Përvoja e vdekjes si “shpëtim” nga synimet e “mendjes absolute”

Prishtinë | 27 Mar 2023 | 10:07 | Nga Afrim Kasolli

Filozofia sipas Hegelit është të qenit në shtëpi me vetveten. Dhe kjo gjendje e ka origjinën në mendimin grek. Pra është të qenit e njeriut në shtëpi me mendjen e tij.

Mirëpo, nëse filozofia tradicionalisht ka qenë metafizikë dhe metafizika filozofi, siç pohon Martin Heidegger-i, atëherë sipas mendimtarit të njohur francez Emmanuel Levinas, në librin e tij “Totality and Infinity”, pikërisht kjo e fundit është një lëvizje drejt një bote që nuk është familjare për ne. Pra mendimi metafizik zakonisht ka lëvizur nga të qenit në shtëpi “at home” (chez soi) të cilën në e banojmë drejt diçkaje jashtë nesh “outside-of-onself” (hors-de-soi), thjesht në një drejtim përtej nesh “toward a yonder”.

Në këtë drejtim tjetri i dëshiruar në mënyrë metafizike, nuk është thjesht një “tjetër” sikurse buka që ne ushqehemi, toka në të cilën banojmë, panorama para së cilës përsiasim, por dëshira metafizike synon drejt diçkaje krejtësisht tjetër, pra drejt “tjetrit absolut”.

Ajo nuk është një dëshirë për një rikthim, e nxitur nga nostalgjia për parajsën e humbur, sepse është një dëshirë për një tokë e cila nuk është vendi i lindjes sonë, por një tokë që është e huaj për çdo natyrë, e cila nuk ka qenë atdheu ynë dhe së cilës ne kurrë nuk do t’i kushtohemi. Thjesht të vdesësh për të padukshëm kjo është metafizika. Prandaj, ky mendimtar, aspironte që ta drejtonte mendimin filozofik drejt kushteve të jetës njerëzore.

Mendimi i E Levinas-it, sipas Michael L. Morgan, karakterizohet nga katër tipare kryesore dhe të cilat qëndrojnë në themel të përsiatjeve të tij.

E para situata e tij historike, veçanërisht roli i Holokaustit në kujtesën dhe mendimit e tij, e dyta raporti që ai kishte me traditat e shkrimeve religjioze, sidomos me Biblën dhe Talmud-in, e treta qëndrimi i tij kritik në njërën anë ndaj filozofisë perëndimore dhe në anën tjetër lidhjet specifike me këtë traditë, dhe e fundit debatet mbi rolin e etikës në jetën tonë dhe parimet e saj fondatore.

Ndërkohë, emërimi i Martin Heidegger-it në pozitën e rektorit të Universitetit të Freiburg-ut e nxiti Levinasin për një betejë jetësore kundër ontologjisë së filozofit gjerman, për t’i rimenduar kushtet njerëzore dhe rolin e etikës si filozofia e parë apo si “meta-etikë”.

Natyrisht, këtu nuk duhet harruar faktin se Martin Heidegger-i kishte ushtruar një ndikim të jashtëzakonshëm mbi Emanuel Levinasin. Madje ishte i pari, ai që me fenomenologjinë e tij hermeneutike, i hapi rrugë lulëzimit si të “fenomenologjisë etike” të Levinasit, ashtu edhe “fenomenologjisë së aksionit njerëzor” të Hannah Arendit. Dhe mendimi modern nuk mund të konceptohet pa ndikimin që kanë ushtruar këto tri modele të kërkimeve teorike fenomenologjike.

Kurse kritika e Levinasit kundër synimeve të vetëdijes filozofike për ta prodhuar një “sintezë totale” e ka si pikënisje pikërisht përvojën mbi ankthin e vdekjes. Dhe kjo kritikë është e drejtuar kryesisht kundër Hegelit dhe intencës së tij fenomenologjike, për ta inauguruar në panteonin filozofik projektin e “njohjes absolute.

Siç dihet sipas Hegelit, kjo odiseadë nuk mund të arrihet pa “vetëdijen mbi veten”. Kurse hapërimi i kësaj vetëdije ndodh pikërisht në çastin kur njëra palë nuk i frikohet vdekjes. Nuk tmerrohet në thellësi të qenies nga frika prej kësaj “zonje absolute”. Dhe se krejt historia e njerëzimit na shfaqet si përpjekje për të kapërthyer çdo gjë brenda saj. Esencën e saj e karakterizon ambicia për një sintezë universale, një reduktim i çdo përvoje, i çdo gjëje që ka kuptim në një totalitet, që nuk lë asgjë tjetër jashtë vetes, dhe bëhet kështu “mendje absolute”.

Me këtë rast “vetëdija mbi vetën është në të njëjtën kohë vetëdije e gjithçkaje” Por, kundër këtij totalitizimi, Emanuel Levinasi, duke u bazuar edhe në tezat Franz Rozennsweig, niset përsëri nga përvoja e vdekjes, sepse “në atë masë sa individi i përfshirë nuk e ka mposhtur ankthin e vdekjes, e as nuk ka hequr dorë nga fati i tij i veçantë, ai nuk ndjehet rehat brenda këtij totaliteti, aspo nëse mund të thuhet “totaliteti nuk është ‘totalitizuar’.

Këto përsiatje të Leviniasit na dëshmojnë se synimet e “njohjes absolute” dështojnë që në pikënisje të saj, dhe se përvoja e vdekjes na mundëson një “shpërthim nga totaliteti filozofik dhe se e shtron rrugën e një hapje tërësisht tjetër brenda kërkimit të së arsyeshmes”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme