Gjatë dy dekadave të fundit, sektori bankar ka arritur të ndërtojë institucione solide bankare, të cilat kanë ruajtur stabilitetin dhe krahas zhvillimeve bashkëkohore ka avancuar shërbimet financiare, thotë Petrit Balija, kryeshef ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës në intervistën për Buletinin Ekonomik.
Sipas tij, sektori bankar ka arritur që të kreditojë ekonominë e Kosovës me mbi 1.6 miliard euro gjatë vitit 2021, duke shënuar kështu një rritje dyshifrore të kreditimit. Pjesa më e madhe e këtij kreditimi është alokuar për ndërmarrje afariste me rreth 62% pjesëmarrje në portofolin kreditor.
Sektori bankar në Kosovë, si një nga shtyllat më të rëndësishme të stabilitetit financiar të vendit, është duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e ndërgjegjësimit dhe transparencës së akterëve financiarë, ndërmarrjeve të biznesit dhe autoriteteve shtetërore për nevojën për të miratuar kriteret e nevojshme për një Kosovë më të gjelbër, një ekonomi më të qëndrueshme dhe me një qeverisje të korporatave më të mirë, thotë në një intervistë për Buletinin Ekonomik Petrit Balija, kryeshef ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, një njohës i mirë i sistemit bankar jo vetëm në Kosovë, dhe me një bagazh profesionist të vlerësuar nga qarqet financiare dhe nga njohësit e rrethanave të kësaj fushe.
Balija, në këtë intervistë thotë se duke ngritur gradualisht standardet për financim të qëndrueshëm, ne mund të sigurojmë një ambient më të pastër për Kosovën. Po ashtu, mund të jemi nxitës të reduktimit të informalitetit që do të rriste mirëqenien sociale dhe ekonomike në vend si dhe qasjen më të lehtë në financa për grupe të margjinalizuara.
Shoqata e Bankave të Kosovës, sipas kreut të saj, ka kontribuar jashtëzakonisht shumë në kuptim të avancimit dhe dixhitalizimit të shërbimeve dhe produkteve bankare, me ç’rast kanë avokuar për të shtyrë përpara projektligjin për identifikimin elektronik dhe kanë realizuar disa fushata informuese dhe një sërë aktivitetesh për edukim financiar.
“E gjithë kjo me qëllim të zvogëlimit të përdorimit të parasë së gatshme duke ndikuar indirekt edhe në zvogëlimin e informalitetit që mund të bëhet përmes transaksioneve me para të gatshme”, ka thënë Balija në intervistën për Buletinin Ekonomik.
Një pjesë të mirë të aktiviteteve të Shoqatës së Bankave të Kosovës, sipas Balisë, e përbëjnë edhe trajnimet të cilat bëhen me qëllim të ngritjes së kapaciteteve dhe rritjes së njohurive në përgjithësi të punonjësve të sektorit financiar, duke angazhuar ekspertë të njohur ndërkombëtarë. Të gjitha këto trajnime që ofrohen, kanë për qëllim përafrimin e sektorit financiar në Kosovë me praktikat më të mira ndërkombëtare. Një kontribut të veçantë, Shoqata e Bankave të Kosovës e ofron edhe në ndërtimin e kornizës ligjore në vend, ku përmes ekspertizës së saj të drejtpërdrejtë nga praktika, ofron sugjerimet dhe vlerësimet e saj në kuadër të grupeve të ndryshme legjislative që formohen për këtë qëllim.
“Edukimi financiar po ashtu është prioritet për ne dhe ne sot si sektor bankar jemi pjesë e shumë iniciativave të ndryshme që ndërlidhen me edukimin financiar, sikurse që është “Java Ndërkombëtare e Parasë” dhe “Dita Botërore e Kursimeve”, ku çdo vit zhvillohen shumë aktivitete paralele në kuptim të ndërgjegjësimit, ngritjes së vetëdijes, dhe edukimit financiar të fëmijëve dhe të rinjve të Kosovës”, thotë Balija.
Balija në intervistën dhënë Buletinit Ekonomik në këtë fundvit, akcepton edhe raportin e të bërit biznes të publikuar nga Banka Botërore për vitin 2020, ku Kosova në mesin 190 vendeve, është e ranguar në vendin e 15, sa i përket qasjes në financa, përderisa ekonomia e Kosovës në përgjithësi është e radhitur në vendin e 57.
“Natyrisht, kjo është meritë dhe kontribut që sektori bankar e ka dhënë për ekonominë e vendit tonë dhe e bën një faktor shumë të rëndësishëm për financim të qëndrueshëm në vend”, thotë ai.
Intervistën e plotë të Petrit Balijajt mund ta lexoni në vijim:
Buletini Ekonomik: Këtë javë, Shoqata e Bankave të Kosovës (SHBK) organizoi Konventën vjetore “Financimi i Qëndrueshëm: Standardet Mjedisore, Sociale dhe Qeverisëse për Financim të Qëndrueshëm në Kosovë”. Dihet se politikat ESG do të jenë obligim edhe për bankat gjithandej nëpër botë në kuptimin arritjes së standardeve që dalin nga Marrëveshja e Parisit për Klimën dhe objektivat e OKB-së për zhvillim të qëndrueshëm. Edhe sektori bankar do ta ketë rolin e tij në përqafimin e këtyre politikave. A mund të na thoni se ku qëndron sektori bankar në Kosovë, karshi këtyre politikave dhe cila është rëndësia e tyre për zhvillimin e qëndrueshëm të bizneseve?
Petrit Balija: Shoqata e Bankave të Kosovës organizoi Konventën Vjetore të Shoqatës së Bankave të Kosovës – 2021. Konventa bankare mblodhi komunitetin bankar, që veprojnë dhe kontribuojnë në zhvillimin e sektorit bankar në Kosovë, për të diskutuar për temën: “Financimi i Qëndrueshëm: Standardet Mjedisore, Sociale dhe Qeverisëse për Financim të Qëndrueshëm në Kosovë”.
Financimi i qëndrueshëm synon integrimin e kritereve mjedisore, sociale dhe të qeverisjes së mirë (ESG) në shërbimet financiare dhe në mbështetjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike. Sektori bankar në Kosovë, si një nga shtyllat më të rëndësishme të stabilitetit financiar të vendit, është duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e ndërgjegjësimit dhe transparencës së akterëve financiarë, ndërmarrjeve të biznesit dhe autoriteteve shtetërore për nevojën për të miratuar kriteret e nevojshme për një Kosovë më të gjelbër, një ekonomi më të qëndrueshme dhe me një qeverisje të korporatave më të mirë.
Buletini Ekonomik: A ka banka në Kosovë që tashmë i kanë adaptuar politikat ESG, nëse po si do të reflektohet kjo tek kreditimi i bizneseve, a do të orientohet sektori më shumë – nëse mund të themi kështu – tek kreditë ekologjike, pra a do të përkrahen më shumë ato biznese, veprimtaria e të cilave nuk e dëmton ambientin?
Petrit Balija: Vështirësitë e shkaktuara nga pandemia kanë bërë që të kuptojmë që bota nuk mund të rrijë duarkryq karshi kërcënimeve të mëdha globale që cënojnë njerëzimin, si ndryshimet klimatike por edhe problemet që mund të shkaktohen nga padrejtësitë sociale dhe të keqqeverisjes. Marrja e masave në uljen e ndotjes mjedisore përballë ndryshimeve aktuale klimatike, po ashtu është çështje që kërkon trajtim të veçantë dhe kujdes të shtuar. Prandaj, ruajtja e mjedisit është përgjegjësi e secilit prej nesh, pa marrë parasysh profilin e veprimtarisë sonë, në veçanti për ne si sektor financiar dhe kontribuesit më të mëdhenj në zhvillimin ekonomik. Marrëveshja e Parisit për ndryshimet klimatike e bazuar në konventën kornizë të Kombeve të Bashkuara, ka vënë në lëvizje edhe industritë financiare që të bëhen pjesë e këtyre iniciativave për një botë më të gjelbër dhe një ekonomi më të qëndrueshme. Edhe bankat në Kosovë, duke qenë pjesë e grupeve të mirënjohura ndërkombëtare, janë pjesë përbërëse të institucioneve që kanë nënshkruar parimet e marrëveshjes së Parisit, prandaj ne besojmë se edhe Kosova mund të përfitojë shumë nga kjo axhendë.
Buletini Ekonomik: A mund të na thoni më konkretisht se cilët sektorë do të përkrahen më shumë në kuptimin e kredidhënies nga bankat, pasi t’i adaptojnë politikat ESG?
Petrit Balija: Si sektor bankar jemi të përkushtuar të punojmë së bashku në këtë axhendë, me fokus në: – përgjegjësinë sociale, duke kontribuar drejt zhvillimit më të gjerë socio-ekonomik nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, me përgjegjësi të lartë ndaj klientëve, punonjësve dhe mjedisit social duke kontribuar në vazhdimësi edhe në mbështetjen e aktiviteteve sportive, humanitare dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore;
– financim të qëndrueshëm e të përgjegjshëm, duke integruar kriteret mjedisore, sociale dhe të qeverisjes në vendimet e bankave të kreditimit dhe investimeve, me qëllim të përfitimit afatgjatë dhe të qëndrueshëm për shoqërinë tonë në përgjithësi.
Në këtë mënyrë, duke ngritur gradualisht standardet për financim të qëndrueshëm, ne mund të sigurojmë një ambient më të pastër për Kosovën. Po ashtu, ne mund të jemi nxitës të reduktimit të informalitetit që do të rriste mirëqenien sociale dhe ekonomike në vend si dhe qasjen më të lehtë në financa për grupe të margjinalizuara. Në fund, por jo më pak e rëndësishme, është edhe qeverisja e mirë, pasi që e dimë se sa mund të ndihmojë qeverisja e mirë në sigurimin e investimeve të huaja dhe hapjen e mundësive të reja për bizneset në Kosovë.
Natyrisht, të gjitha bizneset të cilat i përafrohen dhe i respektojnë këto parime do të kenë qasjen më të lehtë në financim nga sektori bankar, për faktin se këto biznese do të jenë edhe më të vetë-qëndrueshme sa i përket aktivitetit afatgjatë të tyre, në këtë mënyrë duke e zvogëluar edhe rrezikun kreditor për vet sektorin bankar.
Buletini Ekonomik: Cilat janë disa prej projekteve tjera që është duke i zhvilluar Shoqata e Bankave, si për sektorin bankar, si për klientët bankar?
Petrit Balija: Në bashkëpunim me anëtarët, gjatë këtij viti Shoqata e Bankave të Kosovës ka kontribuar jashtëzakonisht shumë në kuptim të avancimit dhe dixhitalizimit të shërbimeve dhe produkteve bankare, me ç’rast kemi avokuar për të shtyrë përpara Projektligjin për identifikimin elektronik dhe kemi realizuar disa fushata informuese dhe një sërë aktivitetesh për edukim financiar.
Shoqata e Bankave të Kosovës gjatë këtij viti ka realizuar disa kampanja informuese në kuptim të ngritjes së edukimit financiar tek popullata e gjerë, që kishte për qëllim informimin e qytetarëve rreth mundësive të përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave, përkatësisht blerjeve me kartë bankare online dhe çështjeve të sigurisë gjatë pagesave online. E gjithë kjo me qëllim të zvogëlimit të përdorimit të parasë së gatshme duke ndikuar indirekt edhe në zvogëlimin e informalitetit që mund të bëhet përmes transaksioneve me para të gatshme.
Në kuadër të punës tonë, një pjesë të mirë të aktiviteteve e përbëjnë edhe trajnimet, të cilat i ofrojmë me qëllim të ngritjes së kapaciteteve dhe rritjes së njohurive në përgjithësi të punonjësve të sektorit financiar, duke angazhuar ekspertë të njohur ndërkombëtarë. Të gjitha këto trajnime që ofrohen, kanë për qëllim përafrimin e sektorit financiar në Kosovë me praktikat më të mira ndërkombëtare. Përmes këtyre trajnimeve shumë të specializuara që kemi realizuar ndër vite, ne kemi kontribuar në rritjen e kapaciteteve tek të rinjtë në Kosovë, të cilët tani nuk punojnë vetëm për bankat, por janë të punësuar në të gjithë sektorët e ekonomisë në vend.
Një kontribut të veçantë, Shoqata e Bankave të Kosovës e ofron edhe në ndërtimin e kornizës ligjore në vend, ku përmes ekspertizës së saj të drejtpërdrejtë nga praktika, ofron sugjerimet dhe vlerësimet e saj në kuadër të grupeve të ndryshme legjislative që formohen për këtë qëllim.
Edukimi financiar po ashtu është prioritet për ne dhe ne sot si sektor bankar jemi pjesë e shumë iniciativave të ndryshme që ndërlidhen me edukimin financiar, sikurse që është “Java Ndërkombëtare e Parasë” dhe “Dita Botërore e Kursimeve”, ku çdo vit zhvillohen shumë aktivitete paralele në kuptim të ndërgjegjësimit, ngritjes së vetëdijes, dhe edukimit financiar të fëmijëve dhe të rinjve të Kosovës.
Buletini Ekonomik: A është detyrë e Shoqatës së Bankave t’i mbrojë vetëm interesat e bankave, apo edhe të klientëve bankar?
Petrit Balija: Pa marrë parasysh misionin primar të SHBK-së për mbrojtjen e interesave të anëtarëve tanë, ne mendojmë se në të gjitha rastet kur ne avokojmë për ndonjë ndryshim, qoftë legjislativ apo çfarëdo tjetër, e bëjmë me qëllim që të gjitha palët të përfitojnë si bankat ashtu edhe klientët e tyre dhe ekonomia e vendit në përgjithësi. Ky ekosistem është simbiotik, ku sektori bankar mund të zhvillohet vetëm kur klientët janë të kënaqur dhe ekonomia e vendit është në rritje dhe ka kërkesë për financim nga bankat. Prandaj, çdo veprim që ndërmarrim si Shoqatë, kemi për qëllim që të përfitojë i tërë ky ekosistem financiar.
Buletini Ekonomik: Sipas Global Financial Literacy Excellence Center (GFLEC), Kosova dhe Shqipëria e kanë shkallën me të ulët për “Financial Literacy” të popullatës në Europë. Vetëm më pak se 20 për qind e të rriturve në Kosovë kanë aftësi financiare për marrjen e vendimeve të duhura financiare. Dihet se edukimi financiar është jetik për qytetarët dhe bizneset edhe në kuptimin e qasjes më të lehtë në financa. Çka ka bërë Shoqata e Bankave të Kosovës për rritjen e ‘vetëdijes financiare’ për qytetarët e Kosovës, por edhe bizneset?
Petrit Balija: Krahas shumë kampanjave informuese, trajnimeve dhe iniciativave të ndryshme të cilat i zhvillojmë në vazhdimësi me qëllim të edukimit financiar dhe të cilat janë cekur në përgjigjet më lartë, Shoqata e Bankave të Kosovës bën botimin e revistës së vetme financiare në vend “The Kosovo Banker”. Kjo revistë botohet dy herë në vit dhe ka për qëllim informimin e saktë të publikut lidhur me industrinë bankare në Kosovë.
Shoqata e Bankave të Kosovës shërben edhe si platformë për organizimin e shumë ngjarjeve, forumeve dhe konferencave, ku një rol të rëndësishëm në temat që trajtohen është edhe çështja e edukimit financiar. Megjithatë, mendoj se një nga arsyet për këtë nivel të ulët të edukimit financiar në Kosovë është sistemi i dobët arsimor dhe rrethanat socio-ekonomike dhe politike të vendit. Në këtë drejtim duhet të punohet më shumë nga institucionet shtetërore që të adresohet kjo çështje në nivel nacional dhe në shkallë të gjerë për të rritur edukimin financiar në vend. Ne jemi çdo herë të gatshëm, por na duhet bashkëpunimi edhe i nivelit qendror dhe lokal i autoriteteve.
Buletini Ekonomik: Si e vlerësoni performancën e sektorit bankar të Kosovës ndër vite? Në këtë kontekst, fitimet enorme në vazhdimësi dhe sivjet, a janë rezultat i afarizmit të mirë të bankave komerciale apo më shumë rezultat i çmimeve të normës së interesit dhe të shërbimeve bankare?
Petrit Balija: Gjatë dy dekadave të fundit, sektori bankar ka arritur të ndërtojë institucione solide bankare të cilat kanë ruajtur stabilitetin dhe krahas zhvillimeve bashkëkohore ka avancuar shërbimet financiare. Sektori bankar ka arritur që të kreditojë ekonominë e Kosovës me mbi 1.6 miliard euro gjatë vitit 2021, duke shënuar kështu një rritje dyshifrore të kreditimit. Pjesa më e madhe e këtij kreditimi është alokuar për ndërmarrje afariste me rreth 62% pjesëmarrje në portofolin kreditor.
Sektorët të cilët kanë shënuar rritje më të theksuar në kreditim janë sektori i prodhimit, sektori i ndërtimtarisë dhe sektori i shërbimeve. Kjo është mjaft inkurajuese sepse është një indikator i rëndësishëm që struktura e ekonomisë së vendit është duke ndryshuar, ku pjesëmarrja e tregtisë në kreditim tanimë është vetëm 45% për dallim nga vitet paraprake ku ishte në mbi 50%, kështu duke u balancuar me sektorët tjerë të rëndësishëm si prodhimi dhe shërbimet.
Natyrisht, një sektor bankar me rritje graduale ndër vite, likuid dhe mirë i kapitalizuar, ofron një siguri të madhe për ekonominë e vendit dhe vet qytetarët e Kosovës. Afarizmi i mirë i sektorit bankar i atribuohet kryesisht qasjes së kujdesshme që bankat kanë pasur në procesin e kreditimit si dhe të vet klientëve bankar ndaj produkteve dhe shërbimeve që i ofron sektori bankar. Një aspekt i rëndësishëm që ka kontribuar në këtë afarizëm të mirë dhe stabilitet të sektorit bankar, është edhe dixhitalizimi i shumë proceseve, shërbimeve dhe produkteve, investime këto që janë shpërblyer në kuptim të ofrimit të shërbimeve dhe produkteve më të shpejta, sigurta dhe lehtë të qasshme për klientët, duke ndikuar kështu edhe në uljen e kostove të shërbimeve elektronike për klientët dhe ulje të shpenzimeve operacionale të bankave.
Aktualisht, norma mesatare e interesit në kredi për muajin nëntor 2021 është 5.6%. Kjo normë efektive e kredisë është lehtë e krahasueshme me vendet e rajonit, gjë që dëshmon për konkurrencën e shëndoshë që mbizotëron në tregun bankar të Kosovës. Është e rëndësishme të theksohet se perfomanca e mirë e sektorit bankar, ndërlidhet drejtpërdrejt me perfomancën e mirë të bizneseve të sektorëve të ndryshëm që operojnë në Kosovë dhe kjo paraqet një lajm shumë të mirë për ekonominë e Kosovës në përgjithësi.
Sa i përket profitabilitetit të sektorit bankar, mendoj se është shumë e rëndësishme që Kosova të ketë një sektor bankar stabil, mirë të kapitalizuar dhe profitabil në mënyrë që t’i bëjë ballë goditjeve eventuale të krizave të papritura si ishte edhe pandemia Covid 19. Vetë fakti që kishim një sektor shumë stabil bankar në Kosovë, ne arritëm që të tejkalojmë krizën pandemike pa pasur ndonjë destabilizim të sektorit bankar dhe njëkohësisht arritëm të ofrojmë fleksibilitetin e nevojshëm për klientët në lidhje me shtyrjen e pagesave të kësteve gjatë muajve kritik të pandemisë. Prandaj një sektor profitabil bankar është në dobi të vetë ekonomisë dhe shoqërisë në Kosovë dhe kështu duhet të vlerësohet.
Buletini Ekonomik: A mendon Shoqata se tashmë është tejkaluar koha kur për norma të larta të interesit dhe çmime të larta të shërbimeve gjithmonë ka pasuar arsyetimi për risk të lartë në Kosovë? Ç’domethënie ka, sipas jush, indikatori i kredive të këqija, që është ndjeshëm më i ulëti në rajon?
Petrit Balija: Indikatori i kredive të këqija është një indikator shumë i rëndësishëm në këtë aspekt dhe falë menaxhimit të mirë nga bankat si dhe mbikëqyrjes adekuate nga rregullatori, sektori bankar ka ulur ndjeshëm përqindjen e kredive të këqija në më pak se 2.5%. Janë bërë edhe shumë përmirësime tjera në ambientin e të bërit biznes në Kosovë ndër vite, siç është themelimi i sistemit të përmbarimit privat, noterisë, avancimi i kadastrit e të tjera, dhe kjo ka bërë që normat e interesit të ulen ndjeshëm në Kosovë duke rënë nga normat dy-shifrore në 5.6% tani. Që do të thotë se jemi në mesataren e kushteve të operimit të rajonit dhe rrjedhimisht edhe normat e interesit për kredi janë të ngjashme me rajonin. Por për të arritur kushte edhe më të favorshme siç janë në disa vende të zhvilluara të BE-së, ne duhet të punojmë edhe më shumë si shtet që të përafrohemi me kushtet e të bërit biznes të shteteve të BE-së si dhe të kemi rritje më të madhe ekonomike. Rritja më e madhe ekonomike do të mundësonte rritjen edhe më të madhe të portofolit të kredive dhe rrjedhimisht përmirësimin e kushteve për kredi.
Buletini Ekonomik: Si e vlerësoni reduktimin goxha të madh të infrastrukturës bankare anembanë Kosovës dhe reduktimin e numrit të punonjësve brenda bankave në emër të digjitalizimit të procesit të punës? A po kufizohet kështu qasja më e lehtë e klientëve bankar në marrjen e shërbimeve bankare dhe një reduktim kaq i madh i infrastrukturës bankare a do të duhej të shkonte paralelisht me një vetëdijësim të klientëve bankar për shërbimet online?
Petrit Balija: Çështja e dixhitalizimit të shërbimeve është një trend global që ka ndikuar edhe në shërbimet bankare. Por, ky ndikim mendojmë se është për të mirë, pasi që sipas shumë studimeve vlerësohet se dixhitalizimi i shërbimeve bankare rritë qasjen në financa, në veçanti për grupe të margjinalizuara. Me dixhitalizimin e shumë proceseve të brendshme të vet bankave si dhe me dixhitalizimin e shumë shërbimeve dhe produkteve që sektori bankar i ofron në treg për klientët e saj, ka bërë që një pjesë e infrastrukturës fizike të mos jetë e nevojshme dhe të zvogëlohet karshi këtij zhvillimi.
Sot, dixhitalizimi është një fakt dhe realitet i kohës, dhe jo vetëm i sektorit bankar, është kërkesë dhe trend i shumë iniciativave globale, ku përfitimet nga ky zhvillim janë shumë të ndjeshme. Rrjedhimisht edhe Kosova nuk ka mundur të jetë imune ndaj këtij zhvillimi të hovshëm. Në sektorin bankar, shumica e transaksioneve në vend realizohen përmes instrumenteve elektronike të pagesave, gjë që e dëshmon se edhe qytetarët e këtij vendi e kanë mirëpritur këtë zhvillim. Andaj, konsiderojmë se përmes dixhitalizimit, qytetarëve iu është rritur qasja në shërbimet financiare 24/7, duke iu ofruar siguri, shpejtësi dhe lehtësi në qasje. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet të kemi një çasje të balancuar dhe të marrim parasysh raste të veçanta ku ndonjë rajon i vendit mund të mos ketë çasje adekuate në shërbime dixhitale dhe nevoja për shërbime fizike mund të jetë e domosdoshme. Në këto raste, ne duhet të jemi kreativ dhe të gjejmë zgjidhje në mënyrë që këta qytetarë të mos mbeten pa shërbime financiare.
Për fund, në bazë të raportit të të bërit biznes të publikuar nga Banka Botërore për vitin 2020, Kosova në mesin 190 vendeve, është e listuar në vendin e 15 sa i përket qasjes në financa, përderisa ekonomia e Kosovës në përgjithësi është e listuar në vendin e 57. Natyrisht, kjo është meritë dhe kontribut që sektori bankar e ka dhënë për ekonominë e vendit tonë dhe e bën një faktor shumë të rëndësishëm për financim të qëndrueshëm në vend. Andaj, është e rëndësishme që të komunikohet qartë se interesat e sektorit bankar dhe interesat e shoqërisë së vendit janë simbiotike dhe të ndërvarura dhe vetëm me përfitime të dyanshme mund të ecim përpara dhe të kemi një mirëqenie të mirë.