Pesë kërkesa të Diasporës diskutohen sot në Kuvendin e Kosovës

Prishtinë | 18 Maj 2018 | 11:20 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Behar Xharra, drejtor ekzekutiv në organizatën Germin, gjatë fjalës së tij në Kuvend përmendi 5 kërkesa të personave që jetojnë në Diasporë e që do t’i diskutojnë sot.

“Kërkesat e diasporës sot janë të qarta. I kemi taku në dy vitet e fundit rreth 700 persona ku gjithë kanë pasë mundësi t’i shprehin disa kërkesa. Ne jemi nisur prej premisës që vendi jonë ka shumë njerëz jashtë. Kemi profesionistë të lëmive të ndryshme. Këto janë disa gjëra që duhet m’i pasë sa më afër dhe m’i shfrytëzu”.

“Kërkesat për sot që do t’i diskutojmë janë 5: E drejta e votës, përmirësimi i procesit për votim jashtë vendit, mësimi plotësues në gjuhën shqipe, Kartoni i Gjelbër, përfaqësim politik të diasporës në vend”.

Ministri i Diasporës nga Republika e Shqipërisë, Pandeli Majko tha se diaspora e Kosovës dhe e Shqipërisë janë duke promovuar disa projekte të përbashkëta, raporton Ekonomia Online.

“Jemi shumë larg asaj që njerëzit duan për vendlindjen e tyre. Jemi këtu së bashku për të dhënë e marrë nga njëri-tjetri. Kosova është shumë më përpara se Shqipëria, ne jemi ministra që punojmë së bashku, kemi një diasporë që nuk mund ta ndajmë, jemi duke promovuar disa projekte që në thelb kanë vënë në sfidë shtetet binjake Kosovë-Shqipëri”.

“Diaspora dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor jeton në një frymë të re të bashkëpunimit rajonal në forma dhe segmente të ndryshme. Në këtë mënyrë duhet të shihet bashkëpunimi ndërajonal. Në të kaluarën ura e bashkëpunimit mes shtetit dhe diasporës ndoshta ka qenë e rrënuar, sepse ekzistojnë sot ministra të diasporës në shumë vende, jo vetëm Kosovë, Shqipëri, Maqedoni por edhe në Bosnje dhe kjo tregon dëshirën për të rindërtuar këtë urë që ka qenë e rrënuar”, tha Edmond Ademi, ministër i diasporës nga Maqedonia.

Brikena Muharremi, avokate dhe anëtare e bordit të Germin, si dhe udhëheqëse e Shoqatës së Avokatëve Shqiptaro-Britanik, Londër,Britani e Madhe (Qasja Institucionale për të Drejtën e Votës) i konsideroi hapa pozitivë krijimin e ministrive  dhe miratimin e ligjeve për diasporën nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, raporton EO.

“Qeveritë e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë kanë bërë hapa pozitivë për diasporën duke bërë ligje dhe ministritë e diasporës. Ftoj institucionet të jenë të hapura për bashkëpunim. Bashkëpunimi diasporë- vendlindje do të thotë shkëmbim ideje, përvojë, investime në vend dhe përparim i vendit. Të gjithëve duhet të na bashkojë një qëllim – Zhvillimi i vendit”.

Lazim Destani, drejtor Gjeneral i Ecolog International nga Maqedonia (Filantropia dhe Investimet kapitale), tha se diaspora shqiptare ka luajtur rol të rëndësishëm në çështjen kombëtare dhe në zhvillimin ekonomik dhe përparimin e 3 vendeve.

“Diaspora e çdo vendi ka luajtur rol të veçantë për zhvillimin e vendit të cilit rajon i takon. Diaspora shqiptare në  të kaluarën në momente të caktuara historike ka qenë zëri më i fuqishëm për çështjen tonë kombëtare, dhe sot ajo mund të luajë rol në zhvillimin ekonomik dhe përparimin e vendeve tona”, tha Destani.

 

Të ngjashme