Të martën (nesër) nga ora 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë luhet ndeshja në mes të Kosovës e Sllovenisë, e vlefshme për eliminatoret për “Euro 2021” në konkurrencë të futbollisteve.
Sllovenia në Prishtinë ka ardhur me synim për të fituar tri pikë. Kosova ka pësuar humbje të thellë, 5:0, nga Sllovenia në Dravograd, në shtator të vitit të kaluar. Me rezultat të njëjtë pësoi nga Rusia të premten në Gjermani. Ndërkohë sllovenet e kanë humbur 4:1 ndeshjen e fundit, të luajtur ndaj Holandës në nëntor të vitit të kaluar.
Përzgjedhësi i Sllovenisë, Borut Jarc ka përcjellë nga afër ndeshjen e Kosovës me Rusinë.
“Rusia ka shënuar fitore të pritur, është më e mirë në të gjitha repartet. Por është me shumë rëndësi për ne që të mendojmë për lojën tonë. Në Prishtinë pres ndeshje agresive nga të dy ekipet. Vendaset e shohin mundësinë e tyre në paraqitje agresive dhe me lojë të disiplinuar taktike. Jo vetëm që besojmë, por në fakt ne kemi ekip më të mirë. Për të konfirmuar këtë megjithatë duhet që të kemi paraqitje maksimalisht serioze”, ka thënë Jarc për sajtin zyrtar të Federatës së Futbollit të Sllovenisë.
Te Kosova presin paraqitje të mirë ndaj Sllovenisë, ndërsa thonë se kanë marrë veten pas humbjes së thellë nga Rusia.Koha.Net.