25 mijë franga që u mblodhën për të paguar dënimin e FIFA-s ndaj lojtarëve Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri e Stephen Lichschteiner, përmes aksionit “Mos kini frikë nga shqiponja”, me kërkesë të lojtarëve u ndanë për bamirësi.
Këto do të jepen për shërimin e tre fëmijëve, një në Shqipëri, një në Maqedoni dhe një në Kosovë, ku për këtë të fundit, me kërkesë të familjarëve të lojtarëve dhe organizatorëve të aksionit është përzgjedhur që mjetet të kalojnë përmes televizionit Klan Kosova.
Televizioni pasi ka formuar një komision profesional mjekësor me në krye kirurgun Saudin Maliqi kanë ardhur në përfundim që 8300 franga të ndahen për Edon Krasniqin, një fëmijë 16-vjeçar nga Malisheva i cili është në hemodializë.
Sipas ekipit të doktorëve, këto para janë thuajse të mjaftueshme për transplantim të veshkës, teksa familja e tij që është në gjendje sociale janë shprehur shumë falënderues për donacionin.