“Albcontrol”, kompania që menaxhon dhe kontrollon hapësirën ajrore në Republikën e Shqipërisë, ka përzgjedhur kompaninë fituese që do të kryejë studimin e hapësirës fluturuese të Aeroportit të Kukësit, duke rritur mundësitë e funksionimit të kësaj vepre infrastrukturore, shkruan sot Koha Ditore.
“Consulting & Management Albania” sh.p.k. është kompania që është shpallur fituese nga “Albcontrol”. Kjo kompani me seli në Tiranë duhet të mbyllë studimin e hapësirës fluturuese të Aeroportit të Kukësit brenda një periudhe 3-mujore nga data e nënshkrimit të kontratës, e cila do të ketë një vlerë prej 87 mijë eurosh.
Në dokumentin që do të dorëzohet, do të përfshihet një analizë e detajuar dhe rekomandimet e shoqërisë lidhur me nivelin e sigurisë të trafikut ajror, konceptin e operimeve në Aeroportin e Kukësit, sistemet e nevojshme, procedurat e afrimit dhe nisjes, etj. Shoqëria do të kryejë vlerësimin e përgjithshëm të fizibilitetit lidhur me operimet e vetë projektit, ndërsa raporti do të përfshijë gjithashtu trajnimet e kërkuara nga personeli i aviacionit, si dhe rekomandime të ndryshme, si p.sh. nëse është i nevojshëm zgjerimi i pistës.
Aeroporti i Kukësit do të jetë një aeroport ndërkombëtar me kapacitete të ngjashme me Rinasin. Kukësi do të jetë një aeroport për fluturimet “low cost” dhe do t’u shërbejë pasagjerëve në të dyja anët e kufirit (Shqipëri-Kosovë). Këtë fakt e ka bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tre javë më parë, gjatë një bashkëbisedimi me vajzat dhe djemtë e zgjedhur nga e gjithë Shqipëria për ekuipazhin e “Air Albania”.