Drejtuesi i Lëvizjes Fol, Petrit Zogaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të duhej të merrte pjesë në konstituimin e Kuvendit pa arritur një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka thënë se mosarritja e një marrëveshje për ta formuar Qeverinë e re, është jashtëzakonshme e dëmshme për interesat e shtetit të Kosovës.
“Në bisedimet VV-LDK vërehet një lloj paaftësie për ta arritur një konsensus – një paaftësi e spektrit politik kur shteti i Kosovës përballet me shumë sfida”.
“Kosova nuk e ka luksin si Izraeli që të mos e formojë Qeverinë. Ky lloj komoditeti i subjekteve politike për ta stërzgjatur krijimin e Qeverisë është jashtëzakonisht i papërgjegjshëm”.
“VV nuk është dashur ta sjellë një situatë të re në komplikimin e situatës që ka me LDK-në. Nuk do duhej që pa marrëveshje të shkonte në Kuvend për ta votuar kryetarin e Kuvendit”.
“Ishte ajo mosmarrëveshja për postin e presidentit, ndërkohë VV e vuri edhe një pengesë shtesë me kryetarin e Kuvendit dhe tash po pyet se si duhet të evitohet kjo?”.
“Parimisht do të duhej që VV të tërhiqet nga posti i kryetarit të Kuvendit. Nuk duhet tash të këmbëngulë që një gabim që e bëri në Kuvend ta vazhdojë si të tillë”.
“Për hir të koalicionit, Glauk Konjufca do të duhej të tërhiqej nga posti i kryekuvendarit dhe në këtë mënyrë LDK do të ketë më pak shans të ankohet për ndarjen e posteve qeveritare dhe të Kuvendit të Kosovës”.