Në 20-vjetorin e rënies është përuruar shtatorja e heronjve, Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit në Drenas, në sheshin që mban emrin e tyre.
Zbulimin e shtatores së heronjve e bën pasardhësit e familjes Lladrovci dhe ish-drejtuesve të UÇK-së.
Pjesëmarrës në ceremoninë e zbulimit të shtatores ishin presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ai i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli dhe personalitete dhe zyrtarë tjerë nga Kosova e Shqipëria.
Presidenti Hashim Thaçi, tha se Fehmi e Xhevë Lladrovci ishim emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Kreu i shtetit pas zbulimit të shtatores së heronjve në Drenas, tha se kontributi i tyre nuk ishte vetëm liria për Kosovën, por edhe për integrim në BE e NATO.
Nga këtu ai ka garantuar se mujat e ardhshëm institucionet janë të gatshme të formojnë Forcat e Armatosura.
Presidenti Thaçi ka nderuar me Medalje Presidenciale prindërit e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit.
Medalja Presidenciale pas vdekjes iu nda babait të Xhevë Krasniqit – Lladrovcit, Abdyl Krasniqit si dhe babait të Fehmi Lladrovcit, Muhamet Lladrovcit, raporton EO.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, nuk patën fatin të kenë fëmijët e tyre, por me sakrificën e tyre, ata na lanë një trashëgimtar të paçmueshëm lirinë e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë fjalës së tij në ceremoninë e zbulimit të shtatores së heroit Fehmi Lladrovci dhe heroinës Xhevë Lladrovci, tha se është i gëzuar për ngritjen e shtatoreve të këtyre heronjve.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë fjalës së tij në ceremoninë e zbulimit të shtatores së heroit Fehmi Lladrovci dhe heroinës Xhevë Lladrovci, tha se imazhi i tyre që kanë lënë pas do t’i bashkojë të gjithë shqiptarët.
Ai tha se nuk duhet të harrohet që amaneti i tyre të çohet përpara.
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, figurën e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit e cilësoi si “çlirimtarë”.
Përfaqësuesi nga Lugina e Preshevës, Shukri Imeri, shpreson që institucionet e Kosovës të përkrahin kauzën e Hashim Thaçit për Luginën.
Kryetari i Komunës së Drenasit, njëherësh vëllai i Fehmi Lladrovcit, Ramiz Lladrovci, tha se rruga e Fehmiut dhe e Xhevës deri në shesh zgjati 20 vjet.
Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, tha se vepra e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit është shumë më e madhe sesa që mund të tregohet sot.