Parfumet kanë një histori të gjatë dhe janë pëlqyer, studiuar e përdorur që në lashtësi. Ka ekzistuar bindja që ato shërbenin edhe si dezinfektues apo mbrojtës për sëmundje dhe epidemi të ndryshme. Mjafton të përmendim sa e sa enë mbajtëse të melhelmeve gjejmë sot në muzeumet arkeologjikë. Sot është mjaft e rëndësishme të zgjedhësh parfumin e përshtatshëm për çdokënd. Çdo esencë dhe aromë, duke u përzierë me erën natyrale të trupit, merr nuanca aromatike të ndryshme.
Ka nga ato që pëlqejnë parfumet e ëmbël dhe të tjerë që pëlqejnë parfumet me aroma të hidhura. Edhe parfumi duhet t’i përshtatet lëkurës, personalitetit, karakterit të përgjithshëm të çdo individi. Rregullat më klasike për një zonjë elegante ishin të tilla që nuk lejonin të ndërrohej kurrë as modeli i flokëve dhe as parfumi. Ekzistonte ideja që parfumi duhet të shërbente si shenjë dalluese dhe identifikuese, pra nuk duhej të ndryshonte kurrë.
Ndryshe nga ç’ishte moda në kohën e Luigjit XV, gjithnjë në shek. XVIII, ku çdo ditë fisnikët duhej të përdornin një esencë të ndryshme, aq sa oborri i tij mbretëror quhej “oborri i parfumosur”. Sot, të ndërrosh parfumin hera-herës është diçka mëse e pranueshme. Edhe në këtë rast duhen shmangur abuzimet dhe teprimet. Gjithsesi nuk duhet as të arrihet në ekstremin tjetër të Plautit (në Komedia e Fantazmave): “Gruaja ka aromë të mirë atëherë kur nuk është e parfumosur.”
Esenca duhet hedhur në trup me kujdes, vetëm në kyçet e duarve dhe në rrëzë të veshit. Matilda Searoja, në veprën e saj “Të dish të jetosh” arrinte deri aty sa i nxiste zonjushat të mos hidhnin parfum në trup.