Ish i Dërguari i Posaçëm i BE-së për rajonin, Wolfgang Petritsch, ka folur pas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Hagës kundër presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, dhe disa të tjerëve.
Ai ka thënë se pas bërjes publike të kësaj aktakuze, Prishtina është një burim i madh i pasigurisë në rajon.
“Kosova aktualisht ka një qeveri shumë të dobët dhe ky është një problem shumë i madh”, ka thënë Petritsch, derisa ka shtuar se gjendja është komplet ndryshe në Beograd pas zgjedhjeve të fundit atje ku Vuçiq ka fituar më shumë se 50 % të votave.
Sipas tij, aktakuza ndaj Thaçit e ka dobësuar edhe më shumë qeverinë, meqë sipas tij qeveria Hoti ishte krijuar edhe me përkrahjen e partisë që Thaçi dikur kishte qeverisur..
Petritsch thotë se pas gjithë kësaj situate të krijuar do të ketë zgjedhje në Kosovë, herët apo vonë.
Ai tutje ka potencuar se personalisht ka mbrojtur krijimin e Gjykatës Speciale për krimet e kryera përgjatë viteve 1998-2000, derisa shton se Thaçi duhet të ndjek shembullin e mëparshëm të Ramush Haradinajt, dhe të japë dorëheqjen.