Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, është bërë përurimi i librit të Fidair Berishës “Siguria dhe Policia Private”. Reshat Malaiqi duke folur për librin tha se është një lloj freskimi. Sipas tij, materia e përpunuar nga autori prek çështje teorike nga fusha e sigurisë, raporton Ekonomia Online.
“Veprat që kanë për objekt hulumtimi sigurinë private janë të rralla. I tillë është edhe ky libër dhe është botimi i dytë nga fusha e sigurisë. Autori është njohës i mirë i rrjedhave të sigurisë. Përmes botimit autori ka qëllim të japë kontribut në trajtimin e sigurisë. Duke e njohur për vite doktor Fidairin është zyrtar shembullor në Policinë e Kosovë. Kur flitet për sigurinë shteti është ai që e ka monopolin e forcës. Llojet e para të organizatës private gjendjen në Angli mirëpo tani janë të shpërndara në të gjitha vendet e botës. Format e reja të sigurisë private e gjejmë pas përfundimit të luftës në Kosovë. Nga viti 2011 kemi edhe ligjin për sigurime private. Autori përmes hulumtimit pasqyron gjendjen e sigurisë aktuale. Siguria private është degë e sigurisë që organizohet në mënyrë të pavarur që ofrojnë mbrojtjen e hapësirave biznesore dhe personaliteteve. Ky libër është i vetmi që trajton sigurinë private në Kosovë”.
Rrahman Sylejmani, doktor i kriminalistikës ka thënë se libri “Siguria dhe Policia Private” paraqet një dorëshkrim që iu ka munguar këtyre hapësirave.
” Duke pasur mungesën e literaturës për këtë temë autori ka përdorur literaturë të ekspertëve për siguri në përgjithësi. Ky libër është domethënës si një botim profesional në fushën e studimeve të sigurisë. Ky libër ka rëndësi të madhe për punonjësit në këtë fushë. Nga ana tjetër kjo vepër paraqet një sfidë të re për lexuesit që janë të interesuar në këtë fushë”.
Fidair Berisha autor i librit, tha se është dashur mund dhe sakrificë, duke shtuar se për shkrimin e librit ka bashkëpunuar me shumë ekspert të fushës së sigurisë.
“Prandaj të gjithë ata që shkruajnë e dinë se sa është e vështirë për tu shkruar një libër. Unë kam pasur një bashkëpunim me ekspert të sigurisë për çka u jam shumë falënderues. Nga fusha e sigurisë private ka shumë pak literaturë të shkruar”.
Botuesi, Hajdar Fejzullahu uroi autorin dhe ne duhet të jemi më të gëzueshëm sepse do të na hyjë punë ky libër dhe gjithë gjeneratave të reja.