Përzgjedhësi i Luksemburgut, Ken Diederich vlerëson lart përfaqësuesen e Kosovës në basketboll. Luksemburgu e pret Kosovën të dielën (nesër) nga ora 18:00 në kuadër të grupit B të parakualifikimeve për Botërorin 2023.
Kosova e Luksemburgu janë takuar dy herë vitin e kaluar, në parakualifikime për Eurobasket 2021. Ndeshjen në Luksemburg e fituan vendasit, ndërsa në Prishtinë, Kosova fitoi bindshëm. Një tjetër fitore në Prishtinë, Kosova e ka arritur të enjten, nda Islandës. Ishte ndeshja hapëse e parakualifikimeve për Botërorin e vitit 2023. Ajo fitore ka rritur respektin ndaj Kosovës.
“Na pret një ndeshje shumë e vështirë, ndaj një ekipi të mirë. Ekipi kundërshtar, Kosova, është motivuar pas fitores në shtëpi. Por ne duhet të jemi të gatshëm”, ka thënë Diederich të shtunën për Koha.net.
Luksemburgu në ndeshjen e parë, të enjten, pësoi nga Sllovakia në Bratislavë me rezultatin 73:65.
Me fitore eventuale në Luksemburg, Kosova do të bënte hap të madh para drejt kalimit me sukses të raundit të parë të parakualifikimeve.