Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, ka njoftuar se ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj pesë personave të dyshuar për organizim të lojërave të fatit të paligjshme dhe ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.
Sipas komunikatës, të dyshuarit me inicialet E.B., A.B., N.H., J.M. dhe Z.P., dyshohet se kanë organizuar dhe zhvilluar lojëra të fatit në mënyrë të kundërligjshme në një lokal në Malishevë.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ndaj të pandehurve me inicialet E.B., A.B., N.H., J.M., dhe Z.P., ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë – Dega në Malishevë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh”, thuhet në komunikatë.
Sipas Prokurorisë, nga një kohë e pacaktuar deri më 12 mars 2026, rreth orës 21:00, në një lokal afarist në Malishevë, i dyshuari E.B., në cilësinë e pronarit të lojërave, në bashkëkryerje me të dyshuarit e tjerë, dyshohet se kanë organizuar lojëra të fatit të ndaluara me ligj.
“Me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, organizojnë dhe marrin pjesë në organizimin e lojërave të fatit, të cilat janë të ndaluara me Ligjin Nr.06/L-155 për ndalimin e lojërave të fatit, në atë mënyrë që të njëjtit në mënyrë të kundërligjshme dhe të fshehtë në lokalin afarist e përdorin për lojëra të fatit”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Prokuroria njofton se pas urdhrit për kontroll nga policia, të dyshuarit kanë tentuar të largohen nga objekti.
“Pas urdhrit për kontrollimin e lokalit nga zyrtarët policorë, të pandehurit kanë tentuar të arratisen duke kërcyer nga një dritare e objektit, por janë ndaluar nga policia”, theksohet në komunikatë.
Gjatë kontrollit në lokal, policia ka gjetur disa aparate të lojërave të fatit në funksion dhe para të gatshme.
“Gjatë kontrollit janë gjetur pesë aparate të lojërave të fatit në funksion, ku në aparatin nr. 3 (Kajot) janë gjetur 20 euro, në aparatin nr. 4 (Apex) 150 euro dhe në aparatin nr. 5 (Kajot) 70 euro. Po ashtu, në çantën e pronarit E.B., janë gjetur 2 mijë euro, të gjitha të sekuestruara nga ana e zyrtarëve policorë”, thuhet në njoftim.
Sipas Prokurorisë, me këto veprime të dyshuarit në bashkëkryerje dyshohet se kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
“Të pandehurit që nga data 12 mars 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartcekur”, thotë tutje komunikata.