Petkoviq: Rreziku në veri të Kosovës vjen pikërisht nga Prishtina

Prishtinë | 24 Gus 2023 | 10:15 | Nga Ekonomia Online

“Të gjitha incidentet, provokimet dhe përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës vijnë vetëm dhe ekskluzivisht nga Albin Kurti, si gjeneratori i vetëm i krizës, por edhe në zonën e Ballkanit Perëndimor, të cilën ai e demonstroi së fundmi në Maqedoni të Veriut”, ka pretenduar drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, me detyrë të përhapë propagandë armiqësore ndaj Kosovës, Petar Petkoviq në njoftimin e fundit për media.

“Njësitet e tij speciale para-policore vazhdojnë të pushtojnë veriun e Kosovës, si dhe ndërtesat serbe ku janë të vendosur “kryetarët e tij ilegalë dhe jolegjitimë”, të cilët bëjnë veprime “që kërcënojnë drejtpërdrejt jetën e serbëve”, arrestojnë serbët që nuk pajtohen me metodat e okupimit, duke tentuar njëkohësisht t’u marrin serbëve copën e bukës, punëtorët t’i hedhin në rrugë, t’i lënë rastet sociale pa ndihmë”, pretendon Petkoviq në propagandën e tij, transmeton Paparaci.

Drejtori i kësaj zyre famëkeqe ka shtuar se “në territorin e Kosovës dhe Metohisë” ekziston paqja e brishtë “falë përmbajtjes së popullit serb”, i cili prej muajsh nuk i është dorëzuar provokimeve të përditshme të regjimit në Prishtinë”.

“Rreziku i një krize të re në veri të Kosovës kërcënohet nga Prishtina e cila duke shkaktuar tensione në veri të Kosovës, po përpiqet të mbulojë rezultatet e politikës së saj katastrofike dhe të maskojnë faktin se bashkësia ndërkombëtare e sheh në të burimin e destabilitetit në veri të “krahinës”, prandaj masat ndëshkuese ndaj Prishtinës janë ende në fuqi”, përfundon Petkoviqi propagandën e radhës, i cili, të përkujtojmë, është kryenegociatori serb për dialogun Kosovë-Serbi, epilogu i të cilit do të duhej të jetë marrëveshja gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve.

Të ngjashme