica e komunave për të cilat shërben Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, të kenë furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm.
Ndërsa, drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit në Komisionin Evropian, Genoveva Ruiz Calavera, tha se ky projekt jo vetëm që do të sjellë ujin, por do të rrisë edhe standardin e jetës së qytetarëve të këtij regjioni.
“Janë 5 000 qytetarë nga Komuna e Graqanicës dhe Prishtinës që do të përfitojnë nga kjo dhe jam shumë ë lumtur që jam këtu, sepse unë isha në Kosovë në vitin 1999 që ishte një shërbim i rrallë dhe duke ju falënderuar këtij plani ne do të kemi ujë 24 orë në ditë, dhe jam shumë e lumtur, që kjo do t’i përmirësojë jetën e qytetarëve të këtij regjioni dhe jam shumë e lumtur që KE-ja ka kontribuar në këtë përmirësim të mrekullueshëm. Jam gjithashtu e lumtur që nuk do të kemi vetëm ujin, por do të kemi ngritje të standardit shëndetësor, por edhe rritjen ekonomike të këtij regjioni”, tha ajo.
Ndërsa zv.ambasadorja gjermane, Christina Gehlsen, tha se ky projekt është një shembull se si me projekte të tilla mund të përmirësohet jeta e qytetarëve.
“Gjermania ka mbështetur Kosovën në sektorin e ujit që nga viti 1999 dhe është e mrekullueshme të shihet realizimi i projektit, kështu duket më bukur sesa është në letër, ju siguroj për këtë. Ky projekt është një shembull se sa shumë mund të arrihet nëse ne koordinohemi mirë me autoritetet lokale. Ky projekt është edhe shembull se si mund të përmirësojmë jetën e qytetarëve të këtij vendi”, deklaroi ajo.
Faza e parë e projektit përfshinë rehabilitimin e rrjetit primar, sekondar dhe terciar të rrjetit të ujit të pijshëm, rehabilitimin e kolektorëve kryesorë dhe sekondar të ujërave të zeza, rehabilitimin e Fabrikës së përpunimit të ujit në Badovc dhe Tubacioni magjistral nga Penda deri te Stacioni i Pompave në Badovc dhe mbrojtja e burimeve të ujit në liqenin e Batllavës dhe Badovcit.
Kjo fazë ka filluar së implementuari në terren më 7 prill 2014 dhe si e tillë po përfundon në ditën e sotme, për deri sa Faza e tretë e investimeve që përfshinë investimin në Fabrikën e re të ujit të pijshëm në Shkabaj në vlerë prej 35 milionë euro, do të përfundojë në pjesën e dytë të muajit mars.
Rehabilitimi i Fabrikës për përpunimin e ujit në Badovc do të ketë efekt pozitiv në përforcimin e kapaciteteve për furnizim me ujë të pijshëm për konsumatorët që furnizohen nga liqeni i Badovcit.
Foto: Ekonomia Online