Përurohet Qendra e Regjistrimit Civil

Prishtinë | 13 Gus 2018 | 13:09 | Nga

Në komunën e Obiliqit është bërë përurimi i ndërtesës së re të Qendrës për Pajisje me Dokumente ku qytetarët mund të kryejnë shërbimet për aplikim dhe pajisje me letërnjoftim, patentë-shofer dhe regjistrim të veturave.

Poashtu, në këtë Qendër do të vendoset edhe shërbimi i gjendjes civile.

Në këtë ceremoni mori pjesë ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi dhe kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.

Gashi tha se është një mundësi e mirë për qytetarët e Obiliqit, të cilët tashmë do të mund të kryejnë shërbimet për pajisje me dokumente brenda një hapësire, i cili është modeli i parë në nivel vendi.

Me këtë rast, Gashi tha se investimet e tilla do të vazhdojnë edhe në nivel të Republikës së Kosovës.

Ndërsa kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi falënderoi Gashin për përkrahjen e dhënë në ndërtimin e këtij objekti.

Projekti për ndërtimin e Qendrës për Pajisje me Dokumente, në vlerë prej 270 mijë euro, është financuar nga Ministria e Punëve të Brendshme ndërsa hapësira për ndërtimin e këtij objekti është ofruar nga Komuna e Obiliqit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme