Dy volejbolliste nga SHBA-ja do të paraqiten për Dritën e Gjilanit në stinorin pranveror të Superligës së Kosovës. Klubi gjilanas në fundjavë ka njoftuar se ka firmosur me korrektoren Brianna Gardner dhe pranuesen Skylar German.
Kështu volejbolli kosovar po mbushet me lojtare të huaja. Sipas Federatës së Volejbollit të Kosovës, tri skuadra tjera tashmë në përbërje i kanë edhe pesë lojtare nga Brazili. Afati kalimtar është i hapur deri më 31 janar dhe ardhje tjera të lojtareve të huaja janë të mundshme.
“Goditjet e këtij afati kalimtar tashmë janë bërë. Bardh e kaltër tanimë janë veshur dy lojtare nga Amerika, të cilat do të jenë forcë shtesë për ekipin tonë”, thuhet në njoftimin e Dritës së Gjilanit.
Drita ka njoftuar se Brianna Gardner është e lindur në vitin 1996 në Houston dhe është e gjatë 188 cm, kurse Skylar German, e gjatë 180 cm, është e lindur në vitin 1995 në Manhattan. Ato javën tjetër pritet të arrijnë në Gjilan. Drita, që është skuadra kryesore në vend në vitet e fundit, ka në përbërje shumë reprezentuese të Kosovës e po ashtu edhe Arjola Prengën nga Shqipëria që është bashkuar me skuadrën në fund të stinorit vjeshtor.