Pesë këshilla për të rinisur një martesë të dytë

Prishtinë | 12 Pri 2024 | 05:24 | Nga Ekonomia Online

Njerëzit optimistë dhe vitalë nuk e kanë të vështirë për të pasur një marrëdhënie të re pas dështimit në lidhjen e parë. Rëndësi ka të harrohet e shkuara dhe të përmirësohet aspekti shpirtëror.

Çfarë duhet të bëni nëse ende besoni tek dashuria e moshës 60- vjeçare? Në fakt, pavarësisht se shumë martesa dështojnë, ka sërish njerëz që vazhdojnë të besojnë në dashuri dhe në lidhjet perfekte. Ndërkohë shifrat janë pesimiste, sepse, sipas tyre, jo vetëm martesat e para, në të shumtën e rasteve, dështojnë, por, sipas statistikave, edhe të dytat nuk shkojnë më mirë.

Po përse dështojnë disa martesa, edhe pse nisesh me mendimet dhe qëllimet më të mira? Sipas një psikologeje që merret me marrëdhëniet martesore, ka disa arsye se pse martesat e dyta dhe më pas edhe ato të tretat dështojnë njësoj si martesa e parë.

Një nga arsyet është vetë fakti i përfundimit të një martese. Rasti i parë mund të ketë qenë shumë i vështirë, por, kur tashmë e ke përjetuar një divorc, e ke më të lehtë të përjetosh një të dytë, një të tretë e kështu me radhë, pasi kalon nëpër një rrugë të njohur dhe shpirtërisht je më i fortë dhe më i përgatitur për atë që do të kalosh.

Një arsye tjetër është kur njëri nga partnerët, i divorcuar njëherë, ende nuk e ka marrë veten nga trauma e ndarjes dhe e përjeton edhe marrëdhënien e dytë me frikë, ankth, duke u shndërruar në një problem serioz për marrëdhënien në çift. Madje ky është një ndër shkaqet që krijon më shumë probleme në martesën e dytë.

Për këtë arsye këshillohet që të mos martohesh menjëherë pas një divorci, sepse të duhet kohë për t’u rikuperuar shpirtërisht, për të lënë pas të shkuarën, për t’u marrë me veten dhe për të kuptuar se çfarë kërkon realisht në jetë dhe cili partner do të të bënte të ndiheshe mirë.

Shpesh, nëse, menjëherë pas një ndarjeje, nis një lidhje dhe e zyrtarizon atë, mund të kesh probleme dhe, mbi të gjitha, mund të bësh zgjedhjen e gabuar. Megjithatë, ata që janë optimistë, e dinë se mund të dështosh disa herë, por ama në fund mund t’ia dalësh mbanë. Me pak këshilla dhe përvojë gjithçka është e mundur. Ja disa prej tyre.

Bota nuk sillet vetëm rreth teje

Shpeshherë në marrëdhënie vendosim veten në qendër dhe parterin e konsiderojmë si shtesë të ekzistencës sonë. Ky është një gabim që e bëjmë shpesh herën e parë dhe e përsërisim shumë edhe në lidhjet në vazhdim. Në këtë mënyrë ne prishim balancën dhe nuk e kuptojmë edhe vetë përse. Imagjinoni tani që edhe partneri ta ketë këtë lloj botëkuptimi, e imagjinoni dot se si mund të shkojë një marrëdhënie në çift. Pa dyshim do të jetë jetëshkurtër dhe plot konflikte. Atëherë, duke mësuar nga përvojat negative të së shkuarës, është mirë që të mendojmë më shumë për tjetrin, për nevojat e tij dhe në mënyrë të ekuilibruar ta bëjmë herë pas here qendër të jetës sonë.

Mbylleni derën e tualetit

Të mbajturit e gjërave shumë intime vetëm për vete është një këshillë e mirë, rëndësinë e së cilës e kuptojmë shumë kohë më pas. Fillimisht, në lidhjet e para, hapemi tërësisht, pasi e konsiderojmë partnerin si veten. Më pas, me kalimin e kohës, kur gjërat nuk janë aq rozë, nisim e vëmë re më shumë të meta dhe ato intimet kanë fatin e keq që të na irritojnë më shumë. Ndaj, në lidhjet pasuese, është mirë që intimitetet t’i mbajmë për vete. Një nga rregullat në këtë rast është se dera e banjës duhet të jetë një zonë personale, ku nuk duhet të futet as partneri, as fëmija dhe as kafsha e shtëpisë. Pas kësaj dere duhet të jemi vetëm me veten.

Seksi është vital

S’po themi ndonjë gjë të re. Kjo dihet, si në lidhjen e parë, ashtu edhe në lidhjen e fundit. Pa seks vështirë se mund të qëndrojë në këmbë një lidhje dashurie, edhe pse mund të ketë raste të tilla, por përbëjnë gjithmonë përjashtimin. Në lidhjet e para tolerohet me kalimin e kohës kjo gjë dhe largimi nga shtrati. Mungesa e eksplorimit të jetës seksuale të largon edhe nga marrëdhënia vetë.

Sigurisht që seksi nuk është një garanci për zgjatjen e një marrëdhënieje, por mungesa e tij i jep fund shumë më shpesh çdo lloj martese. Ajo që zbulon me kohë është se seksi nuk përfundon me rininë dhe se në çdo moshë është e mundur të kënaqesh fizikisht me partnerin dhe të mbash ndezur lidhjen me të. Është e rëndësishme që të jemi gjithmonë seksualisht në lartësinë me partnerin, duke shkëmbyer mesazhe, duke flirtuar, duke bërë surpriza ose duke bërë misteriozin herë pas here, për të ndezur pasionin. Kjo mund të ndodhë edhe në moshën 60 apo 70- vjeçare.

Ji vetvetja

Edhe kjo nuk është një këshillë e padëgjuar dhe që nuk u jepet të gjithëve. Në fakt, në rastin e marrëdhënieve është e rëndësishme, sepse shtirja gjithmonë dëmton. Të ruash individualitetin tënd dhe shpesh dëshirën për të qenë me veten apo edhe me miq e shokë të tjerë, ndërkohë që je në një marrëdhënie, i bën mirë kësaj marrëdhënieje, shkruan Shqip. Këtë e mëson fatkeqësisht jo gjithmonë në lidhjen e parë, por e kupton se sa e rëndësishme është liria jote e vogël në një marrëdhënie partneriteti, që kërkon që gjërat të funksionojnë.

Paraja ka rëndësinë e saj

Këtë mund të mos e dimë kur jemi shumë të rinj dhe mund të na duket se dashuria mjafton për të mbajtur frymën gjallë. Por, me kalimin e kohës, nevojat rriten, kërkesat shtohen dhe e shohim që pa një mirëqenie normale, një lidhje është e vështirë të funksionojë. Është mirë kur ke një partner në gjendje të mirë ekonomikisht, që është në gjendje të krijojë një standard jetese. Paraja i lehtëson, i zbukuron gjërat dhe në një marrëdhënie është e kotë që të pohonim të kundërtën. /Telegrafi/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme