Përurohet nënstacioni policor në Komoran, synohet rritje e sigurisë dhe shërbimeve për qytetarët

Prishtinë | 10 Pri 2026 | 15:50 | Nga Ekonomia Online

Është përuruar sot nënstacioni i ri policor në Komoran, një investim që synon avancimin e sigurisë publike dhe përmirësimin e shërbimeve policore për qytetarët e kësaj zone.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë përfaqësues të lartë institucionalë, përfshirë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, si dhe Kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, bashkë me zyrtarë të tjerë policorë dhe institucionalë.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, “përurimi i këtij nënstacioni përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe thellimin e bashkëpunimit me komunitetin në këtë zonë”.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, theksoi rëndësinë e këtij projekti për sigurinë lokale dhe bashkëpunimin me qytetarët. “Ky nënstacion do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e rendit dhe ligjit, si dhe në ofrimin e shërbimeve më efikase dhe më të afërta për qytetarët”, thuhet në njoftim.

Gjatë ceremonisë, Hoxha i ndau gjithashtu letërfalënderim kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, “në shenjë vlerësimi për bashkëpunimin dhe mbështetjen e ofruar në realizimin e këtij projekti”.

Policia e Kosovës vlerëson se funksionalizimi i këtij nënstacioni do të ndikojë në fuqizimin e sigurisë dhe rritjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve të rendit.

Të ngjashme